Nuk ka rritje të çmimit të barnave të rimbursueshme

Pas akuzave se çmimet për ilaçet e rimbursueshme janë ndryshuar pa njoftuar paraprakisht depot farmaceutike dhe farmacitë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale sqaron se ndryshimi i çmimit është bërë brenda afateve ligjore, konkretisht me afatin e fundit në dhjetor të vitit 2025 dhe më pas lista i është përcjellë zyrtarisht Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore (AKBPM) dhe Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSKDSH).

Ministria njofton se barnat që ndodhen aktualisht në qarkullim në treg janë të pajisura me pullën e çmimit të viteve të mëparshme, ndërsa pulla për listën e çmimeve të barnave për vitin 2026 do të ketë çmimin e ri, i cili është më i ulët se viti i kaluar.