Kryeministri Rama: E rëndësishme që AKSHI të vijojë punën dhe misionin në shërbim të qytetarëve
Kryeministri Edi Rama prezantoi sot Drejtorin e ri të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Igli Tafa, në një takim të zgjeruar me stafin e agjencisë, në prani të Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj.
Kryeministri vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të ekipit të AKSHI-t në ndërtimin e revolucionit digjital që e ka shndërruar Shqipërinë në një shembull pozitiv rajonal dhe ndërkombëtar për qeverisjen digjitale, duke theksuar se ky institucion përbën një nga asetet më të rëndësishme të shtetit shqiptar. Ai shprehu mirënjohje të veçantë për ish-drejtoreshën Linda Karçanaj, për përkushtimin dhe rolin e saj vendimtar në transformimin e AKSHI-t dhe zgjerimin e shërbimeve publike online përmes platformës e-Albania.
Kryeministri nënvizoi domosdoshmërinë që puna e AKSHI-t të vijojë pa ndërprerje, pavarësisht sfidave aktuale dhe se institucionet duhet të vazhdojnë misionin e tyre në shërbim të qytetarëve.
“Ky ekip është një nga asetet më të rëndësishme të Republikës së Shqipërisë. Për ne është shumë e rëndësishme që ky institucion të vazhdojë punën, ky institucion të vazhdojë të jetë ai “fari” që orienton të gjithë lëvizjet e anijeve dhe tregon se ku është porti përsa i përket revolucionit dixhital. Dhe unë dua t’u inkurajoj për këtë gjë.” – u shpreh Kryeministri Rama.
Gjatë takimit, Kryeministri Rama njoftoi ndërhyrje në legjislacion për rritje domethënëse të pagave për stafin e AKSHI-t, me synimin që agjencia të mbetet një qendër ekselence dhe tërheqjeje për talentet më të mira të teknologjisë, si dhe të përballojë konkurrencën e fortë të sektorit privat.
Duke prezantuar Drejtorin e ri, Kryeministri vlerësoi përvojën dhe angazhimin e z. Igli Tafa, i cili ka kontribuar në momente kritike për sigurinë dhe qëndrueshmërinë digjitale të vendit, duke theksuar se ai do të drejtojë AKSHI-n si pjesë e ekipit dhe me fokus te vazhdimësia e projekteve strategjike, përfshirë zhvillimet në fushën e inteligjencës artificiale dhe inovacionit digjital.
Në përfundim, Kryeministri Rama i ftoi punonjësit e AKSHI-t të qëndrojnë të bashkuar dhe të fokusuar në objektivat e përbashkëta, duke ritheksuar mbështetjen e plotë të qeverisë për këtë institucion kyç në ndërtimin e së ardhmes digjitale të Shqipërisë.