Vengu në Budapest: Shqipëria dhe Hungaria thellojnë bashkëpunimin në mbrojtje, riafirmohet mbështetja për integrimin evropian të Shqipërisë

Shqipëria dhe Hungaria do të intensifikojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, inovacionit ushtarak dhe sigurisë, ndërsa Budapesti riafirmoi mbështetjen e plotë për integrimin evropian të Shqipërisë. Ky ishte mesazhi kryesor i takimit dypalësh mes Ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu, dhe homologut hungarez, Kristóf Szalay-Bobrovniczky, i shoqëruar me një konferencë të përbashkët për shtyp në Budapest.

Gjatë vizitës zyrtare, palët nënshkruan dy marrëveshje bashkëpunimi: një për forcimin e bashkëpunimit civil në fushën e mbrojtjes dhe një tjetër mes institucioneve përgjegjëse për inovacionin në mbrojtje, me synim rritjen e pjesëmarrjes në programet dhe financimet evropiane. Diskutimet u fokusuan edhe në ndërthurjen e zinxhirëve të furnizimit të industrisë së mbrojtjes mes vendeve aleate dhe zhvillimin e kapaciteteve të përbashkëta mbrojtëse.

Ministri Vengu vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Hungarisë ndaj procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, duke theksuar progresin në hapjen e grupkapitujve dhe vijimin e reformave, ndërsa nënvizoi rëndësinë strategjike të Evropës Juglindore për sigurinë e kontinentit. Ai veçoi gjithashtu bashkëpunimin e dy vendeve në misionet ndërkombëtare, përfshirë KFOR-in dhe misionin e Bashkimit Evropian në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Gjatë fjalës së tij, Vengu theksoi se Shqipëria ka mirëpritur investime të rëndësishme dhe kompani të ekselencës hungareze, duke i cilësuar ato një shtyllë të rëndësishme të bashkëpunimit dypalësh, që synohet të zgjerohet edhe në fushën e mbrojtjes. Po ashtu, ai shprehu mirënjohje për mbështetjen operacionale të dhënë nga Hungaria në përballimin e emergjencave civile, veçanërisht gjatë sezonit të kaluar të zjarreve që përfshinë rajonin e Mesdheut lindor.

Nga ana e tij, ministri hungarez Szalay-Bobrovniczky vlerësoi rolin e Shqipërisë në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe konfirmoi mbështetjen e qartë të Hungarisë për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian. Ai përgëzoi gjithashtu përpjekjet për modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare në përputhje me standardet e NATO-s.

Vizita në Hungari përfshiu edhe takime të fokusuara te industria dhe inovacioni në mbrojtje. Ministri Vengu vizitoi kompaninë Pro Patria Electronics në Budapest, ku u prezantuan kapacitetet teknologjike në fushën e radarëve dhe mbrojtjes së infrastrukturave kritike. Qëllimi i vizitës ishte identifikimi i mundësive për integrimin e industrisë shqiptare të mbrojtjes në zinxhirët e furnizimit dhe inovacionit të vendeve aleate, në funksion të forcimit afatgjatë të kapaciteteve të Forcave të Armatosura.