Arsimi drejt përmbylljes së kapitujve të parë të integrimit në BE, avancojnë reformat në arsimin parauniversitar

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, gjatë një konference për mediat, deklaroi se Shqipëria po shënon progres të avancuar në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor. Ajo theksoi se kapitujt 25 dhe 26, pjesë e grup-kapitujve të negociatave me BE-në, janë ndër më të avancuarit dhe pritet të jenë nga të parët që përmbyllen. Sipas Ministrisë së Arsimit, për kapitullin 26 janë përmbushur pothuajse të gjitha kriteret e kërkuara, ndërsa me miratimin e plotë të Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore, ky kapitull konsiderohet i mbyllur.

Në kuadër të këtij procesi, janë ndërmarrë një sërë reformash, përfshirë krijimin e Inspektoratit Qendror të Arsimit Parauniversitar, miratimin e Planit të Veprimit për Arsimin Digjital 2025-2030, ngritjen e Bazës Shtetërore të të Dhënave për Arsimin e Lartë (SMIAL), si dhe hartimin e planeve të integritetit dhe zhvillimit për arsimin e lartë. Paralelisht, në fushën e kërkimit shkencor janë miratuar aktet nënligjore të Ligjit për Kërkimin Shkencor, është rritur financimi në rreth 0.3% të PBB-së dhe janë konsoliduar instrumentet për inovacionin dhe regjistrimin e kualifikimeve shkencore.

Reformat në arsimin parauniversitar janë orientuar drejt përafrimit me standardet evropiane. Kurrikulat e reja janë strukturuar sipas kompetencave kyçe evropiane, duke integruar qasjen STEM, përdorimin e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, si dhe tema të tilla si zhvillimi i qëndrueshëm, siguria kibernetike dhe mirëqenia sociale. Për herë të parë, një pjesë e konsiderueshme e procesit mësimor zhvillohet përmes metodave interaktive dhe praktike.

Procesi i rishikimit të teksteve shkollore është në vijim dhe do të zbatohet gradualisht deri në vitin shkollor 2029-2030, ndërsa programet e reja lëndore për klasat 1, 6 dhe 10 tashmë janë miratuar. Paralelisht, është forcuar zhvillimi profesional i mësuesve; gjatë vitit 2025 janë trajnuar mbi 14 mijë mësues, ndërsa është miratuar edhe programi i ri trevjeçar 2026-2028.

Ndër projektet kyçe që lidhen me ndërkombëtarizimin e arsimit është krijimi i Liceut Francez të Korçës, një institucion elitar me diploma të dyfishta, i realizuar në bashkëpunim me Francën. Projekti i kampusit është miratuar dhe pritet të kthehet në një qendër rajonale për teknologjinë dhe inovacionin.

Në funksion të rritjes së cilësisë dhe transparencës, Agjencia Kombëtare e Shërbimeve Arsimore do të reformohet me mbështetjen e Universitetit të Cambridge-it dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke synuar transformim digjital, standarde më të larta vlerësimi dhe menaxhim më efikas të proceseve arsimore.

Të dhënat e fundit tregojnë se sistemi parauniversitar përfshin mbi 355 mijë nxënës, rreth 30 mijë mësues dhe një rrjet mbështetës me mësues ndihmës, psikologë dhe oficerë sigurie, duke reflektuar fokusin te gjithëpërfshirja dhe siguria në shkolla. Ndërkohë, investimet në infrastrukturë dhe laboratorë inteligjentë vijojnë, me dhjetëra kantiere në proces.

Ministria e Arsimit thekson se reformat në këtë sektor janë të lidhura drejtpërdrejt me procesin e integrimit evropian, duke synuar ndërtimin e një sistemi arsimor cilësor, të krahasueshëm me standardet e Bashkimit Evropian dhe të orientuar drejt zhvillimit afatgjatë të vendit.