Ndryshime në VKM për peshkimin: thjeshtohen procedurat dhe forcohet roli i bashkive
Këshilli i Ministrave ka miratuar ndryshime në vendimin nr. 712, datë 31.7.2013, që rregullon procedurat e konkurrimit publik për të drejtën e peshkimit në ujërat e brendshme, format e tjera të peshkimit në det pa përdorimin e mjeteve lundruese, si dhe zhvillimin e akuakulturës në sipërfaqe publike, tokësore dhe ujore.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, bëri të ditur se ndryshimet synojnë thjeshtimin dhe modernizimin e mënyrës së administrimit të burimeve ujore për peshkim dhe akuakulturë, duke krijuar procedura më të shpejta dhe më efikase.
Vendimi i ri parashikon forcimin e rolit të njësive të vetëqeverisjes vendore, duke u transferuar atyre kompetenca për menaxhimin e ujërave të brendshme, përfshirë edhe procedurat e konkurrimit publik në sektorin e peshkimit. Sipas ministrit, ky ndryshim synon t’u japë bashkive një rol më të fuqishëm si nga ana e pushtetit vendor, ashtu edhe në aspektin ekonomik, për të menaxhuar burimet ujore jo vetëm për vaditje, por edhe për peshkim.
Ky mekanizëm pritet të sigurojë një menaxhim më të integruar të ujëmbledhësve bujqësorë, të rrisë produktivitetin e tyre, të ulë burokracinë dhe të nxisë zhvillimin ekonomik lokal.
Procesi i aplikimit dhe konkurrimit do të zhvillohet plotësisht online nëpërmjet portalit e-Albania, ku subjektet do të paraqesin një dokument të vetëm, planin e biznesit, i cili do të vlerësohet nga komisionet përkatëse të bashkive.
Sipas ministrit, aktiviteti i peshkimit në ujëmbledhësit bujqësorë ka një rëndësi të veçantë sociale, pasi zhvillohet kryesisht në zona rurale dhe krijon mundësi për të ardhura shtesë për familjet, si dhe për zhvillim të integruar me aktivitete të tjera ekonomike.
Përmes këtij vendimi synohet përmirësimi i menaxhimit të burimeve ujore për vaditje dhe peshkim, si dhe forcimi i rolit të pushtetit vendor në administrimin dhe zhvillimin e këtyre sektorëve.