Ministri Jaupaj: Përfundon faza e parë e reformës së mbetjeve, drejt fazës së investimeve

Reforma e menaxhimit të integruar të mbetjeve ka hyrë në një fazë të re, atë të investimeve konkrete, me fokus ekonominë qarkulluese dhe përmbushjen e standardeve evropiane të Kapitullit 27 për mjedisin dhe ndryshimet klimatike.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, në një konferencë për shtyp, ku u prezantua ecuria e reformës dhe projektet që nisin këtë vit, deklaroi se në fillim të vitit 2026 është përmbyllur faza e parë e reformës së mbetjeve, e prezantuar në shtator 2025, e cila u mbështet në tre shtylla kryesore tashmë të realizuara: miratimin e ligjit të ri për menaxhimin e integruar të mbetjeve, ligjin për përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit dhe krijimin e Operatorit të Trajtimit të Mbetjeve, AKEM sh.a., me kapital 100% shtetëror.

Ligji i ri për menaxhimin e integruar të mbetjeve përditëson kuadrin ligjor dhe vendos rregulla të reja për planifikim afatgjatë dhe trajtim më efikas, në përputhje me parimet e ekonomisë qarkulluese dhe standardet e Bashkimit Evropian. Ndërkohë, ligji për përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit detyron prodhuesit dhe importuesit, veçanërisht në sektorin e plastikës, të marrin përgjegjësi për produktet e tyre deri në fund të ciklit të jetës.

AKEM do të udhëheqë investimet dhe do të garantojë standard të njëjtë të trajtimit fundor të mbetjeve në të gjithë vendin, ndërsa bashkitë do të vijojnë të jenë përgjegjëse për menaxhimin e mbetjeve në territorin e tyre. Trajtimi fundor në landfille dhe inceneratorë do të kryhet nga operatori shtetëror.

Me përfundimin e fazës së parë, reforma kalon tani në zbatimin e investimeve. Shqipëria është ndarë në 10 zona të menaxhimit të mbetjeve dhe për secilën prej tyre është hartuar një plan investimi. Gjatë këtij viti po përgatiten projektet e zbatimit për zgjerimin e katër landfilleve rajonale, ndërtimin e shtatë landfilleve për mbetje inerte, 17 stacione transferimi, 10 stacione rikuperimi të mbetjeve, 5 qendra kompostimi në bashki me karakter bujqësor, si dhe rehabilitimin e 49 venddepozitimeve ekzistuese ilegale në të gjithë vendin.

Projektet pritet të nisin zbatimin në vitin 2027 dhe po hartohen në bashkëpunim me qeverinë gjermane, qeverinë franceze dhe Komisionin Evropian, ndërsa financimi është siguruar përmes marrëveshjeve bilaterale dhe atyre me BE-në.

Për tre zonat kryesore Tiranë-Durrës, Fier dhe Elbasan, që përfaqësojnë rreth 65% të mbetjeve urbane në vend, ka nisur një bashkëpunim i posaçëm me partnerët francezë për studime fizibiliteti, me qëllim ndërtimin e modeleve më efikase të trajtimit të mbetjeve.

Paralelisht, në disa zona do të nisë që këtë vit dorëzimi i bazës materiale. Në zonat e mbetjeve Berat, Tiranë-Durrës dhe Dibër parashikohet shpërndarja e rreth 5 mijë kontenierëve, përfshirë ata për ndarjen në burim, si dhe 40 automjete për transportin e mbetjeve.

Ministri evidentoi gjithashtu shembujt e bashkive Berat dhe Përmet si modele të ekonomisë qarkulluese, ku diferencimi i mbetjeve ka sjellë edhe të ardhura. Në Berat është realizuar shitja e 8 tonëve mbetje plastike për riciklim.

Një tjetër komponent kyç i reformës është transferimi i pikave fundore të trajtimit të mbetjeve nga bashkitë tek AKEM, proces që ka nisur dhe pritet të zgjasë rreth gjashtë muaj. Sipas ministrit, ky është një proces i domosdoshëm për krijimin e një sistemi të unifikuar dhe efikas të menaxhimit të mbetjeve.