Integrimi në BE, Lamallari: Shqipëria avancon me reforma konkrete në Kapitullin 24

Shqipëria po përparon në procesin e integrimit evropian përmes reformave konkrete në kuadër të Kapitullit 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria”, me fokus forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, menaxhimin e migracionit dhe sigurinë kufitare. Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, deklaroi se progresi i vendit është vlerësuar pozitivisht nga institucionet dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Gjatë konferencës për shtyp, ministri Lamallari u ndal edhe te vizita e tij e fundit në Bruksel, ku zhvilloi takime me përfaqësues të institucioneve evropiane dhe shteteve anëtare. Sipas tij, në këto takime u konfirmua ecuria e negociatave dhe avancimi i Shqipërisë në këtë kapitull kyç. Ai theksoi se vendi ndodhet në një fazë të avancuar të procesit të anëtarësimit dhe negociatat vijojnë pa pengesa.

Ministria e Punëve të Brendshme ka përmbushur në mënyrë të qëndrueshme piketat e ndërmjetme të negociatave, duke i trajtuar ato si standard për rritjen e cilësisë dhe qëndrueshmërisë së reformave. Brenda një viti janë adresuar 92 hendeqe në kapitujt 23 dhe 24.

Në luftën kundër krimit të organizuar janë ndërmarrë ndryshime në Kodin Penal për trafikimin, pastrimin e parave dhe konfiskimin e aseteve, në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian. Në këtë kuadër është ngritur edhe Zyra e Rikuperimit të Aseteve, si mekanizëm kyç për konfiskimin e pasurive të krimit ekonomik dhe atij të organizuar. Paralelisht, janë miratuar strategji për kontrollin e armëve dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit.

Në fushën e luftës kundër drogës, legjislacioni është përafruar me standardet e BE-së dhe është ngritur sistemi kombëtar i paralajmërimit të hershëm për substancat psikoaktive, ndërsa është forcuar bashkëpunimi ndërinstitucional dhe ndërkombëtar.

Sa i përket migracionit dhe menaxhimit të kufijve, autoritetet kanë zbatuar Strategjinë e Migracionit dhe menaxhimit të integruar të kufijve, kanë miratuar ligje të reja për kontrollin kufitar dhe kanë avancuar me sistemet API/PNR, si dhe me Planin e Veprimit Schengen për përballimin e flukseve migratore.

Policia e Shtetit mbetet institucioni kyç në zbatimin e standardeve evropiane në terren, duke kontribuar gjithnjë e më shumë edhe në sigurinë evropiane përmes operacioneve të përbashkëta dhe shkëmbimit të informacionit në kohë reale me partnerët ndërkombëtarë.

Sipas ministrit Lamallari, procesi i integrimit në BE nuk është vetëm ekonomik dhe social, por edhe një projekt sigurie dhe gjeopolitik. Ai theksoi se reformat po ndërmerren për qytetarët shqiptarë, për të garantuar më shumë siguri, drejtësi dhe standarde evropiane, ndërsa Shqipëria ka një dritare reale mundësie për të avancuar drejt anëtarësimit.