Negociatat me BE, Shqipëria drejt fazës së mbylljes së kapitujve pas vlerësimit të vendeve anëtare
Shqipëria pritet të kalojë në fazën e mbylljes së 33 kapitujve të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, sapo të marrë vlerësimin pozitiv nga vendet anëtare për përmbushjen e kushteve, kryesisht në fushat e rendit, sigurisë dhe të drejtave të njeriut.
Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja Majlinda Dhuka, gjatë një takimi me Kryeministrin Edi Rama dhe ministrat, paraqiti ecurinë e negociatave dhe hapat që mbeten për përmbushjen e kritereve të anëtarësimit në 19 muajt e ardhshëm. Ajo theksoi se Shqipëria është në rrugën e duhur për të përmbyllur kushtet dhe kriteret e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027.
Gjatë muajit mars, vendet anëtare të BE-së po shqyrtojnë progresin e Shqipërisë në përmbushjen e kushteve, ndërsa pritet një vlerësim përfundimtar në javët në vijim. Ky vlerësim është vendimtar për kalimin në fazën tjetër të procesit.
Procesi i integrimit ka hyrë në një fazë të avancuar, pasi gjatë vitit të kaluar Shqipëria çeli negociatat për të gjithë grup-kapitujt, me një ritëm sistematik. Vendi ka marrë gjithashtu vlerësim pozitiv nga Komisioni Evropian.
Në këtë kuadër, Shqipëria ka përmbushur kushtet e ndërmjetme, të lidhura kryesisht me sundimin e ligjit, sigurinë, luftën kundër krimit të organizuar, drejtësinë dhe të drejtat e njeriut, duke mbyllur këtë fazë në janar të këtij viti. Me marrjen e vlerësimit pozitiv edhe nga vendet anëtare, Shqipëria pritet të kalojë në fazën e mbylljes së kapitujve një nga një, gjithsej 33 kapituj.
Për 31 nga 33 kapituj janë përcaktuar tashmë kushtet e mbylljes, ndërsa për kapitujt që lidhen me rendin dhe drejtësinë, këto kushte do të përcaktohen pas miratimit të raportit të piketave të ndërmjetme, i cili është në proces.
Procesi mbështetet në një angazhim të gjerë institucional, me përfshirjen e 157 institucioneve në nivel kombëtar dhe në ndërveprim të vazhdueshëm me strukturat e BE-së. Deri tani, janë përmbushur 24 kushte të ndërmjetme, janë adresuar 92 hendekë kritikë dhe janë përcaktuar gjithsej 101 kushte për mbylljen e kapitujve.
Qeveria synon përmbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027, si pjesë e objektivit për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian brenda kësaj dekade. Ritmi i reformave dhe zbatimi i tyre në praktikë mbeten vendimtarë për ecurinë e procesit.