Ibrahimaj: 17.500 biznese të reja në 2025, rritje e punësimit dhe të ardhurave familjare

Gjatë vitit 2025 janë regjistruar 17.500 biznese të reja në vend, ndërsa numri i të punësuarve ka arritur mbi 771 mijë. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi në mbledhjen e sotme, se ekonomia shqiptare po vijon një cikël rritjeje të qëndrueshme, me zgjerim të aktivitetit sipërmarrës dhe rritje të investimeve.

Sipas saj, gjatë vitit të fundit qarkullimi i bizneseve është rritur me 2.4 miliardë euro krahasuar me një vit më parë, i shpërndarë në të gjithë sektorët e ekonomisë. Turizmi dhe transporti kanë shënuar rritje prej 12%, ndërsa ndërtimi mbetet një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik. Investimet e brendshme janë rritur me 4.2% gjatë vitit të fundit, ndërsa kredia për investime është zgjeruar me 14%, tregues që, sipas ministres, reflekton besimin e bizneseve dhe planet për zgjerim të mëtejshëm.

Ibrahimaj theksoi se zhvillimet makroekonomike janë rezultat i një cikli të ri rritjeje që ka nisur pas vitit 2021, me norma që kanë varuar nga 3.5% deri në 5%, pas një faze më të moderuar rritjeje në periudhën 2013-2019 dhe ndërprerjes së shkaktuar nga pandemia. Sipas saj, sfida mbetet ruajtja e qëndrueshmërisë së këtij cikli dhe orientimi i ekonomisë drejt investimeve, eksporteve dhe rritjes së produktivitetit.

Sa i përket familjeve, ministrja deklaroi se të ardhurat e disponueshme janë rritur me mbi 80% në pesëvjeçarin e fundit. Pagat janë rritur me rreth 30%, pensionet me 32%, ndërsa në rritje kanë qenë edhe remitancat dhe të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat, i cili është zgjeruar me mbi 26%. Inflacioni, sipas saj, ka mbetur brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë, duke ruajtur stabilitetin e fuqisë blerëse.

Në përfundim, ajo u shpreh se klima e qëndrueshme e biznesit po përkthehet në përfitime konkrete për ekonominë dhe familjet shqiptare, ndërsa për të forcuar këtë trend qeveria po punon në politika të reja, përfshirë hartimin e një programi kombëtar për eksportet. Synimi është shfrytëzimi i potencialit të turizmit dhe shërbimeve për të rritur prodhimin vendas, për të zgjeruar eksportet dhe për të forcuar zinxhirin e vlerës në ekonomi.