Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 11 mars 2026

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 11 mars 2026:  
V E N D I M
PËR
CAKTIMIN E ANËTARIT TË EKIPIT PËRZGJEDHËS  PËR ZGJEDHJEN E KANDIDATËVE, ANËTARË  TË KOMISIONIT KOMBËTAR RREGULLATOR TË SEKTORIT       TË FURNIZIMIT ME UJË DHE LARGIMIT E PËRPUNIMIT TË UJËRAVE TË NDOTURA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të pikës 4, të nenit 4, të ligjit nr.8102, datë 28.3.1996, “Për kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Z. Alsi Metushi caktohet anëtar i ekipit përzgjedhës për zgjedhjen e kandidatëve, anëtarë të Komisionit Kombëtar Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura.
2. Vendimi nr.352, datë 25.6.2025, i Këshillit të Ministrave, “Për caktimin e anëtarit të ekipit përzgjedhës për zgjedhjen e kandidatëve, anëtarë të Komisionit Kombëtar Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura”, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
*** 
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E DOKUMENTIT TË POLITIKAVE PRIORITARE 2027 – 2029
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 16, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe në vijim të pikës 5, të vendimit nr.887,  datë 27.12.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat e menaxhimit të investimeve publike”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Dokumentit të Politikave Prioritare 2027 – 2029, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Financave, Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës dhe të gjitha institucionet e tjera të administratës shtetërore, që janë pjesë e procesit të buxhetimit, për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
*** 
V E N D I M 
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR HEKURUDHAT SHQIPTARE – REHABILITIMI I LINJËS HEKURUDHORE TIRANË-DURRËS DHE NDËRTIMI I LIDHJES HEKURUDHORE ME AEROPORTIN NDËRKOMBËTAR TË TIRANËS: ZGJERIMI I PROJEKTIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për hekurudhat shqiptare – rehabilitimi i linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe ndërtimi i lidhjes hekurudhore me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës: zgjerimi i projektit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
*** 
V E N D I M 
PËR
MIRATIMIN E MODELIT TIP TË MARRËVESHJES, QË LIDHET NDËRMJET AGJENCISË KOMBËTARE TË BREGDETIT DHE INVESTITORIT, PËR PËRDORIMIN E BRIGJEVE TË DETEVE, LIQENEVE, LUMENJVE SI STACIONE PLAZHI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të  pikës 2, të nenit 29, të  ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit dhe të ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e modelit tip të marrëveshjes, që lidhet ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Bregdetit dhe investitorit, për përdorimin e brigjeve të deteve, liqeneve, lumenjve si stacione plazhi, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Në rast se vendimi i Komitetit të Investimeve Strategjike nuk ka përcaktuar afat kohor për përdorimin e brigjeve të deteve, liqeneve, lumenjve si stacione plazhi, atëherë ky afat do të jetë në funksion të realizimit të projektit investues strategjik, por jo më shumë se afati i përcaktuar në pikën 2, të nenit 29, të ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
3. Ngarkohen Ministria e Turizmit,  Kulturës dhe Sportit, Agjencia Kombëtare e Bregdetit dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R YE M I N I S T R I
EDI RAMA 
*** 
V E N D I M 
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.117, DATË 26.02.2025, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE,   “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKUALIFIKIMI I HYRJES SË QYTETIT TË SHKODRËS DHE BREGUT PERËNDIMOR  TË LIQENIT TË SHKODRËS”, BASHKIA SHKODËR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të  ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.117, datë 26.2.2025, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
 a) Në pikat 3 dhe 4, vlera “… 402 403 347 (katërqind e dy milionë e katërqind e tre mijë e treqind e dyzet e shtatë) lekësh …” zëvendësohet me vlerën  “… 405 986 166 (katërqind e pesë milionë e nëntëqind e tetëdhjetë e gjashtë mijë e njëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë) lekësh …”;
b) Të dhënat për shpronësim të numrit rendor 21 të tabelës bashkëlidhur vendimit zëvendësohen me të dhënat me të njëjtin numër rendor, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi;
c) Tabelës bashkëlidhur vendimit i shtohet pasuria me numër rendor 26, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shpenzimet procedurale shtesë, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga buxheti i Bashkisë Shkodër.
3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave, Bashkia Shkodër, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Shkodër, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
*** 
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.199, DATË 10.4.2019,  TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRYETARIT DHE EMËRIMIN E ANËTARËVE, PËRFAQËSUES  TË PUSHTETIT QENDROR, NË KËSHILLIN DREJTUES TË FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.10130,   datë 11.5.2009, “Për Fondin Shqiptar të Zhvillimit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.199, datë 10.4.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kryetarit dhe emërimin e anëtarëve, përfaqësues të pushtetit qendror, në këshillin drejtues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
1. Në pikën 1, znj. Belinda Balluku, Zëvendëskryeministër, zëvendësohet me znj. Albana Koçiu, Zëvendëskryeministër.
2. Në pikën 2, znj. Ana Kapaj, zëvendësministër i Arsimit, zëvendësohet me   znj. Olta Manjani, zëvendësministër i Ekonomisë dhe Inovacionit.
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
*** 
V E N D I M 
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.206, DATË 6.4.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE  TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “PËRFUNDIMI I PUNIMEVE  TË MBETURA DHE PLOTËSIMI ME RRUGË DYTËSORE, NYJA  E MILOTIT””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.206, datë 6.4.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Përfundimi i punimeve të mbetura dhe plotësimi me rrugë dytësore, Nyja e Milotit””, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Në pikat 3 dhe 4, vlera “… 16 659 775.50 (gjashtëmbëdhjetë milionë e gjashtëqind e pesëdhjetë e nëntë mijë e shtatëqind e shtatëdhjetë e pesë pikë pesëdhjetë) lekësh …” zëvendësohet me “… 17 282 495.50 (shtatëmbëdhjetë milionë e dyqind e tetëdhjetë e dy mijë e katërqind e nëntëdhjetë e pesë pikë pesëdhjetë) lekësh …”;
b) Tabelës bashkëlidhur vendimit i shtohet tabela, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Vlera shtesë, prej 622 720 (gjashtëqind e njëzet e dy mijë e shtatëqind e njëzet) lekësh, përballohet nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.
3. Shpenzimet procedurale shtesë, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
4. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Lezhë, Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Lezhë dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
*** 
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.566, DATË 29.7.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE,  “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE DHE TË PROCEDURAVE TË PËRZGJEDHJES SË ORGANIZATAVE RINORE DHE ORGANIZATAVE  PËR TË RINJTË, QË PËRFITOJNË FINANCIME NGA FONDET GRANT NGA BUXHETI I SHTETIT, TË DEDIKUARA PËR RININË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 15, të  ligjit nr.75/2019, “Për rininë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.566, datë 29.7.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurave të përzgjedhjes së organizatave rinore dhe organizatave për të rinjtë, që përfitojnë financime nga fondet grant nga buxheti i shtetit, të dedikuara për rininë”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në titull, pas fjalëve  “… organizatave për të rinjtë …” shtohen   “… bashkive dhe grupeve joformale rinore …”.
2. Kudo në tekst, fjalët “… dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore …” zëvendësohen me “ … bashkitë dhe grupet joformale rinore …”.
3. Në shkronjën “d”, të nenit 2, fjalët “… sipas këtij vendimi …” zëvendësohen me “… sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për përbërjen, kriteret dhe procedurat e përzgjedhjes së anëtarëve të komisionit të vlerësimit …”.
4.  Në nenin 6 bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
a) Titulli i nenit zëvendësohet me fjalën “Bashkia”;
b) Fjalët “Njësia e vetëqeverisjes vendore, sipas pikës 2, të nenit 7, të  ligjit nr.75/2019, “Për rininë”,…” zëvendësohen me “Bashkia …”.
   5.  Pas nenit 6 shtohet neni 6/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 6/1
Grupi joformal rinor
1. Grupi joformal rinor është një formë organizimi e përkohshme dhe vullnetare e të rinjve, e krijuar për konceptimin dhe zbatimin e një iniciative konkrete, me interes komunitar në fushën e zhvillimit rinor, përfshirjes ose mirëqenies së të rinjve.
2. Grupi joformal rinor mund të kërkojë të përfitojë mbështetje financiare nga fondet grant të buxhetit të shtetit, në përputhje me nenin 13/1, të ligjit nr.75/2019, “Për rininë”, të ndryshuar, kur plotëson kriteret e mëposhtme:
a) Grupi përbëhet nga të paktën 4 (katër) anëtarë të moshës 15–29 vjeç, të cilët angazhohen në mënyrë vullnetare për realizimin e një iniciative të bazuar në nevojat e komunitetit;
b) Grupi vepron mbi baza joformale dhe nuk ka personalitet juridik, por organizohet rreth një qëllimi të përbashkët dhe një plani veprimi të qartë;
c) Grupi cakton një përfaqësues në moshë madhore, me zotësi të plotë për të vepruar, i cili përfaqëson grupin në marrëdhëniet me Agjencinë Kombëtare të Rinisë dhe palët e treta, si dhe mban përgjegjësi administrative dhe financiare për përdorimin e fondeve;
ç) Grupi paraqet një deklaratë të nënshkruar nga të gjithë anëtarët, ku përcaktohen përbërja e grupit, qëllimi i iniciativës, rolet e brendshme dhe angazhimi për zbatimin dhe raportimin e projektit;
d) Fondet e përfituara administrohen në përputhje me kushtet e kontratës së grantit dhe legjislacionin në fuqi për menaxhimin e fondeve publike;
dh) Grupi dhe përfaqësuesi i tij angazhohen për raportim përshkrues e financiar, si dhe i nënshtrohen kontrollit dhe verifikimit nga Agjencia Kombëtare e Rinisë dhe organet kompetente;
e) Iniciativa është jofitimprurëse, me interes publik/komunitar;
ë) Grupi angazhohet për respektimin e parimeve të mosdiskriminimit, barazisë gjinore, përfshirjes sociale dhe vlerave demokratike.”.
6.   Nenet 8 dhe 9 shfuqizohen.  
7.   Në nenin 11 bëhen shtesat dhe ndryshimi i mëposhtëm:
a) Në fund të pikës 1 shtohet fjalia “Aplikimi për mbështetje me grant kryhet elektronikisht nëpërmjet portalit “e-Albania”.”;
b) Në pikën 2, fjalët “… dorëzon dokumentacionin …” zëvendësohen me “… ngarkon dokumentacionin në portalin qeveritar    “e-Albania” …”;
c) Në fund të shkronjës “a”, të pikës 2, shtohen fjalët “… dhe ekstraktin historik të lëshuar nga gjykata.”;
     ç) Pas pikës 2 shtohen pikat 2/1 dhe 2/2, me këtë përmbajtje:
 “2/1. Bashkia, që merr pjesë në thirrjen e shpallur për konkurrim, plotëson dokumentet e aplikimit të thirrjes dhe ngarkon dokumentacionin përkatës në portalin qeveritar “e-Albania”, i cili provon plotësimin e kritereve, të përcaktuara në nenin 6, të kreut II, të këtij vendimi, si dhe dokumentet e mëposhtme:
a) Planin arkitekturor për ndërtimin ose rikonstruksionin e objektit publik të infrasktrukturës rinore;
b) Preventivin e punimeve për ndërtimin ose rikonstruksionin e objektit publik të infrastrukturës rinore;
c) Dokumentin që vërteton pronësinë mbi objektin publik të infrastrukturës rinore.
2/2. Grupi joformal rinor, që merr pjesë në thirrjen e shpallur për konkurrim përmes personit të autorizuar, plotëson dokumentet e aplikimit të thirrjes dhe ngarkon dokumentacionin përkatës në portalin qeveritar “e-Albania”, që provon plotësimin e kritereve të përcaktuara, sipas rastit, në nenin 6/1, të kreut II, të këtij vendimi.”.
  8.  Pas pikës 3, të nenit 15, shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:
“4. Lista e projektpropozimeve fituese të grupeve joformale rinore miratohet nga ministri përgjegjës për rininë, brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike nga përfundimi i procesit të vlerësimit.  Nëse ministri ka vërejtje për procesverbalin e vlerësimit dhe dokumentacionin shoqërues, e rikthen praktikën pranë komisionit, të shoqëruar me vërejtjet përkatëse. Komisioni mblidhet dhe reflekton vërejtjet në procesverbalin e vlerësimit, brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike nga përfundimi i procesit të vlerësimit.”.
9. Në pikën 1, të nenit 16, dhe kudo në përmbajtjen e projektvendimit, fjalët “… e miratimit të procesverbalit të vlerësimit të projektpropozimeve …” zëvendësohen me “… e miratimit të listës së projektpropozimeve fituese …”.
10. Në nenin 17 bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:
a) Në pikën 1, pas fjalëve  “… njofton kandidatin …” shtohen “… nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania” …”;
b) Në fjalinë e parë të pikës 2, fjalët “… miratimin e tij …” zëvendësohen  me  “… miratimin, nëpërmjet  portalit qeveritar                 “e-Albania” …”;
c) Në pikën 3, pas fjalës “… njofton …” shtohen fjalët “… nëpërmjet portalit  qeveritar “e-Albania”…”;
ç) Në pikën 4, fjalët “… pranë ministrit përgjegjës për rininë …” zëvendësohen me “… sipas rastit, pranë ministrit përgjegjës për rininë apo titullarit të AKR-së …”.
11. Neni18 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 18 
E drejta e ankimit
Organizata rinore, organizata për të rinjtë, bashkia dhe grupi joformal rinor, të përzgjedhura jofituese në procedurën e konkurrimit, kanë të drejtë të paraqesë ankim administrativ pranë ministrit përgjegjës për rininë në portalin qeveritar “e-Albania”. Ankimi paraqitet brenda 10 (dhjetë) ditëve nga njoftimi për mosshpalljen fitues. Ankimi shqyrtohet brenda 10 (dhjetë) ditëve nga komisioni ad hoc për shqyrtimin e ankimit. Përbërja emërore e komisionit përcaktohet me urdhër të ministrit. Rregullat, procedurat dhe afatet kohore të ankimit administrativ bazohen në dispozitat e Kodit të Procedurave Administrative. Në rast të pasaktësive ose mangësive formale në kërkesën për ankim, autoriteti kompetent i jep palës një afat të arsyeshëm për plotësimin e tyre, në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative.”.
12. Pas pikës 2, të nenit 20, shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:
 “3. Grupit joformal rinor i lëvrohet fondi për projektin në 3 (tri) këste:
a) Kësti i parë, 50 (pesëdhjetë) % e vlerës së fondit, menjëherë pas nënshkrimit të kontratës së grantit;
b) Kësti i dytë, 40 (dyzet) % e vlerës së fondit, menjëherë pas miratimit nga AKR-ja të raportit përshkrues e financiar të fazës së parë;
c) Kësti i tretë, 10 (dhjetë) % e vlerës së fondit, pas miratimit nga AKR-ja të raportit përshkrues dhe financiar përfundimtar.”.
13. Kreu V emërtohet “DISPOZITA TË FUNDIT DHE KALIMTARE”.
14. Pas nenit 23 shtohet neni 23/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 23/1
Administrimi i projektpropozimeve
Deri në ngritjen dhe funksionimin e sistemit elektronik për financimin e projekteve të dedikuara dhe regjistrit elektronik për të rinjtë, aplikimet e kandidatëve për përfitimin e financimeve, nëpërmjet fondit grant të dedikuar për rininë, si dhe për ankimimet administrative do të administrohen në format fizik, nëpërmjet rrugëve postare dhe nëpërmjet postës elektronike, pranë AKR-së.”.
II. Ngarkohen ministria përgjegjëse për rininë dhe Agjencia Kombëtare e Rinisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA