Lamallari: Drejtësia matet nga trajtimi i viktimave të krimit, prioritet unifikimi i standardeve gjyqësore

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, deklaroi se sistemi i drejtësisë duhet të dëgjojë, mbrojë dhe përkrahë realisht viktimat e krimit, duke theksuar se suksesi i tij matet jo vetëm nga ndëshkimi i autorit, por edhe nga mënyra si trajtohet viktima.

Gjatë hapjes së Javës Ndërgjegjësuese për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit 2026 dhe Forumit Kombëtar me temë “Mbrojtja e Viktimave të Krimit: Një Sistem që Dëgjon, Mbron dhe Përkrah”, ministri vuri theksin te progresi i arritur dhe sfidat që mbeten në zbatimin e kuadrit ligjor. Forumi synon forcimin e mekanizmave institucionalë dhe bashkëpunimit ndërinstitucional për ndërtimin e një sistemi më efektiv dhe gjithëpërfshirës.

Sipas tij, Strategjia Ndërsektoriale për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit 2024-2030 ka sjellë përmirësime në ndërtimin e mekanizmave institucionalë. Gjatë vitit 2024 u shënua progres në zbatimin e masave, ndërsa në gjysmën e parë të vitit 2025 është intensifikuar bashkëpunimi me shoqërinë civile dhe janë shtuar aktivitetet ndërgjegjësuese në disa qytete të vendit.

Ministri ndaloi veçanërisht te sistemi i Ndihmës Juridike Falas, duke theksuar se mijëra viktima, kryesisht gra dhe të mitur, kanë përfituar mbështetje konkrete. Vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 2025 janë trajtuar mbi 5 mijë raste ndihme juridike parësore, ndërsa janë identifikuar qindra viktima dhune që kanë kërkuar asistencë.

Lamallari theksoi se megjithëse ekziston një kuadër i konsoliduar rregullues për trajtimin e viktimave në procedimin penal, sfida kryesore mbetet zbatimi i njëtrajtshëm dhe monitorimi efektiv i tij në praktikë. Sipas tij, mungesa e mekanizmave të strukturuar të monitorimit dhe e indikatorëve të qartë të performancës e vështirëson vlerësimin sistematik të mënyrës se si viktimat informohen, përfshihen dhe mbrohen gjatë procesit penal, duke kufizuar ndërtimin e një qasjeje plotësisht të bazuar në llogaridhënie institucionale.

Ai vlerësoi rolin e strehëzave dhe institucioneve përgjegjëse në parandalimin dhe reagimin ndaj rasteve, por theksoi nevojën për forcim të koordinimit dhe standardizim të praktikave në të gjithë territorin.

Në analizën e tij, ministri theksoi se disa institucione të pavarura të sistemit të drejtësisë përballen ende me sfida, veçanërisht sa i takon mungesës së standardeve të unifikuara për praktika gjyqësore miqësore ndaj viktimave dhe nevojës për monitorim më efektiv të zbatimit në praktikë, duke sqaruar se këto vërejtje synojnë rritjen e përgjegjshmërisë dhe maturimit institucional.

Në përfundim, Lamallari theksoi se mbrojtja efektive e viktimave kërkon angazhim të përbashkët të të gjitha institucioneve dhe aktorëve shoqërorë, duke riafirmuar rolin koordinues dhe monitorues të Ministrisë së Drejtësisë.