Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme hedh poshtë pretendimet e ngritura ndaj Ambasadores së Republikës së Shqipërisë në Gjermani znj. Adia Sakiqi!
Në lidhje me një shkrim të publikuar ditën e djeshme në disa portale mbi Ambasadoren e Republikës së Shqipërisë në Gjermani, znj. Adia Sakiqi, sqarojmë se janë ngritur pretendime të pavërteta, të pabazuara dhe spekulative.
Nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për nisjen e një hetimi penal, shpallje si e pandehur apo përfshirje në shkelje ligjore të çfarëdo natyre. Po ashtu, pretendimet mbi emërime personale, keqmenaxhim fondesh apo lidhje të supozuara me figura publike janë tërësisht të paqena dhe nuk mbështeten në fakte.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme garanton se veprimtaria e përfaqësive diplomatike të Republikës së Shqipërisë zhvillohet në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, standardet profesionale dhe normat etike të shërbimit diplomatik.
Çdo publikim që përhap informacione të pavërteta, dezinformim apo insinuata që cenojnë reputacionin e institucioneve shtetërore dhe të përfaqësuesve të tyre është i papranueshëm dhe i dëmshëm për interesin publik.
Ministria rezervon të drejtën të ndjekë të gjitha rrugët ligjore në dispozicion për mbrojtjen e së vërtetës, dinjitetit dhe integritetit institucional.