Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale mohon çdo përfshirje në skemën e mashtrimit për trajtime jashtë vendit

Në përgjigje të rastit të publikuar në emisionin investigativ “Stop” në Tv Klan, rreth një skeme mashtrimi ku qytetarëve iu është premtuar lidhje me Ministrinë e Shëndetësisë për kurimin jashtë vendit në këmbim të 35 mijë eurove, duke përdorur emrat e ish-ministres Albana Koçiu dhe ministres aktuale të shëndetësisë Evis Sala, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale deklaron distancim të plotë dhe të prerë.

Ministria konfirmon se numrat e telefonit dhe adresat e email-it të paraqitura si “zyrtare”, të përdorura nga shtetasja O. H, nuk kanë qenë dhe nuk janë në përdorim nga Ministria. Gjithashtu sqaron se nuk ka pasur asnjë komunikim shkresor apo telefonik të kësaj shtetaseje me Ministren, Prof. Evis Sala, apo me Zëvendësministren, Asc. Prof. Eugena Tomini.

MSHMS sqaron se kuadri ligjor në fuqi përcakton qartë procedurat administrative që duhet të ndiqen për transferimin e pacientëve jashtë vendit për arsye shëndetësore, si dhe për rimbursimin e trajtimeve shëndetësore jashtë vendit.

Ministria nuk përdor dhe nuk autorizon asnjë formë ndërmjetësimi apo komunikimi jozyrtar, si rasti në fjalë apo raste të ngjashme dhe u bën thirrje qytetarëve që të ndjekin vetëm rrugët zyrtare të komunikimit për çdo shqetësim shëndetësor apo kërkesë për trajtim.