Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 19 mars 2026 19 Mars 2026
P R O J E K T L I GJ
PËR
KRIJIMIN E AGJENCISË KOMBËTARE TË SHËRBIMEVE ARSIMORE
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
Objekt i këtij ligji është krijimi dhe përcaktimi i rregullave të organizimit dhe të funksionimit të Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore (në vijim, Agjencia).
Neni 2
Qëllimi
Qëllimi i këtij ligji është të mundësojë sigurimin e kushteve për ofrimin e shërbimeve arsimore, në përputhje me legjislacionin përkatës të secilit prej shërbimeve, duke siguruar cilësi, transparencë, eficiencë dhe efikasitet të vlerësimeve në interes të publikut.
Neni 3
Misioni i Agjencisë
Agjencia ka si mision garantimin e interesit publik në ofrimin e shërbimeve në fushën e arsimit, të profesioneve të rregulluara, të vlerësimeve kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e arsimit, si dhe nxitjen e përmirësimit të shërbimeve arsimore dhe krijimin e kushteve të favorshme në interes të publikut.
Neni 4
Parimet e veprimtarisë së Agjencisë
Për arritjen e qëllimeve dhe për përmbushjen e kompetencave të parashikuara në këtë ligj, përgjatë veprimtarisë së saj, Agjencia ndjek e zbaton parimet e mëposhtme:
a) Parimin e ligjshmërisë;
b) Parimin e objektivitetit;
c) Parimin e bashkëpunimit ndërinstitucional;
ç) Parimin e proporcionalitetit;
d) Parimin e transparencës;
dh) Parimin e paanësisë në ushtrimin e veprimtarisë, duke respektuar çështjet e konfliktit të interesave;
e) Parimin e administrimit me eficiencë, efektivitet dhe transparencë të fondeve financiare.
KREU II
ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I AGJENCISË KOMBËTARE TË SHËRBIMEVE ARSIMORE
Neni 5
Fusha e veprimit
Agjencia ushtron veprimtarinë e saj për të gjithë territorin e vendit në fushën e shërbimeve të arsimit, të profesioneve të rregulluara, si dhe të administrimit të vlerësimeve kombëtare e ndërkombëtare në fushën e arsimit. Ajo ushtron funksion teknik, profesional, mbështetës e rekomandues të politikave arsimore, duke zbatuar standardet më të larta kombëtare dhe ndërkombëtare.
Neni 6
Statusi i Agjencisë
1. Agjencia është person juridik publik në formën e agjencisë autonome nën mbikëqyrjen e ministrit përgjegjës për arsimin dhe funksionon si institucion publik me vetëfinancim.
2. Agjencia ofron shërbime arsimore në përputhje me legjislacionin përkatës të secilit prej shërbimeve që ofron.
Neni 7
Selia, stema dhe vula
1. Selia e Agjencisë ndodhet në Tiranë. Agjencia mund të krijojë dhe degë territoriale me vendim të organeve të saj drejtuese.
2. Stema e Agjencisë përbëhet nga stema shtetërore e Republikës së Shqipërisë, me shënimin “Republika e Shqipërisë, Agjencia Kombëtare e Shërbimeve Arsimore”.
3. Vulat e Agjencisë propozohen nga drejtori ekzekutiv dhe miratohen nga këshilli drejtues.
Neni 8
Përgjegjësitë funksionale dhe detyrat e Agjencisë
1. Agjencia, në përmbushje të funksioneve të saj për ushtrimin e veprimtarisë për ofrimin e shërbimeve arsimore, në përputhje me standardet kombëtare e ndërkombëtare dhe në përputhje me legjislacionin përkatës të secilit prej shërbimeve që ofron, ka përgjegjësitë funksionale dhe detyrat, si më poshtë vijon:
a) Mbështet ministrinë përgjegjëse për arsimin në hartimin e politikave arsimore e të strategjive në zbatim të tyre nëpërmjet analizave dhe studimeve që kryen;
b) Zhvillon provimet kombëtare dhe kryen procesin e vlerësimit të arritjes së nxënësve;
c) Përpunon e analizon rezultatet e provimeve kombëtare e të vlerësimeve të provimeve të shtetit, sipas standardeve bashkëkohore, dhe publikon raportet vjetore;
ç) Kryen e administron vlerësime të jashtme kombëtare e ndërkombëtare dhe/ose sipas rastit për arritjet e nxënësve të sistemit arsimor parauniversitar apo edhe testime ndërkombëtare të certifikuara;
d) Kryen procedurat e njëvlershmërisë/njësimit të dëftesave/diplomave të arsimit parauniversitar të fituara jashtë vendit;
dh) Lëshon diplomën, certifikatën e maturës shtetërore dhe diplomën, certifikatën e maturës shtetërore profesionale, të cilat janë dokumente të përfundimit të arsimit të mesëm të lartë;
e) Kryen regjistrimin e formës së diplomës ose të certifikatës për çdo program studimi në regjistrin shtetëror dhe lëshon aktin përkatës të regjistrimit;
ë) Pajis çdo student të regjistruar në një institucion të arsimit të lartë me numrin unik të matrikullimit;
f) Kryen procedurat e njohjes e të njësimit të diplomave të arsimit të lartë, të certifikatave, të gradave shkencore, si dhe shërben si sekretariat teknik i komisioneve, të njohjes së titujve akademikë të fituar jashtë vendit, në përputhje me udhëzimin e ministrit përgjegjës për arsimin;
g) Organizon e administron provimin e shtetit për profesionet e rregulluara në bashkëpunim me autoritetet kompetente përkatëse;
gj) Koordinon, me institucionet e tjera, proceset e aplikimit e të pranimit të studentëve në institucionet e arsimit të lartë për ndjekjen e programeve të studimit;
h) Administron bazën e të dhënave shtetërore për arsimin parauniversitar;
i) Administron bazën e të dhënave shtetërore për arritjet e nxënësve në provimet, vlerësimet kombëtare, i përpunon ato dhe informon ministrinë përgjegjëse për arsimin dhe të interesuarit për rezultatet e arritjeve;
j) Krijon e administron regjistrin kombëtar të studentëve të të gjitha cikleve të studimit dhe një bazë të dhënash për institucionet e arsimit të lartë lidhur me programet e studimit, diplomat apo certifikatat që ato lëshojnë;
k) Mban bazën e të dhënave kombëtare të diplomave, certifikatave, gradave dhe titujve të njohur në Republikën e Shqipërisë;
l) Administron bazën e të dhënave shtetërore për provimet e shtetit dhe provimet e tjera të digjitalizuara;
ll) Ofron çdo shërbim tjetër të ngarkuar nga ministri përgjegjës për arsimin.
2. Detyrat e përcaktuara në shkronjat “b”, “ç”, “dh” dhe “ll”, të pikës 1, të këtij neni, financohen nga buxheti i shtetit nëpërmjet fondeve të miratuara për ministrinë përgjegjëse për arsimin dhe ministrinë përgjegjëse për arsimin profesional.
3. Agjencia shërben si qendra kombëtare e rrjetit ENIC/NARIC (Rrjeti Evropian i Qendrave Kombëtare të Informacionit) për informimin e publikut dhe të të interesuarve lidhur me procesin e njohjes e të njësimit të diplomave brenda dhe jashtë vendit.
Neni 9
Buxheti i Agjencisë
1. Burimet e financimit të Agjencisë përfshijnë:
a) të ardhurat e krijuara nga kryerja e veprimtarisë së Agjencisë, në zbatim të këtij ligji;
b) të ardhurat e krijuara nga burime të tjera të ligjshme.
2. Të ardhurat, që do të rezultojnë të papërdorura në fund të vitit financiar, mund të përdoren për nevoja të institucionit deri në fund të muajit mars të vitit pasardhës, ndërsa pjesa e parashikuar dhe e papërdorur për investime në vitin ushtrimor, trashëgohet në buxhetin e vitit ushtrimor pasardhës me të njëjtin destinacion dhe pasqyrohet në buxhetin e institucionit për vitin e ardhshëm. Teprica e të ardhurave të vitit ushtrimor, e mbetur pas kësaj periudhe, derdhet në buxhetin e shtetit.
Në rast se rezulton se teprica e të ardhurave vijon në mënyrë të vazhdueshme për një periudhe 3-vjeçare, Agjencia i propozon Këshillit të Ministrave rishikimin e tarifave të shërbimeve që kryen për uljen e tyre.
3. Për shërbimet që ofrohen në mënyrë ekskluzive vetëm nga Agjencia në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, llojet e tarifave dhe niveli i tyre miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për arsimin, pas propozimit të këshilli drejtues të Agjencisë, ndërsa për shërbimet e tjera të ofruara nga Agjencia, me vendim të këshillit drejtues të Agjencisë.
4. Përjashtohen nga tarifat kategoritë e veçanta, sipas përcaktimeve të ligjeve të posaçme në fuqi. Rimbursimi i tarifës për këto shërbime sigurohet nga buxheti i shtetit nëpërmjet fondeve të miratuara për ministrinë përgjegjëse për arsimin, nëse nuk parashikohet ndryshe nga legjislacioni në fuqi.
5. Buxheti i Agjencisë miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për arsimin, pas miratimit të këshillit drejtues.
6. Buxheti vjetor i Agjencisë hartohet dhe zbatohet në përputhje me legjislacionin në fuqi në Republikën e Shqipërisë për menaxhimin buxhetor e financiar.
7. Agjencia përgatit çdo vit pasqyrat financiare vjetore, në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi, si dhe standardet kombëtare e ndërkombëtare të raportimit financiar. Pasqyrat financiare vjetore i paraqiten këshillit drejtues si pjesë e raportit të veprimtarisë vjetore dhe mbulojnë një periudhë njëvjeçare kalendarike.
Neni 10
Drejtimi i Agjencisë
1. Struktura drejtuese e Agjencisë përbëhet nga këshilli drejtues dhe drejtori ekzekutiv.
2. Drejtori ekzekutiv është titullari i Agjencisë dhe emërohet nga ministri përgjegjës për arsimin, me propozimin e këshillit drejtues të Agjencisë.
3. Kriteret për emërimin e drejtorit ekzekutiv janë, si më poshtë vijon:
a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
c) Të jetë në kushte shëndetësore, që e lejojnë të kryejë detyrën;
ç) Të mos jetë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
d) Të ketë diplomë të ciklit të dytë “Master i shkencave” ose “Master profesional” të përfituar në fund të ciklit të dytë të studimeve, me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 (dy) vite akademike, ose të barasvlershme me to, sipas legjislacionit për arsimin e lartë;
dh) Ndaj tij të mos jenë marrë masa disiplinore, që nuk janë shuar sipas legjislacionit në fuqi.
4. Drejtori ekzekutiv i Agjencisë lirohet nga detyra në këto raste:
a) Humbet shtetësinë shqiptare;
b) Deklarohet i paaftë për punë nga komisioni përgjegjës mjekësor apo merr formë të prerë vendimi gjyqësor për kufizimin apo heqjen e zotësisë për të vepruar;
c) Plotëson kushtet për pension pleqërie;
ç) Paraqet dorëheqjen me shkrim;
d) Vërtetohet pamundësia për të ushtruar detyrën;
dh) I hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike me vendim gjyqësor të formës së prerë;
e) Gjendet në një situatë të konfliktit të vazhdueshëm të interesit;
ë) Ristrukturohet institucioni.
5. Drejtori ekzekutiv i Agjencisë shkarkohet nga detyra në këto raste:
a) Dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi ose të një kundërvajtjeje penale me dashje;
b) Kryen shkelje të rënda gjatë ushtrimit të detyrës;
c) Nuk përmbush objektivat e institucionit;
ç) Kryen veprimtari, që krijon konflikt interesi, në përputhje me legjislacionin e konfliktit të interesave;
d) Mungon në detyrë, pa shkaqe të arsyeshme, për më shumë se 30 (tridhjetë) ditë radhazi.
6. Drejtori ekzekutiv i Agjencisë ushtron detyrat dhe funksionet e mëposhtme:
a) Harton dhe i paraqet për miratim këshillit drejtues dokumentet strategjike dhe të planifikimit për ofrimin e shërbimeve arsimore kombëtare dhe ndërkombëtare;
b) Harton metodologjinë e ofrimit të shërbimeve arsimore dhe propozon ndryshimin e mëtejshëm të kësaj metodologjie, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe kuadrin ligjor në fuqi;
c) Mbikëqyr zbatimin e rregullave e të procedurave për parandalimin e konfliktit të interesit;
ç) Përgjigjet për hartimin e sistemeve të qeverisjes e të kontrollit të brendshëm, në përputhje me praktikat më të mira në fushën e kompetencave që mbulon;
d) Monitoron sistemet e qeverisjes e të kontrollit të brendshëm për të siguruar që këto sisteme të funksionojnë në mënyrë efektive;
dh) Harton raportin vjetor të veprimtarisë, i cili mbulon aktivitetet e Agjencisë gjatë vitit raportues dhe përfshin raportimin mbi funksionimin efektiv të sistemeve të qeverisjes e të kontrollit të brendshëm, dhe, pas miratimit nga këshilli drejtues, e paraqet në ministrinë përgjegjëse për arsimin;
e) Përfaqëson Agjencinë në marrëdhënie me të tretët;
ë) Paraqet projektbuxhetin vjetor pranë këshillit drejtues të Agjencisë;
f) I propozon këshillit drejtues strukturën dhe organikën e Agjencisë, si dhe elementet përbërëse të pagës bruto mujore dhe vlerën për çdo element të pagës bruto mujore të personelit të Agjencisë, referuar elementeve dhe vlerave të të punësuarve të institucioneve të tjera të administratës shtetërore.
g) Kryen vlerësimin e performancës së personelit;
gj) Paraqet, për miratim, te këshilli drejtues rregulloren e brendshme të funksionimit dhe administrimit të Agjencisë;
h) Propozon përshkrimet e kërkesat për çdo pozicion pune, si dhe kriteret e punësimit të personelit, në përputhje me Kodin e Punës dhe me rregulloren e tij të brendshme, të cilat ia paraqet për miratim këshillit drejtues;
i) Emëron personelin e nevojshëm administrativ, sipas kritereve të përcaktuara, dhe mundëson zhvillimin e vazhdueshëm profesional të personelit;
j) Ushtron detyra të tjera të përcaktuara me ligj.
7. Drejtori ekzekutiv i Agjencisë mbështetet nga dy zëvendësdrejtorë, të cilët emërohen nga ministri përgjegjës për arsimin, me propozimin e këshillit drejtues të Agjencisë, me të njëjtat kritere dhe procedura sikurse dhe drejtori ekzekutiv.
8. Këshilli drejtues përbëhet nga 6 (gjashtë) anëtarë të emëruar për një mandat katërvjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje nga ministri përgjegjës për arsimin, nga të cilët 1 (një) përfaqësues i nivelit të lartë drejtues nga ministria përgjegjëse për arsimin profesional, pa të drejtë vote, dhe 5 (pesë) anëtarë, me të drejtë vote, të propozuar sipas procedurës së mëposhtme:
a) 3 (tre) përfaqësues të nivelit të lartë drejtues nga ministria përgjegjëse për arsimin;
b) 2 (dy) përfaqësues të propozuar nga donatorë/partnerë zhvillimorë të përzgjedhur, me të cilët ministria përgjegjëse për arsimin ka lidhur marrëveshje të posaçme bashkëpunimi për rritjen e kapaciteteve të Agjencisë.
9. Donatorët/partnerët zhvillimorë janë organizatat publike apo private, me status jofitimprurës, kombëtare apo ndërkombëtare, të cilat mbështesin projekte arsimore për realizimin e qëllimeve të këtij ligji dhe për zbatimin e projekteve, që përmirësojnë fushat e veprimtarive që ushtrohen nga agjencia, me të cilët ministria ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi.
10. Këshilli drejtues merr vendime me katër të pestat (4/5) e të gjithë anëtarëve lidhur me këto kompetenca:
a) I propozon ministrit përgjegjës për arsimin projektbuxhetin vjetor të Agjencisë;
b) I propozon ministrit përgjegjës për arsimin strukturën dhe organikën e Agjencisë, që miratohet me urdhër të Kryeministrit, sipas legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore;
c) I propozon ministrit përgjegjës për arsimin llojet e shërbimeve publike dhe masat e tarifave përkatëse, që ofron Agjencia, për miratimin e tyre me vendim të Këshillit të Ministrave;
ç) I propozon ministrit përgjegjës për arsimin emërimin e shkarkimin e drejtorit ekzekutiv dhe të zëvendësdrejtorëve;
d) I propozon ministrit përgjegjës për arsimin elementet përbërëse të pagës bruto mujore dhe vlerën për çdo element të pagës bruto mujore të personelit të Agjencisë, që miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, sipas legjislacionit në fuqi për kompetencat për caktimin e pagave.
11. Këshilli drejtues merr vendime me tre të pestat (3/5) e të gjithë anëtarëve lidhur me këto kompetenca:
a) Miraton programet e punës vjetore dhe strategjike të Agjencisë;
b) Miraton, pas propozimit të drejtorit ekzekutiv të Agjencisë, përshkrimet dhe kërkesat për çdo pozicion pune, si dhe kriteret e punësimit të personelit;
c) Monitoron efikasitetin dhe eficiencën e shërbimeve të ofruara nëpërmjet raportimeve periodike nga drejtori ekzekutiv i Agjencisë;
ç) Merr vendime për çështje të tjera, në përputhje me parashikimet e legjislacionit në fuqi;
d) Miraton raportin vjetor dhe raporte të tjera sipas rastit.
12. Në mungesë të donatorëve/partnerëve zhvillimorë, përzgjedhja e të gjithë anëtarëve të këshillit drejtues të Agjencisë bëhet nga ministria përgjegjëse për arsimin.
13. Anëtarët e këshillit drejtues shkarkohen nga ministri përgjegjës për arsimin, sipas rregullave të hollësishme për emërimin e shkarkimin e anëtarëve të strukturave drejtuese të miratuara nga Këshilli i Ministrave.
14. Në rast mbarimi të parakohshëm të mandatit të anëtarëve të zgjedhur të organeve, mandati i anëtarit të ri të zgjedhur të këshillit drejtues është plotësues.
15. Këshilli drejtues kryen funksionin dhe detyrat e përcaktuara në këtë ligj pa shpërblim.
Neni 11
Marrëdhëniet e punës së punonjësve të Agjencisë
1. Marrëdhëniet e punës së punonjësve të Agjencisë rregullohen nga Kodi i Punës, rregullorja e brendshme e funksionimit dhe administrimit të Agjencisë, si dhe aktet e brendshme të saj.
2. Punonjësit e Agjencisë ushtrojnë detyrat e tyre në mënyrë profesionale dhe në përputhje me përcaktimet e bëra në këtë ligj, Kodin e Punës, rregulloren e brendshme të institucionit, standardet e ofrimit të shërbimeve arsimore dhe Kodin e Etikës së institucionit të miratuar nga këshilli drejtues.
Neni 12
Bashkëpunimi ndërinstitucional
1. Për arritjen e qëllimeve dhe ushtrimin e suksesshëm të funksioneve të saj, Agjencia bashkëpunon, bashkërendon dhe e harmonizon veprimtarinë e saj me ministrinë përgjegjëse për arsimin, ministrinë përgjegjëse për arsimin dhe formimin profesional, me institucionet publike dhe private të arsimit, si dhe me institucionet e tjera shtetërore.
2. Agjencia bashkëpunon me partnerët, donatorët, organizatat homologe të huaja, me organizatat e shoqërisë civile dhe ekspertët e arsimit, për shkëmbimin e informacionit dhe të përvojave, për zbatimin e modeleve të suksesshme, për zgjerimin e veprimtarisë dhe të shërbimeve të ofruara prej saj, me synimin për të qenë një qendër reference kombëtare për administrimin e vlerësimin e provimeve dhe vlerësimeve kombëtare e ndërkombëtare në fushën e arsimit.
3. Gjatë ushtrimit të veprimtarisë së saj, Agjencia ka të drejtë të kërkojë nga organet e tjera shtetërore, qendrore dhe vendore, ndihmën dhe të dhënat e nevojshme për realizimin e funksioneve të saj. Organet shtetërore janë të detyruara të bashkëpunojnë me Agjencinë, të shkëmbejnë informacion e të sigurojnë të gjitha lehtësitë e nevojshme për përmbushjen e kompetencave dhe detyrimeve të Agjencisë.
4. Në zbatim të ligjit nr.43/2023, “Për qeverisjen elektronike”, të ndryshuar, Agjencia bashkëpunon me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), si autoriteti përgjegjës për ndërtimin, zhvillimin, mirëmbajtjen, sigurinë, standardizimin dhe ndërveprueshmërinë e sistemeve elektronike shtetërore dhe bazave të të dhënave shtetërore, që përdoren nga Agjencia.
Agjencia ushtron administrimin funksional dhe përdorimin institucional të sistemeve elektronike shtetërore në fushën e arsimit pa cenuar kompetencat ligjore të AKSHI-t si autoritet rregullator e teknik. Çdo zhvillim i ri, zgjerim, modifikim, integrim, migrim apo ndërhyrje teknike mbi sistemet elektronike shtetërore kryhet në koordinim dhe me miratim paraprak teknik të AKSHI-t.
Agjencia mbulon kostot financiare që lidhen me zhvillimet funksionale dhe mirëmbajtjen e sistemeve që përdor, në përputhje me planifikimin buxhetor dhe legjislacionin për financat publike, duke garantuar qëndrueshmëri financiare dhe shmangie të dublikimeve të investimeve publike në TIK.
KREU III
MBIKËQYRJA DHE KONTROLLI
Neni 13
Mbikëqyrja e veprimtarisë së Agjencisë
1. Veprimtaria e Agjencisë mbikëqyret nga ministria përgjegjëse për arsimin, e cila verifikon zbatimin korrekt të politikave dhe të strategjive kombëtare në fushën e arsimit.
2. Për qëllimet e mësipërme të lidhura me mbikëqyrjen dhe kontrollin, Agjencia i dorëzon ministrit përgjegjës për arsimin raportin vjetor mbi veprimtarinë e saj, brenda datës 31 mars të vitit pasardhës.
3. Agjencia raporton vullnetarisht te ministria përgjegjëse për arsimin, sa herë që e sheh të nevojshme, lidhur me analizën e rezultateve, problematikat dhe çdo informacion tjetër të dobishëm për përmirësimin e shërbimeve arsimore.
4. Agjencia ka detyrimin të raportojë, kur i kërkohet nga ministria përgjegjëse për arsimin, edhe për çështje të tjera apo për çdo të dhënë të kërkuar nga ministria.
Neni 14
Kontrolli i Agjencisë
Ministria ka të drejtë të ushtrojë kontroll mbi respektimin e niveleve dhe të standardeve të shërbimeve, që ofrohen nga Agjencia në çdo kohë. Kontrollet janë me natyrë tematike, rastësore, ligjshmërie dhe financiare. Raportet e kontrollit dhe rekomandimet e nxjerra janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga Agjencia.
KREU IV
DISPOZITA TË FUNDIT DHE KALIMTARE
Neni 15
Dispozita kalimtare
Qendra e Shërbimeve Arsimore vijon veprimtarinë e saj deri në riorganizimin e plotë të Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore.
Neni 16
Nxjerrja e akteve nënligjore
1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë aktet nënligjore, në zbatim të neneve 9, pikat 3 e 5, dhe 10, pika 3, shkronja “d”, të këtij ligji.
2. Ngarkohet këshilli drejtues i Agjencisë, që, brenda 9 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë aktin e parashikuar në pikën 1, të nenit 11, të këtij ligji.
Neni 17
Ndryshime në ligjin nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”
1. Kudo në përmbajtje të ligjit nr.80/2015 emërtesa “Qendra e Shërbimeve Arsimore” zëvendësohet me “Agjencia Kombëtare e Shërbimeve Arsimore” dhe shkurtesa “QSHA” me “AKSHA”.
2. Nenet 9 dhe 10 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“Neni 9
Agjencia Kombëtare e Shërbimeve Arsimore
1. Agjencia Kombëtare e Shërbimeve Arsimore organizohet dhe funksionon si agjenci autonome nën mbikëqyrjen e ministrit përgjegjës për arsimin, në përputhje ligjin e saj të krijimit si institucion i administratës shtetërore.
2. Ofrimi i shërbimeve në fushën e arsimit të lartë dhe përcaktimi i tarifave të tyre bëhet në përputhje me përcaktimet në ligjin e organizimit dhe funksionimit të agjencisë.
Neni 10
Funksionet e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore
Agjencia Kombëtare e Shërbimeve Arsimore kryen detyrat dhe funksionet e përcaktuara në ligjin e krijimit.”.
3. Pikat 3, 5 dhe 7, të nenit 92, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“3. Institucioni përgjegjës për njohjen dhe njësimin zyrtar, në Republikën e Shqipërisë, të certifikatave, diplomave dhe gradave shkencore është Agjencia Kombëtare e Shërbimeve Arsimore.
…
5. Institucioni përgjegjës për njohjen zyrtare, në Republikën e Shqipërisë, të titujve akademikë të lëshuar jashtë vendit është ministria përgjegjëse për arsimin. Ky proces kryhet nga njësia përgjegjëse e njësimit të diplomave nëpërmjet komisioneve përkatëse. Sekretariati teknik për këtë shërbim ndodhet pranë Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore.
…
7. Baza e të dhënave kombëtare e diplomave, certifikatave, gradave dhe titujve të njësuar apo të njohur në Republikën e Shqipërisë mbahet e administrohet në përputhje me legjislacionin në fuqi për bazat e të dhënave shtetërore .”.
Neni 18
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
NIKO PELESHI
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR KRIJIMIN E AGJENCISË KOMBËTARE TË SHËRBIMEVE ARSIMORE”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Arsimit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.