Spiropali në Kuvend: Shqipëria anëtare themeluese e Bordit të Paqes, hap i rëndësishëm për rolin ndërkombëtar të vendit
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, prezantoi në Kuvend projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Shqipërisë në Kartën e Bordit të Paqes, një mekanizëm i ri ndërkombëtar i iniciuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku Shqipëria është ftuar si anëtare themeluese, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama.
Gjatë fjalës së saj, Spiropali e cilësoi këtë ftesë si një vlerësim të drejtpërdrejtë për besueshmërinë ndërkombëtare të Shqipërisë dhe rolin e saj në arkitekturën e sigurisë globale. Sipas saj, anëtarësimi nuk është simbolik, por një angazhim konkret në ndërtimin e paqes në një kohë të karakterizuar nga kriza dhe pasiguri ndërkombëtare.
Ministrja theksoi se ftesa nga Presidenti i SHBA-së përfaqëson njohje të qartë të rolit që Shqipëria ka ndërtuar ndër vite përmes një politike të jashtme të qëndrueshme, partneritetit strategjik me SHBA-në dhe angazhimit aktiv në NATO. Ajo nënvizoi se vendi nuk po përzgjidhet për madhësinë e tij, por për besueshmërinë dhe koherencën në qëndrimet ndërkombëtare.
Spiropali sqaroi se përfshirja në Bordin e Paqes nuk përbën as devijim dhe as alternativë ndaj procesit të integrimit evropian. “Shqipëria nuk po zgjedh midis aleancave. Shqipëria po vepron brenda orientimit të saj strategjik të pandryshuar. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet vokacioni ynë historik e kombëtar, objektivi ynë kryesor politik, institucional dhe shoqëror. Ai nuk negociohet dhe nuk zëvendësohet nga asnjë mekanizëm tjetër. Por duhet ta themi me ndershmëri: Bashkimi Evropian është destinacioni ynë i brendshëm, ndërsa politika jonë e jashtme është ndërtuar mbi marrëdhënien strategjike me Shtetet e Bashkuara dhe mbi përgjegjësinë tonë në arkitekturën e sigurisë ndërkombëtare,” u shpreh ministrja, duke shtuar se pjesëmarrja në këtë mekanizëm forcon rolin e vendit si kontribuues aktiv në sigurinë dhe stabilitetin global.
Ajo vuri në dukje se edhe Kosova i është bashkuar kësaj nisme, duke e cilësuar këtë si një zhvillim domethënës për rajonin dhe për koordinimin strategjik mes dy vendeve. Sipas saj, përfshirja e Shqipërisë dhe Kosovës në këtë iniciativë dëshmon besimin që partnerët ndërkombëtarë kanë ndaj rolit të tyre në paqe dhe stabilitet.
Ministrja theksoi se statusi i anëtares themeluese nuk sjell detyrime të fshehta apo kosto që cenojnë sovranitetin e vendit, por përkundrazi garanton një rol të barabartë në vendimmarrje dhe orientim strategjik të mekanizmit.
Në përfundim, Spiropali u bëri thirrje deputetëve ta mbështesin ratifikimin, duke e cilësuar atë si një vendim që tejkalon ndarjet politike dhe përfaqëson interesin kombëtar. “Sot nuk po votojmë vetëm për një procedurë. Po votojmë për mënyrën se si Shqipëria pozicionohet në botë,” u shpreh ajo, duke nënvizuar se vendi po afirmohet si një aktor i përgjegjshëm në ndërtimin e paqes ndërkombëtare.