Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 26 mars 2026
VE N D I M
PËR
DEKLARIMIN PASURI KULTURORE E PALUAJTSHME “ANSAMBËL ARKITEKTONIK URBAN” TË FSHATIT LIN, PËRCAKTIMIN E ZONËS MBROJTËSE TË TIJ DHE MIRATIMIN E PLANIT PËR RUAJTJEN, MBROJTJEN DHE ADMINISTRIMIN E TYRE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 9, pika 3, shkronjat “a” e “ç”, dhe 62, pika 3, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Deklarimin pasuri kulturore e paluajtshme “Ansambël arkitektonik urban” të një zone në fshatin Lin, sipas hartës dhe koordinatave në Kornizën Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH), që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Përcaktimin e zonës mbrojtëse të “Ansamblit arkitektonik urban” të një zone në fshatin Lin, sipas hartës dhe koordinatave në Kornizën Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH), që i bashkëlidhen këtij vendimi.
3. Miratimin e planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e këtyre zonave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4. Ngarkohet Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor për publikimin e hartave të “Ansamblit Arkitektonik Urban” të fshatit Lin dhe zonës mbrojtëse në Gjeoportalin Kombëtar.
5. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për regjistrimin e këtij vendimi, në përputhje me ligjin nr.111/2018, “Për kadastrën”, dhe me aktet nënligjore në fuqi.
6. Ngarkohen Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Mjedisit dhe Bashkia Pogradec për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLORES SË PËRGJITHSHME TË METODOLOGJISË SË PËRCAKTIMIT TË DËNIMEVE ADMINISTRATIVE NË PROCESIN E INSPEKTIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 7, të nenit 44, të ligjit nr.99/2024, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullores së përgjithshme të metodologjisë së përcaktimit të dënimeve administrative në procesin e inspektimit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen ministritë e linjës, inspektoratet qendrore dhe strukturat inspektuese, Inspektorati i Përgjithshëm, njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe inspektoratet vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLAVE SPECIFIKE PËR TRANSFERIMIN OSE DHËNIEN ME QIRA TË TË DREJTAVE TË PËRDORIMIT TË FREKUENCAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 71, të ligjit nr.54/2024, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullave specifike për transferimin ose dhënien me qira të të drejtave të përdorimit të frekuencave, sipas rregullores që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohet Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË CENTRALIT GJENERUES TË ENERGJISË ELEKTRIKE FOTOVOLTAIKE DHE VEPRAVE NDIHMËSE, I CILI NUK ËSHTË OBJEKT KONCESIONI, NË NJËSINË ADMINISTATIVE MBRESHTAN, BASHKIA KOLONJË, QARKU KORÇË, NGA SHOQËRIA “TEKNO FIRE”, SH.P.K.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, në njësinë administrative Mbreshtan, Bashkia Kolonjë, Qarku Korçë, nga shoqëria “TEKNO FIRE”, sh.p.k., me elementet, si më poshtë vijon:
a) Emri i aplikuesit: Shoqëria “TEKNO FIRE”, sh.p.k.;
b) NIPT/NUIS: L01307010S;
c) Tipi i centralit: Fotovoltaik;
ç) Kapaciteti i instaluar: 102 MW;
d) Afati i pritshëm i vënies në punë dhe pajisja me leje ndërtimi: Koha për ndërtimin, pajisjen me lejen e ndërtimit dhe vënien në operim të impiantit fotovoltaik do të jetë brenda 36 (tridhjetë e gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
dh) Vendndodhja e burimit gjenerues të energjisë: Në njësinë administrative Mbreshtan, Bashkia Kolonjë, Qarku Korçë;
e) Afati i operimit: 49 (dyzet e nëntë) vjet nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
ë) Koordinatat e projektit sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
f) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme, me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe të dokumentacionit të projektit;
g) Shoqëria “TEKNO FIRE”, sh.p.k., ka detyrimin që:
i. të paraqesë periodikisht, çdo tre muaj, pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore informacion për ecurinë e ndërtimit të centralit fotovoltaik;
ii. të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;
iii. të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës ndërmjet shoqërisë “TEKNO FIRE”, sh.p.k., dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera që lidhen me zbatimin e saj;
iv. t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 (dy) % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, shuma duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit;
v. të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqëria “TEKNO FIRE”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË CENTRALIT GJENERUES TË ENERGJISË ELEKTRIKE FOTOVOLTAIKE DHE VEPRAVE NDIHMËSE, I CILI NUK ËSHTË OBJEKT KONCESIONI, NË AFËRSI TË FSHATIT VËRNIK, NJËSIA ADMINISTRATIVE QENDËR BILISHT, BASHKIA DEVOLL, QARKU KORÇË, NGA SHOQËRIA “KRONOS KONSTRUKSION”, SH.P.K.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, në afërsi të fshatit Vërnik, njësia administrative Qendër Bilisht, Bashkia Devoll, Qarku Korçë, nga shoqëria “KRONOS KONSTRUKSION”, sh.p.k., me elementet, si më poshtë vijon:
a) Emri i aplikuesit: shoqëria “KRONOS KONSTRUKSION”, sh.p.k.;
b) NIPT/NUIS: K41416033P;
c) Tipi i centralit: fotovoltaik;
ç) Kapaciteti i instaluar: 50MW;
d) Afati i pritshëm i vënies në punë dhe pajisja me leje ndërtimi: koha për ndërtimin, pajisjen me lejen e ndërtimit dhe vënien në operim të impiantit fotovoltaik do të jetë brenda 36 (tridhjetë e gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
dh) Vendndodhja e burimit gjenerues të energjisë: në afërsi të fshatit Vërnik, njësia administrative Qendër Bilisht, Bashkia Devoll, Qarku Korçë;
e) Afati i operimit: 49 (dyzet e nëntë) vjet nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
ë) Koordinatat e tokës dhe planvendosja sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
f) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe të dokumentacionit të projektit;
g) Shoqëria “KRONOS KONSTRUKSION”, sh.p.k., ka detyrimin që:
i. të paraqesë periodikisht (çdo tre muaj), pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, informacion mbi ecurinë e ndërtimit të centralit fotovoltaik;
ii. të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;
iii. të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës ndërmjet shoqërisë “KRONOS KONSTRUKSION”, sh.p.k., dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera që lidhen me zbatimin e saj;
iv. t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 (dy) % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, shuma duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit;
v. të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqëria “KRONOS KONSTRUKSION”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN E DISA ZONAVE ME PËRPARËSI ZHVILLIMIN E EKONOMISË MALORE NË BASHKINË BULQIZË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 4, të ligjit nr.20/2025, “Për paketën e maleve”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen “Zonë me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore” të disa zonave në territorin e Bashkisë Bulqizë, si më poshtë vijon:
a) Zona nr.1, fshatrat Gjon, Ndërfushas, Lenë, Peshk, Stavec, Mëlcu dhe Val, pjesë të njësisë administrative Martanesh, Bashkia Bulqizë, Qarku Dibër, me sipërfaqe 15 184 (pesëmbëdhjetë mijë e njëqind e tetëdhjetë e katër) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
b) Zona nr.2, fshatrat Peladhi, Godvi, Krajkë, Zërqan, Sofraçan, Tërnovë e Madhe, Tërnovë e Vogël, Strikçan, Zall-Strikçan, Sopot, Zall-Sopot dhe Valikardhë, pjesë të njësisë administrative Zerqan, Bashkia Bulqizë, Qarku Dibër, me sipërfaqe 5 400 (pesë mijë e katërqind) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
c) Zona nr.3, fshatrat Fushë-Bulqizë, Dragua, Dushaj dhe Koçaj, pjesë të njësisë administrative Fushë-Bulqizë, Bashkia Bulqizë, Qarku Dibër, me sipërfaqe 3 362 (tre mijë e treqind e gjashtëdhjetë e dy) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
ç) Zona nr.4, fshatrat Kovashicë, Bllacë, Zogjaj, Gjuras, Shtushaj dhe Mazhicë, pjesë të njësisë administrative Shupenzë, Bashkia Bulqizë, Qarku Dibër, me sipërfaqe 2 601 (dy mijë e gjashtëqind e një) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
d) Zona nr.5, fshatrat Gjoricë e Sipërme, Gjoricë e Poshtme, Viçisht, Lubalesh, Çerenec i Poshtëm dhe Çerenec i Sipërm, pjesë të njësisë administrative Gjoricë, Bashkia Bulqizë, Qarku Dibër, me sipërfaqe 2 459 (dy mijë e katërqind e pesëdhjetë e nëntë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
dh) Zona nr.6, fshatrat Kojavec, Lejçan, Orzhanovë, Ostren i Madh, Radovesh, Lladomericë, Pasinkë dhe Tërbaç, pjesë të njësisë administrative Ostren, Bashkia Bulqizë, Qarku Dibër, me sipërfaqe 3 854 (tre mijë e tetëqind e pesëdhjetë e katër) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
e) Zona nr.7, fshati Vajkal nr.1, pjesë e njësisë administrative Bulqizë, Bashkia Bulqizë, Qarku Dibër, me sipërfaqe 443 (katërqind e dyzet e tre) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
ë) Zona nr.8, fshati Klenjë, pjesë e njësisë administrative Trebisht, Bashkia Bulqizë, Qarku Dibër, me sipërfaqe 703 (shtatëqind e tre) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH.
2. Shtrirja, kufijtë dhe pikat e hyrjes e të daljes së këtyre zonave përcaktohen në hartën treguese, sipas sistemit KRGJSH, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Llojet e aktiviteteve, që do të zhvillohen në këto zona, janë:
a) të zhvillimit ekonomik;
b) të zhvillimit industrial;
c) të zhvillimit turistik.
4. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Bulqizë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN E DISA ZONAVE ME PËRPARËSI ZHVILLIMIN E EKONOMISË MALORE NË BASHKINË PUKË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 4, të ligjit nr.20/2025, “Për paketën e maleve”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen “Zonë me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore” në territorin e Bashkisë Pukë të zonave, si më poshtë vijon:
a) Zona nr.1, fshatrat Lajthizë dhe Pukë, pjesë e njësisë administrative Pukë, Bashkia Pukë, Qarku Shkodër, me sipërfaqe 1659.88 (një mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë e nëntë pikë tetëdhjetë e tetë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
b) Zona nr.2, fshatrat Luf-Plan, Kçirë dhe Plet, pjesë të njësisë administrative Qerret, Bashkia Pukë, Qarku Shkodër, me sipërfaqe 910.01 (nëntëqind e dhjetë pikë zero një) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
c) Zona nr.3, fshatrat Korthpulë, Vrith dhe Gomsiqe, pjesë të njësisë administrative Qerret, Bashkia Pukë, Qarku Shkodër, me sipërfaqe 3911.72 (tre mijë e nëntëqind e njëmbëdhjetë pikë shtatëdhjetë e dy) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
ç) Zona nr.4, fshatrat Qelëz, Buzhalë, Lëvrushk dhe Bushat, pjesë të njësisë administrative Qelëz, Bashkia Pukë, Qarku Shkodër, me sipërfaqe 1981.47 (një mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e një pikë dyzet e shtatë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
d) Zona nr.5, fshatrat Kabash, Meçe dhe Buhot, pjesë të njësisë administrative Rrape, Bashkia Pukë, Qarku Shkodër, me sipërfaqe 1486.84 (një mijë e katërqind e tetëdhjetë e gjashtë pikë tetëdhjetë e katër) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
dh) Zona nr.6, fshatrat Rrape, Bicaj dhe Breg, pjesë të njësisë administrative Rrape, Bashkia Pukë, Qarku Shkodër, me sipërfaqe 720.15 (shtatëqind e njëzet pikë pesëmbëdhjetë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
e) Zona nr.7, fshatrat Shkozë dhe Gojani i Madh, pjesë të njësisë administrative Gjegjan, Bashkia Pukë, Qarku Shkodër, me sipërfaqe 813.35 (tetëqind e trembëdhjetë pikë tridhjetë e pesë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
ë) Zona nr.8, fshatrat Mesul dhe Gojani i Vogël, pjesë të njësisë administrative Gjegjan, Bashkia Pukë, Qarku Shkodër, me sipërfaqe 2687.08 (dy mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e shtatë pikë zero tetë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH.
2. Shtrirja, kufijtë dhe pikat e hyrjes e të daljes së këtyre zonave përcaktohen në hartën treguese sipas sistemit KRGJSH, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Llojet e aktiviteteve, që do të zhvillohen në këto zona, janë:
a) të zhvillimit ekonomik;
b) të zhvillimit industrial;
c) të zhvillimit turistik.
4. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Pukë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN E DISA ZONAVE ME PËRPARËSI ZHVILLIMIN E EKONOMISË MALORE NË BASHKINË LEZHË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 4, të ligjit nr.20/2025, “Për paketën e maleve”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen “Zonë me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore” të disa zonave në territorin e Bashkisë Lezhë, si më poshtë vijon:
a) Zona nr.1, fshatrat Balldren, Mali-Rencit, Kodër Mulliri, qyteti Lezhë, pjesë të njësive administrative Balldren, Shëngjin dhe Lezhë, Bashkia Lezhë, Qarku Lezhë, me sipërfaqe 1 199 (një mijë e njëqind e nëntëdhjetë e nëntë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
b) Zona nr.2, fshatrat Mali-Kakariq, Koljakaj, Torovicë dhe Zojs, pjesë të njësive administrative Balldren dhe Dajç, Bashkia Lezhë, Qarku Lezhë, me sipërfaqe 2 082 (dy mijë e tetëdhjetë e dy) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
c) Zona nr.3, fshatrat Mabë dhe Dragush, pjesë të njësisë administrative Dajç, Bashkia Lezhë, Qarku Lezhë, me sipërfaqe 222 (dyqind e njëzet e dy) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
ç) Zona nr.4, fshati Dajç, pjesë e njësisë administrative Dajç, Bashkia Lezhë, Qarku Lezhë, me sipërfaqe 89 (tetëdhjetë e nëntë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
d) Zona nr.5, fshati Kodhel, pjesë e njësisë administrative Blinisht, Bashkia Lezhë, Qarku Lezhë, me sipërfaqe 119 (njëqind e nëntëmbëdhjetë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
dh) Zona nr.6, fshati Baqel, pjesë e njësisë administrative Blinisht, Bashkia Lezhë, Qarku Lezhë, me sipërfaqe 85 (tetëdhjetë e pesë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
e) Zona nr.7, fshati Baqel, pjesë e njësisë administrative Blinisht, Bashkia Lezhë, Qarku Lezhë, me sipërfaqe 49 (dyzet e nëntë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
ë) Zona nr.8, fshati Fishtë, pjesë e njësisë administrative Blinisht, Bashkia Lezhë, Qarku Lezhë, me sipërfaqe 14 (katërmbëdhjetë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
f) Zona nr.9, fshatrat Krajnë, Fishtë, Troshan, Kallmet i Vogël, Kallmet i Madh, Mërqi, Rraboshtë, Velë, Gjash, Lalm, Lalm Lukaj, Kacinar, Grykë, Manati, Patalej, Tresh, Spiten, Pruell, Markatomaj, Zejmen dhe Pllanë, pjesë të njësive administrative Blinisht, Kallmet, Kolsh dhe Zejmen, Bashkia Lezhë, Qarku Lezhë, me sipërfaqe 8 314 (tetë mijë e treqind e katërmbëdhjetë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
g) Zona nr.10, fshatrat Ungrej, Kashnjet, Gjobardhaj, Kalivaç, Ras-Butë, Zinaj, Fregen, Kaluer, Sukaxhi, pjesë të njësisë administrative Ungrej, Bashkia Lezhë, Qarku Lezhë, me sipërfaqe 7 102 (shtatë mijë e njëqind e dy) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
gj) Zona nr.11, fshatrat Kolsh, Grykë dhe qyteti Lezhë, pjesë të njësive administrative Lezhë dhe Kolsh, Bashkia Lezhë, Qarku Lezhë, me sipërfaqe 259 (dyqind e pesëdhjetë e nëntë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
h) Zona nr.12, fshati Berzane, pjesë e njësisë administrative Zejmen, Bashkia Lezhë, Qarku Lezhë, me sipërfaqe 753 (shtatëqind e pesëdhjetë e tre) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH.
2. Shtrirja, kufijtë dhe pikat e hyrjes e të daljes së këtyre zonave përcaktohen në hartën treguese, sipas sistemit KRGJSH, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Llojet e aktiviteteve, që do të zhvillohen në këtë zonë, janë:
⦁ të zhvillimit ekonomik;
⦁ të zhvillimit industrial;
⦁ të zhvillimit turistik.
4. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Lezhë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PLANIT KOMBËTAR TË VEPRIMIT TË GARANCISË EVROPIANE PËR FËMIJËT 2026 – 2030
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Planit Kombëtar të Veprimit të Garancisë Evropiane për Fëmijët 2026 – 2030, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Financave, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Arsimit, Ministria e Punëve të Brendshme, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Shërbimi Social Shtetëror, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror, Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve dhe inspektorati përgjegjës për shërbimet shoqërore dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V ENDIM
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.645, DATË 1.10.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR NGRITJEN DHE MËNYRËN E FUNKSIONIMIT TË KOMISIONIT TË ÇMIMIT TË BARNAVE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 38 të ligjit nr.105/2014, “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.645, datë 1.10.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për ngritjen dhe mënyrën e funksionimit të Komisionit të Çmimit të Barnave”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Komisioni i Çmimit të Barnave ka këtë përbërje:
a) Dy përfaqësues nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë;
b) Një përfaqësues nga ministria përgjegjëse për financat;
c) Një përfaqësues nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor;
ç) Një përfaqësues nga Agjencia Kombëtare për Barnat dhe Pajisjet Mjekësore.
Kryetar caktohet njëri nga përfaqësuesit e ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë.
Sekretari i komisionit është një përfaqësues i sektorit përgjegjës për farmaceutikën në ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë.
Titullarët e institucioneve të përmendura në këtë pikë caktojnë, në detyrën e anëtarit të komisionit, punonjës, që kanë lidhje me funksionin dhe detyrat e këtij komisioni.”.
2. Në pikat 3, 8 dhe 15, togfjalëshi “… 31 tetor …” zëvendësohet me “… 30 shtator …”.
3. Në fjalinë e dytë, të pikës 4, pas fjalës “… i vulosur …” shtohen fjalët “… ose i nënshkruar elektronikisht …”.
4. Në pikën 5, togfjalëshi “… 30 shtator” zëvendësohet me “… 1 shtator”.
5. Në pikën 6, togfjalëshi “… 5 nëntor …” zëvendësohet me “… 5 tetor …”.
6. Pika 9 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“9. Çmimet “CIF” të deklaruara në Shqipëri do të krahasohen me çmimet CIF të shteteve referente: Itali, Greqi, Serbi, Maqedoni e Veriut dhe Kroaci. Në rastet kur mungon informacioni për çmimet CIF nga shtetet referente, krahasimi do të bëhet me çmimet e shitjes me pakicë të barit.”.
7. Pika 12 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“12. “Çmimi i referencës për Shqipërinë” do të jetë çmimi më i ulët nga elementet e mëposhtme:
a) Çmimi mesatar i tre çmimeve më të ulëta, që aplikohet ndër pesë shtetet referente;
b) Çmimi i tregtimit me pakicë të barit në vendin e origjinës;
c) Çmimi i barnave të importuara në Republikën e Shqipërisë gjatë 12 (dymbëdhjetë) muajve të fundit ose çmimi CIF i miratuar një vit më parë.”.
8. Pika 13 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“13. Çmimi i barit gjenerik dhe biosimilar duhet të jetë deri në 80% të çmimit të barit origjinator, i cili është i pajisur me autorizim për tregtim në vendin tonë. Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, gjatë dhënies së autorizimit të tregtimit të barnave, evidenton barnat gjenerikë apo biosimilarë dhe barnat origjinatorë.”.
9. Në fjalinë e dytë të pikës 17, pas fjalëve “… barnat ekzistuese …” shtohen “… të listës, vetëm për ato, të cilat janë alternativë e parë dhe e vetme e saj …”.
II. Përjashtimisht, për vitin 2026, me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Komisioni i Çmimit të Barnave duhet të bëjë, brenda 10 (dhjetë) ditëve, një rivlerësim të çmimeve të miratuara për vitin 2026, sipas përcaktimeve të këtij vendimi. Lista me çmimet e reja publikohet dhe u përcillet për zbatim Agjencisë Kombëtare për Barnat dhe Pajisjet Mjekësore dhe Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE PËR ORGANIZIMIN, FUNKSIONIMIN DHE PËRBËRJEN E KOMISIONIT TË VLERËSIMIT, SI DHE TË KRITEREVE, PROCEDURAVE TË PËRZGJEDHJES E TË SHPËRBLIMIT TË ANËTARËVE TË TIJ
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 15, të ligjit nr.75/2019, “Për rininë”, i ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Komisioni i Vlerësimit, në vijim “komisioni”, ngrihet për shqyrtimin dhe vlerësimin e kërkesave për mbështetje përmes fondeve grant të buxhetit të shtetit, të dedikuara për rininë, të paraqitura nga organizatat rinore dhe/ose për të rinjtë, bashkitë, grupet joformale rinore dhe këshillat rinorë vendorë, në kuadër të thirrjeve publike të Agjencisë Kombëtare të Rinisë (në vijim “AKR).
2. Ky vendim ka si objekt përcaktimin e përbërjes, rregullave të organizimit, funksionimit dhe detyrave të komisionit të vlerësimit për thirrjet, si dhe përcaktimin e kritereve, procedurës së përzgjedhjes, rasteve të mbarimit të mandatit e të lirimit nga detyra të anëtarëve, si dhe të masës së shpërblimit financiar të tyre.
II. PËRBËRJA E KOMISIONIT TË VLERËSIMIT, KRITERET DHE PROCEDURA E PËRZGJEDHJES SË ANËTARËVE
1. Për shqyrtimin dhe vlerësimin e kërkesave për mbështetje përmes fondeve grant të buxhetit të shtetit, të dedikuara për rininë, ngrihet komisioni i vlerësimit me përbërje të posaçme, në bazë të thirrjes publike të shpallur nga AKR-ja.
a) Komisioni i vlerësimit, i ngritur për të vlerësuar thirrjet për organizatat rinore dhe/ose për të rinjtë, përbëhet nga:
i. 1 (një) anëtar i caktuar nga ministri përgjegjës për rininë, në rolin e kryetarit të komisionit;
ii. 2 (dy) anëtarë të caktuar nga titullari i AKR-së;
iii. 2 (dy) anëtarë ekspertë nga shoqëria civile, me përvojë në vlerësimin e projekteve zhvillimore apo me ndikim te të rinjtë e përzgjedhur nga AKR-ja, sipas procedurës së parashikuar në këtë vendim.
b) Komisioni i vlerësimit, i ngritur për të vlerësuar thirrjet për bashkitë, përbëhet nga:
i. 1 (një) anëtar i caktuar nga ministri përgjegjës për rininë, në rolin e kryetarit të komisionit;
ii. 1 (një) anëtar i caktuar nga titullari i AKR-së;
iii. 1 (një) anëtar ekspert, me profil inxhinier civil dhe me përvojë në zbatimin dhe/ose supervizimin e projekteve të vogla infrastrukturore.
c) Komisioni i vlerësimit, i ngritur për të vlerësuar thirrjet për grupe joformale rinore dhe këshillat rinorë vendorë, përbëhët nga 3 (tre) anëtarë, të emëruar nga titullari i AKR-së.
2. Anëtarët e komisionit të vlerësimit, të parashikuar në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 1, të këtij kreu, miratohen nga ministri përgjegjës për rininë.
3. Anëtari i komisionit të vlerësimit, sipas parashikimeve në nënndarjet “i” dhe “ii”, shkronja “a”, dhe në nënndarjet “i” dhe “ii”, shkronja “b”, të pikës 1, duhet të plotësojë kushtet dhe kriteret e mëposhtme:
a) Të jetë nëpunës i administratës shtetërore;
b) Të ketë si pjesë të detyrave funksionale hartimin, zbatimin ose monitorimin e politikave, programeve dhe/ose projekteve për rininë;
c) Të ketë jo më pak se 2 (dy) vjet përvojë pune në fushën e rinisë ose të ushtrojë funksion drejtues në institucionin përgjegjës për zbatimin e politikave rinore.
4. Anëtari, ekspert i komisionit të vlerësimit, i përcaktuar në nënndarjen “iii”, të shkronjës “a”, të pikës 1, të këtij kreu, duhet të plotësojë kushtet dhe kriteret e mëposhtme:
a) Të ketë mbaruar studimet universitare të ciklit të dytë (“Master i Shkencave” ose ekuivalent), për drejtësi, administrim publik, shkenca ekonomike apo shkenca shoqërore;
b) Të mos jetë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë;
c) Të ketë mbi 10 (dhjetë) vjet përvojë pune në fushën e politikave sociale dhe rinore;
ç) Të ketë përvojë të mëparshme në vlerësimin e propozimeve të organizatave të shoqërisë civile në kuadër të thirrjeve konkurruese për financim;
d) Të ketë përvojë në përgatitjen, zbatimin, monitorimin dhe/ose vlerësimin e projekteve të financuara me fonde publike;
dh)Të ketë njohuri në fushën e politikave dhe çështjeve rinore.
5. Anëtari, ekspert i komisionit të vlerësimit, i përcaktuar në nënndarjen “iii”, të shkronjës “b”, të pikës 1, të këtij kreu, duhet të plotësojë kushtet e kriteret e mëposhtme:
a) Të ketë mbaruar studimet universitare të ciklit të dytë (“Master i Shkencave” ose ekuivalent), për inxhinieri civile;
b) Të mos jetë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë;
c) Të ketë mbi 10 (dhjetë) vjet përvojë pune;
ç) Të ketë përvojë në projektimin, zbatimin dhe/ose supervizimin e projekteve infrastrukturore të financuara me fonde publike.
6. Anëtari i komisionit të vlerësimit, sipas parashikimeve të shkronjës “c”, të pikës 1, duhet të plotësojë kushtet dhe kriteret e mëposhtme:
a) Të jetë nëpunës i Agjencisë Kombëtare të Rinisë;
b) Të ketë si pjesë të detyrave funksionale hartimin, zbatimin ose monitorimin e politikave, programeve dhe/ose projekteve për rininë;
c) Të ketë jo më pak se 2 (dy) vjet përvojë pune në fushën e rinisë.
7. Anëtari, ekspert i komisionit të vlerësimit, i parashikuar në shkronjat “a”, nënndarja “iii”, dhe “b”, nënndarja “iii”, të pikës 1, të këtij kreu, përzgjidhet mbi bazën e një procesi të hapur konkurrimi.
8. AKR-ja harton termat e referencës dhe shpall thirrjen e konkurrimit për ekspertët, brenda 7 (shtatë) ditëve kalendarike nga shpallja e thirrjes publike për mbështetje përmes fondeve grant të buxhetit të shtetit, të dedikuara për rininë. Thirrja publikohet në faqen e internetit të institucionit dhe qëndron e hapur për të paktën 10 (dhjetë) ditë.
9. Kandidati për pozicionin e ekspertit në komisionin e vlerësimit dorëzon në rrugë elektronike pranë AKR-së dokumentacionin, si më poshtë vijon:
a) Jetëshkrimin;
b) Kopje të dokumentit të identifikimit;
c) Letërmotivimin;
ç) Vetëdeklarimin për vërtetësinë e të dhënave;
d) Kopjen e diplomës universitare;
dh) Dëshminë e penalitetit.
10.AKR-ja bën shqyrtimin dhe vlerësimin e dokumentacionit të kandidatëve dhe, brenda 5 (pesë) ditëve nga përfundimi i thirrjes së konkurrimit për ekspertë, sipas rastit, shpall fitues:
a) 2 (dy) kandidatët e vlerësuar me pikët më të larta, në cilësinë e anëtarit të komisionit të vlerësimit, të parashikuar në nënndarjen “iii”, të shkronjës “a”, të pikës 1, të këtij kreu. Në rastin e krijimit të vakancës, ekspertët e parë zëvendësohen nga 2 (dy) kandidatët e renditur menjëherë pas tyre.
b) kandidatin e vlerësuar me pikët më të larta, në cilësinë e anëtarit të komisionit të vlerësimit të përcaktuar në nënndarjen “iii”, të shkronjës “b”, të pikës 1, të këtij kreu. Në rast të krijimit të vakancës, eksperti i parë zëvendësohet nga një 1 (një) kandidat i renditur menjëherë pas tij.
III. ORGANIZIMI, FUNKSIONIMI DHE DETYRAT E KOMISIONIT TË VLERËSIMIT, RASTET E MBARIMIT TË MANDATIT DHE TË LIRIMIT NGA DETYRA TË ANËTARËVE
1. Mbledhjet e komisionit të vlerësimit zhvillohen pranë AKR-së.
2. Komisioni i vlerësimit mbështetet në punën e tij nga sekretariati teknik, i përbërë nga 2 (dy) anëtarë, të emëruar nga titullari i AKR-së.
3. Mbledhjet thirren dhe drejtohen nga kryetari i komisionit të vlerësimit. Në mungesë të kryetarit, me delegim të tij, mbledhja drejtohet nga një anëtar tjetër i komisionit të vlerësimit.
4. Sekretariati teknik njofton anëtarët e komisionit të vlerësimit, të paktën 2 (dy) ditë përpara datës së caktuar për mbledhjen.
5. Komisioni i vlerësimit mblidhet në mbledhjen e parë, jo më vonë se 5 (pesë) ditë kalendarike pas mbylljes së thirrjes publike të AKR-së. Gjatë kësaj mbledhjeje, me propozim të kryetarit dhe me shumicën e votave të anëtarëve të tij, miratohet kalendari i punës së komisionit të vlerësimit.
6. Anëtarët e komisionit të vlerësimit dhe sekretariatit teknik nënshkruajnë një deklaratë për parandalimin e konfliktit të interesit dhe konfidencialitetit, përpara fillimit të ushtrimit të detyrës.
7. Sekretariati teknik administron aplikimet e kandidatëve në thirrjen publike, së bashku me dokumentacionin shoqërues dhe i vendos në dispozicion të anëtarëve të komisionit të vlerësimit.
8. Komisioni i vlerësimit ushtron këto detyra dhe kompetenca:
a) Shqyrton dhe vlerëson çdo projektpropozim të dorëzuar në thirrjen konkurruese të AKR-së, bazuar në kriteret, procedurat, dokumentacionin dhe afatet e thirrjes publike dhe parashikimet e vendimit nr.566, datë 29.7.2022 të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurave të përzgjedhjes së organizatave rinore dhe organizatave për të rinjtë, që përfitojnë financime nga fondet grant nga buxheti i shtetit, të dedikuara për rininë”, i ndryshuar.
b) Plotëson formularët e vlerësimit për çdo projektpropozim të dorëzuar ku anëtarët e tij japin pikët individuale;
c) Përgatit renditjen paraprake të projektpropozimeve bazuar në pikëzimin dhe vendimmarrjen e të gjithë anëtarëve dhe, sipas rastit, përgatit rekomandimet për rishikim të projektpropozimeve individuale, me qëllim përmirësimin e tyre;
ç) Harton e nënshkruan procesverbalin e vlerësimit të projektpropozimeve dhe listën e projekteve të përzgjedhura për financim.
9. Komisioni, në përfundim të procesit të vlerësimit, harton procesverbalin e vlerësimit të projektpropozimeve të dorëzuara nga kandidatët në thirrjen konkurruese të AKR-së. Procesverbali përmban renditjen e projektpropozimeve të shqyrtuara bazuar në pikëzimin e të gjithë anëtarëve të komisionit, vendimmarrjen e arsyetuar për çdo projektpropozim, rekomandimet për rishikim të një projektpropozimi të përzgjedhur me kusht për financim dhe informacionin për projektet e skualifikuara për mungesë dokumentacioni. Procesverbali nënshkruhet nga të gjithë anëtarët e komisionit dhe administrohet nga AKR-ja.
10.Procesverbali i vlerësimit, nëpërmjet AKR-së, i dërgohet brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike për miratim ministrit përgjegjës për rininë.
11.Mandati i anëtarit të komisionit të vlerësimit fillon me aktin e emërimit dhe përfundon me përfundimin e plotë të procedurës së vlerësimit për thirrjen publike përkatëse, përfshirë miratimin e listës përfundimtare të projekteve të përzgjedhura për financim.
12. Mandati i anëtarit të komisionit të vlerësimit mbaron në rastet e mëposhtme:
a) Jep dorëheqjen;
b) Humbet zotësinë juridike për të vepruar me vendim gjykate;
c) Dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë;
ç) Me vdekjen e anëtarit;
d) Përfundon mandati i qëndrimit në detyrë;
dh)Lirohet nga detyra.
13.Anëtari i komisionit të vlerësimit lirohet nga detyra, para përfundimit të mandatit, në rastet e mëposhtme:
a) Ndërpret marrëdhënien e punës me institucionin që përfaqëson;
b) Me veprimet e tij dëmton veprimtarinë e komisionit të vlerësimit dhe imazhin e institucioneve përgjegjëse për funksionimin e këtij komisioni;
c) Nuk përmbush detyrat si anëtar i komisionit të vlerësimit;
ç) Nuk merr pjesë në 2 (dy) mbledhje radhazi të komisionit pa shkak të arsyeshëm dhe nuk ka njoftuar paraprakisht kryetarin.
14. Pozicioni i anëtarit të komisionit të vlerësimit, i mbetur vakant për shkak të rasteve të mbarimit të mandatit apo lirimit nga detyra e anëtarit, plotësohet brenda 5 (pesë) ditësh kalendarike nga krijimi i vakancës, sipas procedurës së ndjekur për emërimin e anëtarit të larguar.
15. Kohëzgjatja e mandatit të anëtarit zëvendësues është sa pjesa e mbetur e mandatit të anëtarit të larguar.
IV. MASA E SHPËRBLIMIT
1. Kryetari dhe anëtarët e komisionit të vlerësimit të thirrjeve përfitojnë shpërblim financiar për vlerësimin e dosjeve aplikuese.
2. Shpërblimi llogaritet në masën 800 (tetëqind) lekë për çdo dosje aplikimi nga organizatat rinore dhe/ose për të rinjtë dhe bashkitë, të vlerësuar nga anëtari përkatës, dhe 280 (dyqind e tetëdhjetë) lekë për çdo dosje aplikimi nga grupet rinore joformale, të vlerësuar nga anëtari përkatës.
3. Shpërblimi llogaritet sipas numrit real të dosjeve të vlerësuara, të vërtetuar në procesverbalin e komisionit.
4. Shpërblimi paguhet nga buxheti i Agjencisë Kombëtare të Rinisë.
V. DISPOZITA TË FUNDIT
1. Funksionimi i komisionit të vlerësimit u nënshtrohet rregullave të parashikuara në legjislacionin për organet kolegjiale të administratës shtetërore për çështjet që nuk janë të rregulluara posaçërisht në këtë vendim.
2. Në vendimin nr.566 datë 29.7.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurave të përzgjedhjes së organizatave rinore dhe organizatave për të rinjtë, që përfitojnë financime nga fondet grant nga buxheti i shtetit, të dedikuara për rininë”, i ndryshuar, shkronja “d” e nenit 2, dhe nenet 13, 14 e 15 shfuqizohen.
3. Ngarkohen ministria përgjegjëse për rininë dhe Agjencia Kombëtare e Rinisë (AKR) për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.28, DATË 17.1.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR EMËRIMIN E ANËTARËVE TË BORDIT TË MENAXHIMIT TË AUTORITETIT RRUGOR SHQIPTAR”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.10164, datë 15.10.2009, “Për Autoritetin Rrugor Shqiptar”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në fjalinë hyrëse të pikës 1, të vendimit nr.28, datë 17.1.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për emërimin e anëtarëve të bordit të menaxhimit të Autoritetit Rrugor Shqiptar”, të ndryshuar, fjalët “… z. Ermal Nufi, përfaqësues i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë …” zëvendësohen me “… znj. Persida Shkrepa, përfaqësues i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë…”.
2. Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DHËNIE MENDIMI KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR PROJEKTLIGJIN JOQEVERITAR “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.34/2019, “PËR ADMINISTRIMIN E PASURIVE TË SEKUESTRUARA DHE TË KONFISKUARA”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 82, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Dhënien e mendimit Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin joqeveritar “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.34/2019, “Për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara”, të ndryshuar”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DHËNIE PENSIONI TË POSAÇËM SHTETËROR Z. FATMIR QERAMUDIN CUKA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Dhënien e pensionit të posaçëm shtetëror z. Fatmir Qeramudin Cuka, në masën e dhjetëfishit të pensionit social.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***