Ministrja Sala: Shërbimi onkologjik, sistemi spitalor dhe mirëqenia sociale në fokus të reformave 2026
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala, gjatë një konference për mediat, prezantoi prioritetet dhe sfidat kryesore për vitin 2026, duke e cilësuar këtë vit si një periudhë reformash të thella dhe vendimmarrjesh strategjike për sistemin shëndetësor dhe mbrojtjen sociale në Shqipëri.
Një nga prioritetet kryesore mbetet reformimi i shërbimit onkologjik, i cili është cilësuar prioritet kombëtar. Për këtë qëllim është ngritur grupi i punës për krijimin e Institutit Kombëtar të Kancerit dhe të Rrjetit Kombëtar të sëmundjeve tumorale. Procesi përfshin analizën e plotë të situatës aktuale, nga shpërndarja e sëmundshmërisë sipas rajoneve deri te kapacitetet spitalore dhe nevojat për infrastrukturë, pajisje dhe barna. Në bashkëpunim me Institutin e Tumoreve të Milanos janë miratuar 38 protokolle të unifikuara trajtimi, ndërsa kapacitetet e kimioterapisë në QSUNT janë dyfishuar dhe gjatë vitit pritet rikualifikimi i gjashtë pikave rajonale të trajtimit onkologjik. Në QSUNT janë realizuar gjithashtu ndërhyrjet e para për rikonstruksionin e gjirit me proteza të financuara nga buxheti i shtetit, për të mbështetur vajzat dhe gratë që kryejnë heqjen e gjirit përmes vendosjes së menjëhershme të protezave.
Në kuadër të bashkëpunimit me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike është instaluar akseleratori i tretë për radioterapi dhe po kryhen testimet për vënien në funksion, ndërsa janë përditësuar sistemet software të dy akseleratorëve ekzistues dhe po zhvillohen trajnime për stafin në interpretimin e ekzaminimeve PET-scan. Gjatë këtij viti pritet edhe instalimi i aparaturës së re të brakiterapisë. Në QSUNT është miratuar gjithashtu ngritja e Qendrës së Gjirit (Breast Unit), e cila do të ofrojë trajtim multidisiplinar për pacientet me kancer gjiri. Ndërkohë po shqyrtohet rikonstruksioni i godinës së Spitalit Onkologjik dhe krijimi i një hapësire të dedikuar për studime klinike që mundëson akses në barna inovative pa kosto shtesë për sistemin.
Për vitin 2026 është parashikuar edhe rritje e buxhetit për barnat me rreth 15 milionë euro. Strategjia përfshin zgjerimin e listës së barnave të rimbursueshme me terapi inovative për patologjitë onkologjike dhe hematologjike, rritjen e sasive të barnave ekzistuese për të shmangur mungesat dhe rishikimin e kritereve të përfitimit nga skema e rimbursimit për disa patologji onkologjike. Gjithashtu ka nisur procesi i binjakëzimit institucional me Institutin e Tumoreve të Milanos për transferimin e njohurive dhe rritjen e kapaciteteve profesionale në trajtimin e kancerit.
Një tjetër reformë e rëndësishme është ristrukturimi i sistemit spitalor. Për këtë qëllim është ngritur një grup pune multisektorial me ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë për hartimin e Planit Kombëtar Spitalor. Aktualisht po realizohet hartëzimi i plotë i sistemit spitalor, analiza e kapaciteteve reale, shpërndarjes gjeografike të shërbimeve, performancës së spitaleve dhe burimeve njerëzore. Reforma synon racionalizimin e rrjetit spitalor, forcimin e spitaleve rajonale dhe rritjen e autonomisë menaxheriale dhe financiare të institucioneve spitalore. Aktualisht 12 spitale në vend funksionojnë me autonomi menaxheriale, ku së fundmi është përfshirë edhe Qendra Spitalore Rajonale e Tiranës “Shefqet Ndroqi”.
Në fushën e shëndetit publik, prioritet mbetet forcimi i programeve të depistimit dhe vaksinimit. Programi i depistimit për kancerin e qafës së mitrës është zgjeruar duke përfshirë gratë e moshës 35-55 vjeç, ndërsa programi i vaksinimit kundër HPV-së është shtrirë edhe te djemtë 13-vjeçarë, në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare. Mbulesa vaksinale për hepatitin B ka arritur në 98% për skemën e plotë me tre doza, ndërsa një studim i kryer në vitin 2025 tek fëmijët 6-7 vjeç nuk identifikoi asnjë rast pozitiv, duke e afruar Shqipërinë me objektivin për eliminimin e hepatitit B në popullatën pediatrike. Autoritetet synojnë gjithashtu zgjerimin e programeve të depistimit dhe rritjen e mbulesës vaksinale për fruthin, rubeolën dhe parotitin.
Ministria po përgatit edhe planin e masave shëndetësore për sezonin turistik veror. Gjatë vitit të kaluar, në 36 qendra shëndetësore verore u realizuan mbi 83 mijë vizita, rreth 25 mijë prej tyre për turistë të huaj. Vetëm në Spitalin e Traumës u trajtuan 683 shtetas të huaj, një rritje me 15% krahasuar me vitin 2024, çka sipas autoriteteve reflekton rritjen e besimit ndaj shërbimit shëndetësor në Shqipëri.
Paralelisht ka nisur edhe procesi i modernizimit digjital të sistemit shëndetësor, me hartëzimin e platformave ekzistuese dhe synimin për harmonizimin e plotë të sistemeve dhe integrimin gradual të inteligjencës artificiale në menaxhimin dhe ofrimin e shërbimeve shëndetësore.
Në fushën e mirëqenies sociale, prioritet është zhvillimi i ekonomisë së kujdesit dhe kalimi nga asistenca pasive drejt fuqizimit ekonomik të grupeve vulnerabël. Programi synon integrimin në ekonomi të përfituesve të mbrojtjes sociale përmes shërbimeve të kujdesit për fëmijët në risk, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe gratë në nevojë, duke nxitur punësimin dhe pavarësinë ekonomike.
Përmes Fondit Social, gjatë vitit 2026 pritet të krijohen 14 shërbime të reja sociale që do t’u shërbejnë rreth 2500 përfituesve, përfshirë të moshuar të braktisur, fëmijë në nevojë, persona me aftësi të kufizuara dhe viktima të dhunës apo trafikimit. Shërbimet do të shtrihen në 12 bashki të vendit, ndërsa në Tiranë parashikohet ngritja e dy strukturave të specializuara: një qendër rajonale për të rinjtë me spektër të autizmit dhe një qendër për menaxhimin e situatave emergjente për fëmijët në situatë rruge ose të rikthyer nga emigracioni.
Në kuadër të procesit të integrimit evropian, ministria ka përmbushur disa nga standardet ndërmjetëse në kapitujt 19, 23 dhe 24 të negociatave me Bashkimin Evropian. Ndër zhvillimet kryesore përfshihen miratimi i ligjit për barazinë gjinore, i cili zgjeron detyrimet për institucionet publike dhe sektorin privat dhe njeh ekonominë e kujdesit si pjesë të kontributit ekonomik, ligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje, si dhe ligji për kujdesin alternativ që synon transformimin e institucioneve rezidenciale dhe zhvillimin e sistemit të familjeve kujdestare për fëmijët pa kujdes prindëror.
Sipas ministres Sala, viti 2026 nuk është një vit rutinë për sistemin e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale, por një vit themelor reformash që synojnë ndërtimin e një onkologjie moderne, një sistemi spitalor më racional, zhvillimin e shëndetësisë digjitale, fuqizimin e mirëqenies sociale dhe konsolidimin e kuadrit ligjor në përputhje me standardet evropiane.