Kumbaro: 7 milionë euro për kërkimin shkencor dhe inovacionin, hapen thirrjet për projektet e vitit 2026

Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit ka hapur thirrjet për projektet e kërkimit shkencor dhe zhvillimit, teknologjisë dhe inovacionit, si edhe për infrastrukturën e kërkimit, në kuadër të Programeve Kombëtare dhe Ndërkombëtare për vitin 2026. Nisma u jep mundësi universiteteve, njësive kërkimore dhe studiuesve të përcaktojnë piketat e projekteve të ardhshme dhe të forcojnë kapacitetet shkencore në vend.

Ministria e Arsimit ka vënë në dispozicion 7 milionë euro për mbështetjen e kërkimit shkencor dhe inovacionit, një fond që synon të rrisë cilësinë e projekteve dhe të ofrojë mbështetje konkrete për komunitetin akademik.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, e pranishme në një aktivitet informues me rektorë, dekanë dhe pedagogë, theksoi se sfida kryesore mbetet jo vetëm sigurimi i financimeve, por edhe përdorimi i tyre me efikasitet dhe rezultate të matshme. Sipas saj, ky vit do të shërbejë si një periudhë reflektimi dhe vlerësimi të thelluar për cilësinë e aplikimeve, frymën inovative të projekteve dhe mënyrën se si administrohen fondet publike për kërkimin shkencor dhe inovacionin.

Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, Prof. Dr. Xheladin Draçini, e cilësoi hapjen e thirrjeve një instrument të rëndësishëm për zhvillimin e arsimit të lartë dhe avancimin e kërkimit shkencor. Ai veçoi projektin për infrastrukturën laboratorike të Departamentit të Farmacisë si një hap drejt modernizimit të laboratorëve dhe rritjes së kapaciteteve kërkimore, duke theksuar se investimet në infrastrukturën akademike nxisin bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, duke kontribuuar në afrimin me standardet evropiane.