Demo: Akademia e Pushtetit Vendor, AFMIS dhe portali unik i shërbimeve, shtyllat e reformës për bashkitë në 2026

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, gjatë një konference për media, ku prezantoi nismat kryesore për modernizimin e qeverisjes vendore, deklaroi se Akademia e Pushtetit Vendor, sistemi financiar AFMIS dhe krijimi i një portali unik të shërbimeve publike do të jenë tre shtyllat kryesore të reformës për forcimin e bashkive gjatë vitit 2026.

Sipas ministrit, Akademia e Pushtetit Vendor përbën një hap historik, pasi për herë të parë bashkitë do të kenë një strukturë të dedikuar për nevojat e tyre specifike. Ajo do të financohet në mënyrë të përbashkët, 50% nga bashkitë dhe 50% nga qeveria qendrore, duke garantuar, sipas tij, “një zotërim të drejtpërdrejtë nga ana e bashkive”.

“Akademia do të jetë një platformë ku bashkitë ndajnë me njëra-tjetrën praktikat më të mira që kanë konsoliduar në territor. Në territor kemi bashki të cilat kanë sfida jo të vogla në përmbushje të funksioneve që ato kanë, kanë një performancë të admirueshme për funksionet që ato kanë. Ndarja e eksperiencës dhe krijimi i një platforme të qëndrueshme përsa i përket modeleve më të mira që bashkitë mund të ndajnë me njëra-tjetrën, e bëjnë Akademinë një instrument shumë të fuqishëm për pushtetin vendor. Akademia do të kthehet në një hap ku të gjithë partnerët, donatorët, jo thjesht do e mbështesin, por besoj se Akademia do ofrojë instrumente të qëndrueshme për cilëndo asistencë që ne do kemi në vend për autoritetet lokale,” deklaroi Demo.

Ai bëri të ditur se trajnimet e para përmes Akademisë do të nisin brenda 10-ditëshit të parë të muajit shkurt, ndërsa korniza ligjore dhe struktura organizative janë tashmë të miratuara.

Një tjetër shtyllë e reformës është sistemi AFMIS, i zhvilluar në bashkëpunim me Ministrinë e Financave. Sipas ministrit, ky sistem do të shërbejë për matje më reale të performancës financiare dhe për një financim më të targetuar të bashkive.

“AFMIS shkon përtej financave, është një sistem menaxhimi i asaj që është një ndër prioritetet kryesore të bashkive. Menaxhimi i burimeve financiare mbi të gjitha, për të ofruar më shumë investime në territor, për të mbajtur shërbimet në cilësi më të madhe dhe për të kuptuar si bashkia gjeneron të ardhura etj,” u shpreh ai.

Demo theksoi gjithashtu rëndësinë e digjitalizimit përmes krijimit të një portali unik të shërbimeve, që do të integrojë shërbimet qendrore dhe vendore, me synim përmirësimin e përvojës së qytetarëve dhe rritjen e transparencës.

Në fund, ministri bëri të ditur se në kuadër të aktit normativ të miratuar në Kuvend, bashkitë janë financuar me 1.2 miliardë lekë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, duke e cilësuar qëndrueshmërinë financiare si thelbësore për funksionimin dhe zhvillimin afatgjatë të pushtetit vendor.