Malaj: Task Forcë mes Tatimeve dhe Doganave për monitorimin e tregut të karburanteve
Ministri i Financave, Petrit Malaj, zhvilloi një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, Ilir Binaj dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Besmir Beja, ku u dakordësua plani operacional për ngritjen e një Task Force të përbashkët mes dy institucioneve për të rritur kontrollin dhe transparencën në tregun e hidrokarbureve.
Sipas planit të miratuar, strukturat e Tatimeve dhe Doganave do të intensifikojnë kontrollet në të gjithë zinxhirin e tregtimit të karburanteve, si në tregtinë me shumicë ashtu edhe në atë me pakicë, me qëllim parandalimin e rritjeve abuzive të çmimeve dhe garantimin e funksionimit të rregullt të këtij tregu.
Ministri Malaj theksoi se ngritja e Task Forcës lidhet edhe me zhvillimet e fundit në tregjet ndërkombëtare të hidrokarbureve dhe se institucionet do të monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme çmimet për të shmangur rritjet e pajustifikuara në tregun vendas.
Sipas tij, janë dakordësuar hapat që do të ndiqen nga të dy institucionet, duke nisur nga vlerësimi i riskut për operatorët që veprojnë në këtë sektor dhe mbledhja e informacionit nga tregu për abuzime të mundshme. Kontrollet do të përqendrohen jo vetëm në verifikimin e dokumentacionit doganor dhe tatimor, por edhe në kontrollin fizik të sasive të hidrokarbureve që tregtohen.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, bëri të ditur se kontrollet do të shtrihen në të gjithë territorin e vendit, bazuar në subjektet e identifikuara me risk. Sipas tij, do të ngrihen grupe të përbashkëta kontrolli me administratën tatimore për të garantuar që aktiviteti i operatorëve të zhvillohet në përputhje me ligjin dhe që çdo shitje të jetë e regjistruar fiskalisht.
Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, deklaroi se institucionet kanë nisur analizën e riskut dhe kanë koordinuar planin operacional të kontrolleve. Ai theksoi se operacioni do të shtrihet në një periudhë afatgjatë, me qëllim rritjen e formalizimit dhe forcimin e funksionimit të rregullt të tregut të hidrokarbureve.
Autoritetet nënvizuan se forcimi i kontrollit dhe koordinimi institucional synojnë garantimin e një tregu të drejtë, parandalimin e abuzimeve dhe mbrojtjen e interesave të qytetarëve, në kuadër të angazhimit të Ministrisë së Financave për forcimin e disiplinës fiskale, rritjen e transparencës dhe ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme për vendin.