Divjakë, Kryeministri Rama: Përgatitja e projekteve nga fermerët, thelbësore për tërhequr financimet mbështetëse

Dëgjesat publike me fermerët për Skemën Kombëtare të Mbështetjes 2026 po vijojnë në të gjithë vendin, me qëllim evidentimin e nevojave reale në terren dhe ndërtimin e një skeme sa më gjithëpërfshirëse dhe efektive për sektorin bujqësor.

Në dëgjesën e radhës që u zhvillua sot me fermerët e Divjakës, ishte i pranishëm edhe Kryeministri Rama, i cili u fokusua në aspektin e shfrytëzimit të mundësive të krijuara, përveç buxhetit të shtetit, i cili tanimë përbën vetëm njërin nga komponentët e zinxhirit të financimeve të bujqësisë.

Në këtë aspekt, Kryeministri renditi garancinë sovrane, kreditë e lehtësuara, fondet e Bashkimit Europian dhe mekanizmat e rinj të Bankës së Zhvillimit dhe AgroKreditit, duke nënvizuar se sot problemi kryesor nuk është mungesa e fondeve, por mungesa e informacionit dhe e përgatitjes së projekteve të strukturuara për t’i përthithur ato.

“Unë mund t’ju them me plot gojën që sot çështja e financimeve të projekteve, që secili ka dhe të punëve që secili do të bëjë nuk është problem në aspektin financiar, në aspektin e parave, sepse paratë janë, por ajo që është problem është mungesa e informacionit dhe mungesa e përgatitjes për t’i thithur ato para. Ne kemi vënë në dispozicion të bujqësisë 250 milionë euro që mund të shkojnë edhe 1 miliardë në rast se do të konsumohen përmes Bankës së Shqipërisë në bankat e nivelit të dytë, ku të gjithë mund të shkojnë dhe të marrin kredi që janë me garanci nga shteti dhe ku normat e interesit janë shumë më të ulëta sesa në bankat e nivelit të dytë ku shkohet jashtë kësaj garancie. Sa është shfrytëzuar kjo garanci? Shumë pak! Pse? Se ju s’keni nevojë? Jo. Ju keni nevojë, por sepse për ta shfrytëzuar këtë garanci duhet një përgatitje, një përgatitje e një dosje për t’ju drejtuar bankës dhe për t’iu thënë “ja çfarë kam unë plan të bëj, ja pse kjo që unë do bëj sjell fitim dhe ja të gjitha arsyet pse ju duhet të më mbështesni.” – u shpreh Kryeministri Rama.

Ai inkurajoi fermerët që të bashkëpunojnë mes tyre dhe me pushtetin vendor për krijimin e strukturave të përbashkëta, veçanërisht në agropërpunim, grumbullim dhe logjistikë, si mënyra për të rritur vlerën e shtuar të produkteve bujqësore dhe për të qenë më konkurrues në tregun vendas dhe atë europian. Kryeministri theksoi ndwr tw tjera, rëndësinë e përgatitjes që sot për standardet e sigurisë ushqimore të Bashkimit Europian, në kuadër të procesit të integrimit.

Dëgjesat do të vijojnë edhe në qarqe të tjera të vendit, si pjesë e një procesi të hapur konsultimi për ndërtimin e Skemës Kombëtare të Mbështetjes 2026, e cila synon të mbështesë zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë dhe rritjen e të ardhurave të fermerëve shqiptarë.