Spiropali në Ministerialin e Tiranës: Korridori VIII, prioritet strategjik për ndërlidhjen dhe sigurinë në Evropë
Në Tiranë u zhvillua Ministeriali i Korridorit VIII, ku u diskutua avancimi i këtij aksi si bosht kyç për ndërlidhjen evropiane, sigurinë dhe zhvillimin ekonomik të rajonit. Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, mikpriti dhe drejtoi sesionin qendror të takimit, në të cilin morën pjesë Zëvendëskryeministri dhe Ministri për Punët e Jashtme dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar i Italisë, Antonio Tajani; Ministri për Punët e Jashtme dhe Tregtinë e Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timčo Mucunski; Zëvendësministri i Jashtëm i Bullgarisë, Nikolay Pavlov; si dhe Ambasadori i Rumanisë në Tiranë, Octavian Şerban.
Spiropali e cilësoi Korridorin VIII “një domosdoshmëri strategjike” për Evropën Juglindore, duke theksuar se ai është i vetmi aks i plotë lindje-perëndim në rajon, që lidh Adriatikun me Detin e Zi përmes vendeve anëtare të NATO-s, duke i dhënë projektit një dimension të dyfishtë: ekonomik dhe të sigurisë. Ajo nënvizoi rëndësinë e mobilitetit ushtarak dhe ndërveprueshmërisë në kuadër të arkitekturës së sigurisë së krahut jugor të Aleancës.
Ministrja bëri të ditur se Shqipëria disponon një portofol projektesh prioritare me vlerë mbi 2 miliardë euro përgjatë gjurmës së korridorit, përfshirë avancimin e linjës hekurudhore Durrës-Rrogozhinë, nisjen e punimeve drejt Pogradecit, përfundimin e linjës Tiranë-Durrës-Aeroport, si dhe ndërtimin e segmenteve rrugore nga porti drejt kufirit lindor. Në sektorin energjetik, interkonjeksioni 400 kV me Maqedoninë e Veriut është pranë përfundimit.
Një nga mesazhet kryesore të ministerialit ishte nevoja për përfshirjen e plotë të Korridorit VIII në rrjetin bazë ose rrjetin bazë të zgjeruar të Rrjetit Trans-Evropian të Transportit (TEN-T), me qëllim zhbllokimin e financimeve, sinkronizimin e investimeve dhe rritjen e prioritetit politik në nivel evropian. Sipas Spiropalit, pa këtë hap, korridori mbetet strategjikisht i rëndësishëm, por financiarisht dytësor.
Përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse e vlerësuan projektin si prioritet politik, ekonomik dhe të sigurisë për rajonin dhe BE-në, duke theksuar rolin e tij në përshpejtimin e integrimit, forcimin e stabilitetit rajonal dhe rritjen e mobilitetit ushtarak.
Antonio Tajani e cilësoi atë një nismë politike për ribashkimin evropian të Ballkanit dhe një objektiv të përbashkët për ekonominë dhe sigurinë, ndërsa Timčo Mucunski theksoi rolin e tij në përshpejtimin e integrimit në BE dhe në forcimin e stabilitetit rajonal. Nikolay Pavlov nënvizoi rëndësinë politiko-strategjike të ndërlidhjes dhe përfshirjen e korridorit në agjendën evropiane, ndërsa ambasadori rumun Octavian Şerban theksoi dimensionin e mobilitetit ushtarak dhe nevojën për koordinim më të madh për të garantuar reagim të shpejtë dhe siguri të përbashkët në Ballkan.
Diskutimet u fokusuan gjithashtu në harmonizimin e afateve, standardeve teknike dhe procedurave kufitare, si dhe në koordinimin e financimeve nga instrumentet evropiane dhe institucionet financiare ndërkombëtare, me synimin për ta kthyer Korridorin VIII në një arterie funksionale evropiane dhe një instrument konkret për integrimin rajonal.