Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 11 Shkurt 2026 

V E N D I M

PËR

 
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.419, DATË 26.6.2024, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E VLERAVE PËR SECILIN ELEMENT PËRBËRËS TË PAGËS BRUTO MUJORE TË PUNONJËSVE TË SHËRBIMIT TË MBROJTJES NGA ZJARRI DHE SHPËTIMIN”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjave “a” dhe “b”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të ndryshuar, dhe të pikave 1, shkronja “a”, e 2, të nenit 31, të ligjit nr.152/2015, “Për Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

 

1. Lidhja nr.1, e vendimit nr.419, datë 26.6.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e vlerave për secilin element përbërës të pagës bruto mujore të punonjësve të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin”, zëvendësohet me lidhjen me të nëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Vlerat e elementit “paga për gradë” në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, janë rezultat i indeksimit në masën 2.5% dhe i politikës së rritjes së pagave për punonjësit me gradën “Asistent zjarrfikës”, “Zjarrfikës”, “Kryezjarrfikës”, “Nënkomisar zjarrfikës” dhe “Komisar zjarrfikës” si dhe rezultat i indeksimit në masën 2.5% për gradat e tjera.

3. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi për vitin 2026, përballohen nga buxheti i institucioneve përkatëse, të miratuara në ligjin nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”. Për njësitë e vetëqeverisjes vendore përballohen nga transferta e miratuar në ligjin nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, si dhe nga të ardhurat e veta të njësive të vetëqeverisjes vendore.

4. Ngarkohen institucionet, pjesë e fushës së veprimit të këtij vendimi, për zbatimin e tij.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2026.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*
V E N D I M
PËR 

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.328, DATË 31.5.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KLASIFIKIMIN E FUNKSIONEVE, GRUPIMIN E NJËSIVE TË VETËQEVERISJES VENDORE, PËR EFEKT PAGE, DHE CAKTIMIN E KUFIJVE TË PAGAVE TË FUNKSIONARËVE TË ZGJEDHUR E TË EMËRUAR, TË NËPUNËSVE CIVILË E TË PUNONJËSVE ADMINISTRATIVË TË NJËSIVE TË VETËQEVERISJES VENDORE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 8, pika 2, shkronjat “a”, “b” e “ç”, dhe 9, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, dhe të neneve 54 e 77, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.328, datë 31.5.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për klasifikimin e funksioneve, grupimin e njësive të vetëqeverisjes vendore, për efekt page, dhe caktimin e kufijve të pagave të funksionarëve të zgjedhur e të emëruar, të nëpunësve civilë e të punonjësve administrativë të njësive të vetëqeverisjes vendore”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:

a) Pika 11 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“11. Kufijtë e pagave bazë të punonjësve administrativë të njësive të vetëqeverisjes vendore janë nga 50 000 – 57 000 lekë në muaj.”.

b) Lidhjet nr.1, nr.2, nr.3, nr.4, nr.5, nr.6, nr.7 dhe nr.8, bashkëlidhur  vendimit, zëvendësohen me lidhjet me të njëjtët numra dhe tituj, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.

2. Vlerat e:

a) kufijve maksimalë të elementit “Pagë për pozicion” për klasat III-1,  III-2, III-3, IV-1, IV-2, IV-3 dhe IV-4, në lidhjet nr.2, nr.3, nr.4, nr.5, nr.6 dhe nr.7, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, dhe vlerat e pikës 11, të ndryshuar, janë rezultat i indeksimit në masën 2.5% dhe i politikës së rritjes së pagave;
b) kufijve minimalë e maksimalë në lidhjet nr.1 dhe nr.2, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, janë rezultat i indeksimit në masën 2.5%;
c) kufijve minimalë e maksimalë të elementit “Pagë për pozicion” për klasat I-2, I-3, I-4, I-5, II-1 dhe II-2, në lidhjet nr.2, nr.3, nr.4, nr.5, nr.6 dhe nr.7, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, janë rezultat i indeksimit në masën 2.5%.
3. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i  këtij vendimi për vitin 2026, përballohen nga transferta e akorduar për njësitë e vetëqeverisjes vendore, miratuar në ligjin nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, si dhe nga të ardhurat e veta të njësive të vetëqeverisjes vendore.
4.  Ngarkohen njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2026.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

*
V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.324, DATË 31.5.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E PAGAVE TË PUNONJËSVE TË PERSONELIT SHQIPTAR TË MISIONEVE DIPLOMATIKE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË SHTETET E HUAJA, NË PËRFAQËSITË USHTARAKE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PRANË NATO-S, NË ORGANIZATAT NDËRKOMBËTARE DHE NË SHTABET USHTARAKE NDËRKOMBËTARE, SI DHE TË PUNONJËSVE TË TJERË SHQIPTARË PËR KOHËN QË SHËRBEJNË SI NËPUNËS NDËRLIDHËS, SI OFICERË KONTAKTI, SI PËRFAQËSUES TË MINISTRISË PËRGJEGJËSE PËR BUJQËSINË DHE SI PROKUROR NDËRLIDHËS PRANË EUROJUST NË HAGË, HOLANDË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjave “a” dhe “b”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, dhe të neneve 31, pika 2, e 53, pikat 1 e 3, të ligjit nr.23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.324, datë 31.5.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e pagave të punonjësve të personelit shqiptar të misioneve diplomatike të Republikës së Shqipërisë në shtetet e huaja, në përfaqësitë ushtarake të Republikës së Shqipërisë pranë NATO-s, në organizatat ndërkombëtare dhe në shtabet ushtarake ndërkombëtare, si dhe të punonjësve të tjerë shqiptarë për kohën që shërbejnë si nëpunës ndërlidhës, si oficerë kontakti, si përfaqësues të ministrisë përgjegjëse për bujqësinë dhe si prokuror ndërlidhës pranë EUROJUST në Hagë, Holandë”, bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:

a) Titulli i vendimit ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Për përcaktimin e pagave të punonjësve të personelit shqiptar të misioneve diplomatike të Republikës së Shqipërisë në shtetet e huaja, në përfaqësitë ushtarake të Republikës së Shqipërisë pranë NATO-s, në organizatat ndërkombëtare dhe në shtabet ushtarake ndërkombëtare, si dhe të punonjësve të tjerë shqiptarë, përfaqësues të ministrive përgjegjëse për fusha të ndryshme, për kohën që shërbejnë si nëpunës ndërlidhës, si oficerë kontakti, si nëpunës të sekonduar, si prokuror ndërlidhës pranë EUROJUST-it në Hagë, Holandë, dhe si oficer ndërlidhës i Byrosë Kombëtare të Hetimit pranë EUROPOL-it apo SELEC-it.”.

b) Në shkronjën “dh”, të pikës 1, pas fjalëve “… pranë qendrës SECI …” shtohen “… si dhe punonjësit e Agjencisë së Inteligjencës Financiare, për kohën që shërbejnë si “nëpunës të sekonduar”, në pozicionin “menaxher projekti”, në Divizionin e Moneyval-it dhe rikuperimin e aseteve kriminale, në sekretariatin e Komitetit Moneyval, në Strasburg …”;
c) Pas shkronjës “e”, të pikës 1, shtohet shkronja “ë”, me këtë përmbajtje:

“ë) Hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit, që caktohet si oficer ndërlidhës pranë EUROPOL-it apo SELEC-it.”.

ç) Pika 5 shfuqizohet;
d) Pas pikës 12 shtohet pika 12/1, me këtë përmbajtje:

“12/1. Paga bruto mujore e punonjësve, të përcaktuar në shkronjën “ë”, të pikës 1, të këtij vendimi, është e barabartë me pagën mujore bruto të pozicionit që hetuesi ka mbajtur në momentin e emërimit si “oficer ndërlidhës i Byrosë Kombëtare të Hetimit pranë EUROPOL-it apo SELEC-it.”.

dh) Pas pikës 13 shtohet pika 13/1, me këtë përmbajtje:

“13/1. Përveç pagës bruto mujore, të përcaktuar në pikën 12/1, të këtij vendimi, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, që caktohen si oficer ndërlidhës pranë EUROPOL-it apo SELEC-it, përfitojnë edhe kompensimin për koston e jetesës, në masën:

a) 280 (dyqind e tetëdhjetë) euro në muaj, kur është caktuar pranë EUROPOL-it;
b) 180 (njëqind e tetëdhjetë) euro në muaj, kur është caktuar pranë SELEC-it.”.

e) Pika 14 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“14. Trajtimi me pagë dhe kompensim për koston e jetesës, sipas këtij vendimi, për punonjësit e përcaktuar në shkronjat “e” dhe “ë”, të pikës 1, të këtij vendimi, fillon nga data e fillimit të detyrës, përkatësisht pranë EUROJUST-it, EUROPOL-it apo SELEC-it.”.

ë) Pika 17 shfuqizohet;
f) Lidhjet nr.1, nr.2, nr.3, nr.4, nr.5 dhe nr.7 zëvendësohen me lidhjet me të njëjtët numra dhe tituj, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.

2. Vlerat e elementeve të pagave, të përcaktuara në lidhjet nr.1, nr.2, nr.3, nr.4 dhe nr.5, të këtij vendimi, janë rezultat i indeksimit në masën 2.5%.

3. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi:

a) Për parashikimet në shkronjat “b”, “c”, “d”, “dh” dhe “e”, të këtij vendimi, fillojnë nga momenti i emërimit të punonjësve në detyrë dhe përballohen nga fondet e miratuara për Byronë Kombëtare të Hetimit, si dhe nga fondet e Agjencisë së Inteligjencës Financiare;
b) Për parashikimin në shkronjat “ç” dhe “f”, të këtij vendimi, shtrihen nga data 1 janar 2026 dhe përballohen nga buxheti i institucioneve përkatëse, të miratuara në ligjin nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026.

4. Ngarkohen institucionet, pjesë e fushës së veprimit të këtij vendimi, për zbatimin e tij.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*
V E N D I M
PËR

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.586, DATË 30.8.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PUNËSIMIN E PËRKOHSHËM TË STUDENTËVE TË EKSELENCËS NË INSTITUCIONET E ADMINISTRATËS SHTETËRORE”, TË NDRYSHUAR

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Pas pikës 2/3, të kreut III, të vendimit nr.586, datë 30.8.2019, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet pika 2/4, me këtë përmbajtje:

“2/4. Përjashtimisht për vitin 2026, për studentët e ekselencës të punësuar me kontratë të përkohshme 1-vjeçare në institucionet e administratës shtetërore, sipas procedurave të thirrjes së publikuar në dhjetor 2024, afati i kontratës së tyre të shtyhet deri në përfundim të procedurave të punësimit, sipas legjislacionit specifik, që rregullon marrëdhënien e punës në këto institucione.”.

2. Ngarkohen Departamenti i Administratës Publike dhe institucionet e administratës shtetërore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*
V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E KRITEREVE DHE TË PROCEDURAVE PËR DHËNIEN E STATUSIT “QENDËR EKSELENCE” 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 22, të ligjit nr.109/2024, “Për shkencën dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përcaktimin e kritereve dhe të procedurave për dhënien e statusit “qendër ekselence” instituteve dhe njësive të veçanta të kërkimit shkencor për rezultate të spikatura në nivel kombëtar ose ndërkombëtar në fushën e kërkimit apo për zhvillimin e kërkimit shkencor në fusha prioritare.

2. Statusi “qendër ekselence” jepet me afat të përkohshëm ose të përhershëm për institutet dhe njësitë e veçanta të kërkimit shkencor, që zhvillojnë kërkim shkencor në fusha prioritare, si më poshtë vijon:

a) Për rezultate të spikatura në nivel kombëtar, statusi jepet për një periudhë 5- (pesë-) vjeçare me të drejtë rinovimi;
b) Për rezultate të spikatura në nivel ndërkombëtar, në kuadër të pjesëmarrjes në projekte ndërkombëtare me kohëzgjatje jo më pak se 3 (tre) vjet, statusi jepet i përhershëm.

3. Për të fituar statusin “qendër ekselence”, instituti ose njësia e veçantë e kërkimit shkencor duhet të përmbushë kriteret e mëposhtme:

a) Të jetë e regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Institucioneve, Instituteve, Njësive të Veçanta të Kërkimit Shkencor dhe Kërkuesve Shkencorë;
b) Të plotësojë kriteret shkencore dhe bibliometrike, si më poshtë vijon:

i. Të kryejë veprimtari të kërkimit shkencor në një nga fushat prioritare ose të ketë rezultate të spikatura në nivel kombëtar ose ndërkombëtar në fushën e kërkimit;
ii. Të ketë publikuar të paktën 3 (tri) botime ose artikuj shkencorë në vit, në revista ndërkombëtare të indeksuara ose në revista kombëtare të kategorive A ose B;
iii. Të ketë të paktën 1 (një) projekt kërkimor në zbatim, financuar nga programi kuadër i Bashkimit Evropian për kërkimin shkencor dhe inovacionin dhe të paktën 3 (tri) projekte të financuara nga programet kombëtare të kërkimit shkencor dhe të inovacionit;
iv. Të ketë marrëveshje bashkëpunimi shkencor me partnerë ndërkombëtarë ose kombëtarë.

c) Të plotësojë kriteret në burime njerëzore, si më poshtë vijon:

i. Të ketë të paktën 1 (një) drejtues kërkimor-shkencor;
ii. Të ketë procedura dhe mekanizma të miratuar me vendim të organeve drejtuese për sigurimin e barazisë gjinore dhe mbështetjen e zhvillimin e kërkuesve të rinj.

ç) Të plotësojë kriteret infrastrukturore, si më poshtë vijon:

i. Të ketë infrastrukturë kërkimore dhe të përfshijë zgjidhjet më të mira teknologjike të disponueshme;
ii. Të disponojë bibliotekë (fizike ose digjitale) me një fond bashkëkohor të literaturës në fushën specifike të kërkimit shkencor;
iii. Të ketë revistë shkencore kombëtare të indeksuar në kategorinë A;
iv. Të ketë procedura të miratuara me vendim të organeve drejtuese për përdorimin e hapur të laboratorëve, të pajisjeve të veçanta ose të bibliotekës.

d) Të plotësojë kriteret administrative dhe të transparencës, si më poshtë vijon:

i. Të ketë strukturën e nevojshme administrative për veprimtarinë e “qendrës së ekselencës”;
ii. Të ketë një projektpropozim të miratuar me vendim të organeve drejtuese;
iii. Të ketë procedura dhe mekanizma, për zbatimin e kodit të etikës dhe sigurimin e shkencës së hapur, miratuar me vendim të organeve drejtuese.

dh) Të plotësojë kriteret e ndikimit në shoqëri dhe inovacion, duke ofruar përfitime për komunitetin, industrinë dhe politikat publike, duke pasur të paktën 1 (një) patentë ose 1 (një) marrëveshje bashkëpunimi me industrinë për një produkt ose proces inovativ.

4. Për përfitimin e statusit “qendër ekselence” zbatohet procedura e mëposhtme:

a) Kërkesa për përfitimin e statusit “qendër ekselence” bëhet në ministrinë përgjegjëse për çështjet e shkencës e të kërkimit shkencor, nëpërmjet portalit “e-Albania”, e shoqëruar me:

i. dokumentacionin që provon përmbushjen e kritereve të përcaktuara në pikën 3 të këtij vendimi;
ii. raportin e fundit të auditit financiar;
iii. planin strategjik për zhvillimin e “qendrës së ekselencës”.

b) Ministria përgjegjëse për çështjet e shkencës dhe të kërkimit shkencor ngre, për çdo kërkesë për përfitimin e statusit “qendër ekselence”, komisionin e posaçëm të vlerësimit për dhënien e statusit “qendër ekselence” me 5 (pesë) anëtarë, me këtë përbërje:

i. 2 (dy) përfaqësues të ministrisë përgjegjëse për çështjet e shkencës dhe të kërkimit shkencor, të cilët u përkasin strukturave përgjegjëse për kërkimin shkencor;
ii. 1 (një) përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, i cili i përket strukturës së vlerësimit të projekteve të kërkimit shkencor;
iii. 2 (dy) ekspertë të pavarur të zgjedhur nga lista e ekspertëve të Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, që zotërojnë titull akademik dhe janë me përvojë në fushën e veprimtarisë që mbulon instituti apo njësia e veçantë e kërkimit shkencor që ka kërkuar dhënien e statusit “qendër ekselence”.

c) Komisioni i posaçëm i vlerësimit për dhënien e statusit “qendër ekselence” ka këto përgjegjësi:

i. Ushtron kontrollin administrativ të dokumentacionit;
ii. Verifikon përmbushjen e kritereve të përcaktuara në këtë vendim brenda 7 (shtatë) ditëve dhe, në rast të mungesës së dokumentacionit, i kërkon subjektit kërkues plotësimin e tij brenda 10 (dhjetë) ditëve;
iii. Harton raportin për rezultatet e vlerësimit dhe rekomandimin për dhënien ose mosdhënien e statusit “qendër ekselence”, duke specifikuar periudhën 5- (pesë-) vjeçare ose me afat të përhershëm;
iv. Të qëndrojë në detyrë deri në dorëzimin e raportit të vlerësimit ministrit përgjegjës për çështjet e shkencës e të kërkimit shkencor.

ç) Ministri përgjegjës për çështjet e shkencës dhe të kërkimit shkencor, bazuar në raportin e komisionit të vlerësimit, vendos refuzimin ose miratimin e propozimit për dhënien e statusit “qendër ekselence” dhe ndjek procedurat për miratimin e projektvendimit në Këshillin e Ministrave;
d) Subjekti, të cilit i është refuzuar kërkesa për dhënien e statusit “qendër ekselence”, ka të drejtën e ankimit brenda 30 (tridhjetë) ditëve pranë ministrisë përgjegjëse për çështjet e shkencës e të kërkimit shkencor, në përputhje me përcaktimet e Kodit të Procedurave Administrative.

5. Procedura e aplikimit sipas këtij vendimi, nëpërmjet portalit unik qeveritar “e-Albania”, zbatohet pasi ministria përgjegjëse për çështjet e shkencës e të kërkimit shkencor të publikojë në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare përfundimin e zhvillimeve teknike për realizimin e procedurës në Sistemin Shqiptar të Informacionit të Kërkimit Shkencor (ACRIS).

6. Kërkesa për përfitimin e statusit “qendër ekselence” së bashku me dokumentacionin paraqiten në formë të shkruar pranë ministrisë përgjegjëse për shkencën e kërkimin shkencor, duke ndjekur procedurën administrative të përcaktuar në këtë vendim, deri në momentin e implementimit e të funksionalitetit të Sistemit Shqiptar të Informacionit të Kërkimit Shkencor (ACRIS).

7. Ngarkohen ministria përgjegjëse për çështjet e shkencës e të kërkimit shkencor, Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, si dhe institutet e njësitë e veçanta të kërkimit shkencor për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*
V E N D I M
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.681, DATË 2.9.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MËNYRËN E KRIJIMIT, TË ORGANIZIMIT E TË FUNKSIONIMIT TË AGJENCISË KOMBËTARE TË RINISË (AKR)”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 8, të ligjit nr.75/2019, “Për rininë”, të ndryshuar, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Turizmit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në vendimin nr.681, datë 2.9.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e krijimit, të organizimit dhe funksionimit të Agjencisë Kombëtare të Rinisë (AKR)”, bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:

1. Në pikën 4, të kreut III, bëhen këto shtesa:

a) Në shkronjën “d”, pas fjalëve “… për të rinjtë …” shtohen “… bashkive dhe grupeve joformale rinore;”;
b) Pas shkronjës “d” shtohet shkronja “d/1”, me këtë përmbajtje:

“d/1) Zbaton programin e talenteve rinore, publikon dhe promovon thirrjet për aplikim, menaxhon procesin e përzgjedhjes dhe akordon mbështetjen financiare për të rinjtë, përfitues në program;”.

c) Në shkronjën “ë”, pas fjalëve “… jep informacion ndaj të rinjve …” shtohen “… dhe grupeve joformale rinore …”;

ç) Në shkronjën “f”, pas fjalëve “… organizatat rinore dhe/ose për të rinjtë, …” shtohen “… dhe grupet joformale rinore …”;
d) Në shkronjën “i”, pas fjalëve “… vendase apo të huaj …” shtohen “… individ dhe grup joformal rinor …”;
dh) Në shkronjën “j”, pas fjalëve “… monitoron zbatimin e projekteve …” shtohen “… dhe programeve për të rinjtë …”;
e) Në shkronjën “o”, pas fjalëve “… organizatat për të rinjtë …” shtohen “… dhe grupet joformale rinore …”;
ë) Pas shkronjës “o” shtohen shkronjat “o/1” dhe “o/2”, me këtë përmbajtje:

“o/1) Mbulon shpenzimet e veprimtarisë së Këshillit Kombëtar të Rinisë (KKR);
o/2) Mbulon shpenzimet për trajtimin ushqimor dhe trajnimin e të rinjve, që përfshihen në periudhën 3-mujore të praktikës, në kuadër të thirrjes vjetore të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës (PKPP);”.

2. Në pikën 7, të kreut 3, emërtimi “Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë” zëvendësohet me “Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit”.

II. Ngarkohen Ministria e Kulturës, Turizmit dhe Sportit dhe Agjencia Kombëtare e Rinisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*
V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË GRANTIT DHE PROJEKTIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË (MARRËSI), TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, DHE KORPORATËS ELEKTROENERGJETIKE SHQIPTARE (KESH) (AGJENCIA E ZBATIMIT TË PROJEKTIT) DHE KFW, FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “REHABILITIMI I HIDROCENTRALIT TË FIERZËS”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19 të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes së grantit dhe projektit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (marrësi), të përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) (agjencia e zbatimit të projektit) dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për financimin e projektit “Rehabilitimi i hidrocentralit të Fierzës”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*
V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË GRANTIT SHOQËRUES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË (MARRËSI), TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE,  DHE KORPORATËS ELEKTROENERGJETIKE SHQIPTARE (KESH) (AGJENCIA E ZBATIMIT TË PROJEKTIT) DHE KFW, FRANKFURT AM MAIN (KFW), MASAT SHOQËRUESE PËR PROJEKTIN “REHABILITIMI I HIDROCENTRALIT TË FIERZËS”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes së grantit shoqërues, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (marrësi), të përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) (agjencia e zbatimit të projektit) dhe KfW, Frankfurt am Main (KfW), masat shoqëruese për projektin “Rehabilitimi i hidrocentralit të Fierzës”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*
V E N D I M
PËR

KOMPENSIMIN FINANCIAR TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME QË PREKEN NGA NDËRTIMET E LEGALIZUARA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese, të zëna nga ndërtimet e legalizuara në drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Tiranë Rurale 1, Tiranë Rurale 2, Kamzë-Vorë, Durrës-Kavajë-Krujë, Tiranë Veri, Tiranë Jug, Vlorë, Elbasan, Lezhë, Dibër, Zonat e Stimuluara, Fier dhe Shkodër.

2. Vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 1 089 383 502,2 (një miliard e tetëdhjetë e nëntë milionë e treqind e tetëdhjetë e tre mijë e pesëqind e dy presje dy) lekë, për sipërfaqen 101 752,1 (njëqind e një mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e dy presje një) m², sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

3. Për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken nga ndërtimet e legalizuara, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë me numrat rendorë, sipas kolonës nr.14, të shtojcës nr.1, përkatësisht: nr.10, nr.11, nr.18, nr.19, nr.24, nr.28, nr.38, nr.39, nr.43,  nr.47, nr.49, nr.50, nr.52, nr.53, nr.56, nr.57, nr.62, nr.63, nr.75, nr.80, nr.83, nr.84, nr.85, nr.87, nr.104, nr.112, nr.125, nr.128, nr.132, nr.135, nr.138,  nr.148, nr.152, nr.155, nr.156, nr.159, nr.168, nr.169, nr.170, nr.171, nr.172, nr.188, nr.201, nr.212, nr.219, nr.221, nr.222, nr.223, nr.248, nr.259, nr.269, nr.276, nr.282, nr.294, nr.295, nr.299, nr.304, nr.313, nr.321, nr.322, nr.379, nr.403, nr.408, nr.413, nr.418, nr.419, nr.426, nr.427, nr.428, nr.430, nr.432, nr.433, nr.436, sipas seksionit të veçantë (kolona 19), të shtojcës nr.1, shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, sipas pikave 3 dhe 4, të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.

4. Të ardhurat, që arkëtohen nga drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si rrjedhojë e kalimit të pronësisë nëpërmjet shitjes së parcelës ndërtimore, si për pasuritë shtetërore edhe për pasuritë e të tretëve, në favor të objekteve informale që legalizohen, përdoren për kompensimin e pronarëve.

5. Drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Tiranë Rurale 1, Tiranë Rurale 2, Kamzë-Vorë, Durrës-Kavajë-Krujë, Tiranë Veri, Tiranë Jug, Vlorë, Elbasan, Lezhë, Dibër, Zonat e Stimuluara, Fier dhe Shkodër kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri në regjistrat e pasurive të paluajtshme.

6. Ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA