Konkursi Ndërkombëtar për “Shtëpinë e Re të Fëmijëve & Kompleksin e ri të Inspektorateve Shtetërore”
Studiot arkitekturore fnaliste të fazës së dytë të Konkursit Ndërkombëtar për projektimin e “Shtëpisë së Re të Fëmijëve & Kompleksit të ri të Inspektorateve Shtetërore”, po prezantojnë sot projektet e përzgjedhura nga juria ndërkombëtare, e cila në përfundim të kësaj faze, do të përcaktojë projektin fitues mes punimeve me vlera të veçanta arkitekturore, urbane dhe mbi të gjitha, sociale. Në çeljen e kësaj faze konkurrimi ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama, i cili falënderoi arkitektët pjesëmarrës dhe anëtarët e jurisë ndërkombëtare për angazhimin e tyre, duke theksuar rëndësinë e këtij procesi në kuadër të krijimit të hapësirave të reja për funksione publike përmes partneritetit publik-privat, nën organizimin e Korporatës Shqiptare të Investimeve. Kryeministri Rama u shpreh se këto konkurse kanë sjellë tashmë rezultate konkrete, duke përmendur një sërë projektesh madhore që ndodhen në faza të avancuara zhvillimi, si stadiumi i ri me standarde europiane, Biblioteka e re Kombëtare, komplekse të reja zyrash për administratën publike, pallati i ri i sportit, si dhe vepra të tjera me interes të lartë publik, të cilat po kontribuojnë në transformimin urban dhe arkitektonik të vendit. Duke iu referuar konkursit aktual, Kryeministri theksoi se projekti i “Shtëpisë së Re të Fëmijëve & Kompleksit të Inspektorateve Shtetërore” hap dy drejtime të reja për të ardhmen: krijimin e kushteve dinjitoze dhe bashkëkohore për fëmijët në kujdesin e shoqërisë, si dhe ndërtimin e një korpusi të ri modern për inspektoratet shtetërore, duke vlerësuar edhe punën disavjeçare të strukturave përkatëse. Një vëmendje e veçantë iu kushtua rolit të studiove shqiptare, të cilat janë pjesë e këtij procesi si partnere të studiove ndërkombëtare. Kryeministri Rama nënvizoi se Shqipëria është shndërruar në një pikë referimi për arkitekturën bashkëkohore dhe, njëkohësisht, në një universitet të hapur për arkitektët e rinj shqiptarë, të cilët përfitojnë dije dhe eksperiencë të drejtpërdrejtë përmes bashkëpunimit me emra të njohur të arkitekturës botërore. Në përmbyllje, Kryeministri Rama uroi sukses për të gjitha studiot pjesëmarrëse, duke theksuar se në këto konkurse nuk ka të humbur, pasi edhe projektet që nuk shpallen fituese përbëjnë një mundësi prezantimi dhe bashkëpunimi afatgjatë me Shqipërinë në projekte të tjera të rëndësishme publike.