Miratohet amnistia penale, 447 të burgosur lirohen dhe 853 përfitojnë ulje dënimi

Qeveria miratoi amnistinë penale, e cila parashikon lirimin e menjëhershëm të 447 personave dhe ulje dënimi për 853 të dënuar, ndërsa mijëra të tjerë përfitojnë nga masa të tjera lehtësuese.

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, bëri të ditur pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave se, sipas të dhënave të koordinuara me institucionet e drejtësisë, edhe 5077 persona të dënuar me masa alternative do të amnistohen, ndërsa rreth 14 mijë procedime penale për vepra të lehta do të pushohen duke nisur nga viti 2024. Mes përfituesve ka gra, të mitur dhe shtetas të huaj.

“Përveçse një akt i qartë human dhe një mundësi e dytë për rehabilitim dhe riintegrim, ky është një hap konkret që ul presionin e popullimit të burgjeve dhe për të fokusuar drejtësinë aty ku rreziku shoqëror është real. Nuk bëhet fjalë për tolerancë ndaj krimit, por për një qasje të matur që synon riintegimin dhe përdorimin më efikas të drejtësisë penale teksa ne po punojmë për të ulur përdorimin e panevojshëm të paraburgimit, në përputhje me shqetësimet e drejta të ngritura nga Këshilli i Evropës si dhe standardet evropiane,” u shpreh ministri.

Nga kjo amnisti nuk përfitojnë subjektet që hetohen apo gjykohen nga Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Projektligji do të depozitohet në Kuvend për shqyrtim në komisionet parlamentare dhe më pas pritet të kalojë për miratim në seancë plenare, në mënyrë që masat të hyjnë në fuqi sa më shpejt.