Koçiu: Mbrojtja e territorit dhe forcimi i ligjshmërisë e sigurisë, prioritete të Ministrisë së Brendshme

Mbrojtja e interesit publik dhe goditja pa kompromis e çdo forme paligjshmërie mbeten themeli i punës së Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kështu deklaroi ministrja Albana Koçiu, duke theksuar se operacioni i ligjshmërisë në territor tashmë ka karakter të përhershëm.

Sipas saj, pas rishikimit të kornizës ligjore në tetor të vitit të kaluar dhe mundësisë së konfiskimit të shtesave pa leje për përdorim social, po jepet një mesazh i qartë se abuzimi me territorin nuk do të tolerohet. Deri më tani janë evidentuar 252 subjekte që kanë shkelur lejen e ndërtimit, janë prishur 447 ndërtime apo shtesa pa leje dhe janë vendosur gjoba në vlerë rreth 12 milionë euro. Ministrja theksoi se mbrojtja e territorit nënkupton jo vetëm prishje objektesh pa leje, por edhe monitorim në kohë reale, garantim të cilësisë së ndërtimit dhe mbrojtje të investimeve të qytetarëve.

Një ndryshim ligjor synon harmonizimin e punës së IKMT-së me inspektoratet vendore, përmes krijimit të një strukture të unifikuar kontrolli me standarde të njëjta në të gjithë vendin. Po ashtu, pritet zgjerimi i kompetencave të prefektit përmes ndryshimeve në ligjin “Për Prefektin”, me fokus mbikëqyrjen e territorit dhe menaxhimin e emergjencave civile, si dhe shtimin e dy prefektëve detarë.

Në kuadër të rritjes së sigurisë në komunitet, Koçiu njoftoi reformimin e Policisë Bashkiake, përmes një ligji të ri që do të vendosë standarde të unifikuara për rekrutimin, trajnimin dhe vlerësimin, duke e konsoliduar atë si strukturë mbështetëse të Policia e Shtetit. Projektligjet përkatëse janë në fazën përfundimtare të konsultimit publik dhe pritet të dërgohen së shpejti në Kuvend.

Ministrja njoftoi gjithashtu zbatimin e projektit “Smart City”, që parashikon instalimin e 5 mijë kamerave inteligjente në rrugët kryesore dhe monitorimin e mbi 20 shkollave, me synim rritjen e sigurisë dhe standardeve në komunitet.

Sa i përket goditjes së aseteve të krimit, Koçiu bëri të ditur se gjatë vitit 2025 janë sekuestruar 726 pasuri, me një vlerë prej 65 milionë euro, nga të cilat 64 janë konfiskuar dhe kanë kontribuar në 15 projekte sociale me impakt në komunitetet vulnerabël. Rreth 20 institucione publike kanë përfituar nga këto asete, ndërsa po punohet për bazën ligjore që pronat e konfiskuara të transferohen edhe në dobi të familjeve të efektivëve të rënë në detyrë.

Në fokus është edhe përmirësimi i Regjistrit Kombëtar të Adresave, përmes një procesi rishikimi dhe koordinimi me bashkitë për zgjidhjen e problematikave hartografike dhe standardizimin e sinjalistikës, me synim funksionalizimin e plotë të Regjistrit Unik të Adresave.

Në përmbyllje, ministrja njoftoi rritje të mëtejshme pagash për 720 efektivë të trupave operacionale dhe elitare të Policisë së Shtetit, përfshirë forcat RENEA, Forcat Operacionale dhe Forcën Kombëtare të Sigurisë. Paga për gradën inspektor do të arrijë në 1600 euro, ndërsa për gradën kryekomisar apo drejtues do të shkojë deri në 2300 euro.

Sipas Koçiut, të gjitha këto masa synojnë forcimin e ligjshmërisë, sigurisë dhe koordinimit institucional në nivel qendror dhe vendor.