ExportOn, mekanizëm bashkëpunimi ndërmjet institucioneve publike dhe bizneseve eksportuese
Shqipëria hedh një hap të ri drejt forcimit të eksporteve dhe rritjes së konkurrueshmërisë në tregjet ndërkombëtare me prezantimin e “EksportON”, platformës kombëtare të dialogut për eksportet shqiptare, e iniciuar nga AIDA – Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve.
E konceptuar si një mekanizëm i qëndrueshëm bashkëpunimi ndërmjet institucioneve publike dhe bizneseve eksportuese, “EksportON” synon të adresojë në mënyrë të koordinuar sfidat e sektorit eksportues dhe të shfrytëzojë potencialet e tij, duke e vendosur eksportin në qendër të politikave të zhvillimit ekonomik dhe duke kontribuar në rritjen e vlerës së shtuar “Made in Albania”.
Prezantimi i platformës përkoi me 15-vjetorin e krijimit të AIDA-s, e cila tashmë është një institucion i konsoliduar në mbështetje të biznesit shqiptar, investimeve vendase dhe të huaja, promovimit të eksporteve dhe lidhjes së kompanive shqiptare me tregjet ndërkombëtare.
Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në event theksoi rëndësinë strategjike të eksporteve në procesin e zhvillimit ekonomik dhe integrimit europian të Shqipërisë. Kryeministri u shpreh se “Made in Albania” është një markë cilësie dhe një pasaportë për tregun e Bashkimit Europian, duke nënvizuar se qeveria do të mbështesë fuqimisht të gjitha sipërmarrjet që synojnë të konkurrojnë përmes standardeve të larta dhe cilësisë së certifikuar, e jo përmes çmimit të ulët.
“Made in Albania” është një markë cilësie dhe një pasaportë për në Bashkimin Europian dhe për këtë arsye, ne do të mbështesim fuqimisht dhe gjithmonë e më shumë, të gjithë ata, që do të synojnë t’i japin vetes këtë pasaportë, duke hequr dorë nga ideja se konkurrenca me çmim të ulët mund t’i çojë larg dhe duke u fokusuar tek konkurrenca me standarde të larta, me standarde të certifikuara nga BE për të krijuar më shumë vlerë dhe për të synuar fitim përmes vlerës së krijuar në cilësi dhe jo sasisë për të kapur një vlerë të caktuar” – u shpreh Kryeministri Rama.
Ai theksoi gjithashtu mbështetjen e drejtpërdrejtë të qeverisë për certifikimet ndërkombëtare, mbrojtjen e pronësisë intelektuale, zhvillimin e manifakturës dhe agropërpunimit, si dhe lehtësimin e procedurave dhe korridoreve logjistike për eksportet, nëpërmjet digjitalizimit dhe uljes së barrierave burokratike.
“Mbështetja direkte që ne do të japim për certifikimin ndërkombëtar është diçka që ne e shohim si një investim strategjik të shtetit, jo thjesht për t’i kursyer biznesit disa lekë, por për ta ndihmuar biznesin të futet më shpejt në tregun e përbashkët europian.” – vijoi më tej Kryeministri.
Në fjalën e tij, Kryeministri Rama vuri theksin edhe tek nevoja për investim në burimet njerëzore, duke e konsideruar atë një faktor kyç për rritjen e konkurrueshmërisë së kompanive shqiptare në tregjet europiane dhe globale.
Platforma “EksportON” do të shërbejë gjithashtu si një instrument monitorimi dhe analize, duke mbledhur indikatorë nga realiteti i përditshëm i eksportuesve dhe duke publikuar raporte vjetore mbi ecurinë e eksporteve shqiptare, në funksion të politikëbërjes dhe orientimit të mëtejshëm të biznesit.