Malaj: Rriten pagat dhe kontributet në turizëm, nis faza e thelluar e kontrollit në ndërtim

Ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë një konference për shtyp, bëri të ditur se lufta kundër informalitetit po jep rezultate konkrete, veçanërisht në sektorin e turizmit, ndërsa në sektorin e ndërtimit ka nisur një fazë më e thelluar monitorimi dhe kontrolli për deklarimin real të pagave.

Malaj theksoi se Shqipëria ndodhet në vitin e dytë të zbatimit të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave 2024-2027, e dakordësuar me FMN-në dhe Bashkimin Evropian, e cila synon rritjen e të ardhurave dhe përmirësimin e administrimit fiskal pa ndryshuar normat tatimore.

Sipas ministrit, rezultatet më pozitive janë shënuar në sektorin e turizmit. Për periudhën maj-shtator 2025, numri mesatar i të punësuarve është rritur me 5% krahasuar me një vit më parë, ndërsa fondi i pagave është rritur me 18%, duke arritur në rreth 162 milionë euro. Po ashtu, kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore janë rritur me 18%, në rreth 46 milionë euro, ndërsa të ardhurat nga TVSH-ja janë rritur me 22%, duke arritur në rreth 40 milionë euro. Malaj theksoi se këto shifra konfirmojnë rolin e turizmit si një nga motorët kryesorë të zhvillimit ekonomik të vendit.

Ministri u ndal edhe te sektori i ndërtimit, i cili mbetet një nga sektorët me risk më të lartë informaliteti. Sipas të dhënave të Administratës Tatimore, në këtë sektor operojnë rreth 8784 subjekte, kryesisht në Tiranë dhe Durrës, ndërsa rreth 25% e tyre deklarojnë paga në nivelin 400-500 euro, shifër që nuk përputhet me realitetin e tregut.

Për këtë arsye, në nëntor 2025 nisi një fushatë ndërgjegjësuese, ku u dërguan mbi 13 mijë mesazhe individuale për bizneset e ndërtimit dhe zinxhirin e furnizimit. Si rezultat, në dhjetor 2025, fondi i pagave u rrit me 9% krahasuar me shtatorin, të ardhurat nga kontributet u rritën me rreth 4%, u vu re një rënie me 7% e punonjësve të deklaruar me paga 400-500 euro, ndërsa u rrit ndjeshëm numri i të punësuarve me paga 700-1000 euro dhe mbi 1200 euro, respektivisht me 18% dhe 10%.

Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, tha se këto rezultate janë pozitive, por larg pritshmërive, ndaj procesi i formalizimit do të vijojë me kontrolle të thelluara. Sipas tij, faza e parë ka përfshirë mbledhjen e të dhënave nga agjencitë imobiliare dhe verifikimin e shitjeve reale. Faza e dytë do të fokusohet te nënkontraktorët, ndërsa faza e tretë te ndërtuesit që nuk kanë reflektuar në dy fazat e para dhe në deklarimet reale të pagave.

Binaj bëri të ditur se do të përdoren të dhëna nga shitjet reale dhe nga burime të treta, do të analizohen flukset financiare dhe rastet e dyshimta, gjithashtu informacioni do t’i referohet edhe strukturave kundër pastrimit të parave. Ai shtoi se objektivi kryesor mbetet formalizimi dhe edukimi i bizneseve, jo ndëshkimi, por paralajmëroi se subjektet që nuk reflektojnë do t’i nënshtrohen kontrollit të plotë.

Administrata Tatimore konfirmoi se aksioni kundër informalitetit do të vijojë gjatë vitit 2026, me fokus te ndërtimi, turizmi dhe siguria ushqimore, si dhe me përdorimin e të dhënave bankare ndërkombëtare për verifikimin e burimit të të ardhurave.