Shqipëria dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin bujqësor, drejt përafrimit me standardet e BE-së
Shqipëria dhe Kosova do të thellojnë bashkëpunimin në sektorin bujqësor, me fokus rritjen e prodhimit vendas, lehtësimin e tregtisë dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian. Dakordësia u arrit gjatë vizitës zyrtare dyditore në Kosovë të Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, pas takimit me homologun e tij, Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës, Armend Muja.
Palët ranë dakord për forcimin e koordinimit ndërinstitucional, uljen e barrierave administrative dhe përfshirjen më të madhe të bizneseve në zhvillimin e marrëdhënieve tregtare mes dy vendeve. Një nga prioritetet kryesore mbetet rritja e prodhimit bujqësor, në kushtet kur të dy vendet janë aktualisht importuese të ushqimeve.
Në këtë kuadër, do të punohet për thjeshtësimin e marrëveshjeve ekzistuese dhe përmirësimin e zbatimit të tyre, përmes rritjes së kapaciteteve administrative dhe bashkëpunimit më të ngushtë mes institucioneve përkatëse, përfshirë autoritetet e sigurisë ushqimore dhe strukturat që mbështesin tregtinë.
Bashkëpunimi do të shtrihet gjithashtu në koordinimin e politikave për sigurinë ushqimore, zhvillimin e zinxhirit agroushqimor dhe promovimin e standardeve të BE-së, me synim krijimin e një tregu më të integruar dhe konkurrues. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet shkëmbimit të praktikave më të mira dhe avancimit të proceseve të digjitalizimit të shërbimeve.
Ministri Salla theksoi se Shqipëria po vijon punën për përafrimin e legjislacionit në kapitujt 11, 12 dhe 13 të acquis të BE-së, ndërsa dy vendet do të mbajnë takime periodike në nivel teknik për të ndjekur zbatimin e marrëveshjeve dhe avancimin e bashkëpunimit.
Objektivi i përbashkët i Shqipërisë dhe Kosovës mbetet ndërtimi i një tregu më të hapur dhe të integruar, i mbështetur në standardet evropiane dhe në besimin reciprok mes institucioneve, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit dhe përfitimeve konkrete për fermerët dhe konsumatorët.