Nis ndërtimi i rrugës alternative në aksin Librazhd-Përrenjas pas rrëshqitjes së dheut

Në një konferencë për mediat lidhur me bllokimin e aksit kombëtar Librazhd-Përrenjas, përfaqësues të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Hekurudhës Shqiptare, Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Policisë së Shtetit paraqitën planin e ndërhyrjes dhe masat për garantimin e sigurisë dhe rikthimin e qarkullimit.

Sipas drejtorit të ARRSH-së, Ami Kozeli, rrëshqitja e dheut u konstatua më 19 shkurt, kur u evidentuan dëmtime në infrastrukturën rrugore dhe u vendos menjëherë kufizimi i lëvizjes në një korsi, si dhe nisja e studimeve gjeologjike. Reshjet intensive të shiut në vijim përkeqësuan situatën, duke shkaktuar zhvendosje rreth 30 centimetra në njërin krah të urës ekzistuese dhe duke çuar në bllokimin e plotë të qarkullimit për arsye sigurie. Sipas analizave paraprake, shkaku kryesor lidhet me reshjet e dendura dhe të zgjatura, erozionin e lumit Shkumbin dhe mbingopjen e tokës, faktorë që aktivizuan një masiv rrëshqitës ekzistues në zonë.

Këshilli teknik i përbashkët mes ARRSH-së dhe Hekurudhës Shqiptare, me pjesëmarrjen e ekspertëve akademikë dhe gjeologjikë, vendosi ndërtimin e një rruge të re alternative përgjatë linjës hekurudhore, në shtratin e lumit Shkumbin, për të mundësuar qarkullimin e trafikut deri në stabilizimin përfundimtar të segmentit. Gjithashtu, është vendosur prishja e urës jashtë funksionit, devijimi i rrjedhës së lumit dhe sistemimi i ujërave sipërfaqësore për të shmangur përkeqësimin e situatës.

Drejtori i Hekurudhës Shqiptare, Ergys Verdho, bëri të ditur se zona ka pasur rrëshqitje aktive prej dekadash dhe se reshjet e muajve të fundit, së bashku me rritjen e prurjeve të lumit Shkumbin, përshpejtuan lëvizjen e masivit, duke theksuar se lëvizja lidhet me vetë strukturën gjeologjike të zonës.

Sipas Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, niveli i reshjeve gjatë kësaj periudhe ka qenë rreth trefishi krahasuar me dy vitet e mëparshme, duke shkaktuar mbingopjen e strukturave gjeologjike dhe destabilizimin e terrenit. Ekspertët po vijojnë studimet e thelluara për përcaktimin e zgjidhjes përfundimtare inxhinierike.

Kreu i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, deklaroi se të gjitha institucionet janë në gatishmëri të plotë, duke theksuar se prioritet mbetet garantimi i jetës dhe sigurisë së qytetarëve deri në hapjen e plotë të aksit.

Ndërkohë, Policia e Shtetit njoftoi se ka ndërprerë qarkullimin në segmentin e dëmtuar dhe ka devijuar lëvizjen e mjeteve në akse alternative, duke zbatuar një plan të posaçëm masash për menaxhimin e trafikut dhe sigurinë rrugore, me prani policore 24 orë në zonë.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, deklaroi se janë marrë masa për garantimin e vijimësisë së qarkullimit të mallrave, duke orientuar përkohësisht përpunimin e tyre përmes pikave doganore të Bllatës dhe Kakavijës. Dogana ka shtuar personelin dhe kapacitetet logjistike në këto pika, si dhe ka ofruar zgjidhje tranziti për mallrat e mbetura në aksin e bllokuar, me qëllim minimizimin e ndikimit ndaj aktivitetit tregtar.

Autoritetet bëjnë të ditur se strukturat vijojnë punën në terren, ndërsa trafiku do të devijohet në akse alternative deri në rikthimin e sigurt të qarkullimit në këtë segment rrugor.