Kryeministri Rama: Një dekadë reformash për një sistem shërbimesh sociale dinjitoze

Shërbimet e reja sociale për qytetarët të prezantuara sot, si pjesë e Fondit Social 2026, synojnë forcimin e rrjetit të përkujdesjes sociale për kategoritë më në nevojë dhe përbëjnë një tjetër hap konkret në transformimin e sistemit të mbështetjes dhe shërbimeve sociale në vend.

Kryeministri Rama i cili ishte i pranishëm në eventin prezantues, të 14 shërbimeve të reja sociale e cilësoi reformën e shërbimeve sociale si një nga transformimet më të thella të dekadës së fundit, duke theksuar se sot Shqipëria mbështet rreth 65 mijë individë, përmes një sistemi të organizuar institucionesh, pikash shërbimi dhe mekanizmash përkujdesjeje, si në nivel qendror ashtu edhe vendor. Ai rikujtoi se kjo reformë nisi në kushte të vështira, me borxhe të konsiderueshme të trashëguara ndaj familjeve në ndihmë ekonomike dhe personave me aftësi ndryshe, të cilat u adresuan paralelisht me ndërtimin e një qasjeje të re, të bazuar në vizion dhe përgjegjësi sociale.

“Që sot Shqipëria kujdeset në mënyrë të posaçme për 65 mijë individë është diçka shumë domethënëse dhe nuk janë 65 mijë individë që i prek një sistem financimi, por janë 65 mijë individë, të cilët prek një sistem i organizuar institucionesh, pikash shërbimi, kujdestarësh e kështu me radhë.” – u shpreh Kryeministri teksa vijoi se “Përpjekja nisi në kushte tejet të vështira, me një borxh të akumuluar dhe dhjetëra, e dhjetëra miliona eurosh ndaj personave me aftësi ndryshe dhe ndaj familjeve me ndihmë ekonomike. Ishte një borxh i madh në malin e borxheve të trashëguara që u desh adresuar me shumë përpjekje, me reforma dhe me masa këmbëngulëse.”

Një nga risitë më të rëndësishme të këtij procesi, sipas Kryeministrit, është shtrirja e shërbimeve sociale në nivel vendor dhe përfshirja aktive e bashkive, si garanci për qëndrueshmërinë dhe eficiencën e tyre. Kryeministri nënvizoi se decentralizimi i shërbimeve dhe bashkëpunimi i ngushtë me pushtetin vendor janë kyçe për ta çuar reformën përpara, jo vetëm në aspektin sasior, por mbi të gjitha në cilësinë e jetës që këto shërbime ofrojnë.

Duke u ndalur te dimensioni njerëzor i përkujdesjes sociale, Kryeministri theksoi rëndësinë e përfshirjes së familjeve në këtë sistem, veçanërisht për fëmijët pa kujdes prindëror, të cilët kanë nevojë, jo vetëm për strehë, por për një ambient me ngrohtësi familjare.
Ndër të tjera, Kryeministri kërkoi krijimin e mekanizmave të posaçëm financiarë, në bashkëpunim me bashkitë, për të inkurajuar këtë model përkujdesjeje.

Kryeministri vuri në dukje se buxheti për shërbimet sociale është rritur ndjeshëm ndër vite, duke u gjashtëfishuar krahasuar me fillimin e reformës dhe duke shënuar një rritje prej 17% vetëm këtë vit, por theksoi se rritja e fondeve duhet të shoqërohet me thellimin e decentralizimit dhe përmirësimin e standardeve të jetesës në institucionet e përkujdesjes. Si shembull, ai përmendi procesin e transformimit të Shtëpisë së Fëmijëve “Zyber Hallulli” në Tiranë, si një model që synon krijimin e hapësirave komunitare me kushte dhe cilësi dinjitoze.

Në mbyllje, Kryeministri Rama vlerësoi mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe të UNICEF-it, duke theksuar se strategjia shqiptare në fushën e shërbimeve sociale është ndër më të avancuarat në rajon, falë ndërveprimit të vazhdueshëm me Komisionin Evropian dhe procesit të negociatave për anëtarësim. “Na ka ndihmuar shumë ndërveprimi me Komisionin Evropian dhe na ka ndihmuar shumë procesi i negociatave për anëtarësim.

Ky është një rast tipik konkret për të kuptuar rëndësinë e negociatave të anëtarësimit, jo thjesht si provime që duhen kaluar për të arritur më në fund për t’u ulur ne tryezën e BE, por si momente që përcaktojnë rritjen e nivelit të cilësisë në çdo sektor ku ato momente prekin këtë ndërveprim me BE.” – u shpreh Kryeministri Rama.