Ministrja Sala: Modernizohet Spitali Rajonal i Lezhës, zgjerohen shërbimet dhe rriten pagat për 22 mijë punonjës shëndetësorë në të gjithë vendin
Spitali Rajonal i Lezhës ka përfunduar rikonstruksionin në vitin 2025, duke ofruar tashmë infrastrukturë dhe teknologji bashkëkohore, si pjesë e përmirësimit të shërbimeve shëndetësore në nivel rajonal dhe kombëtar.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, gjatë një inspektimi me Kryeministrin Edi Rama në mjediset e reja të spitalit, bëri të ditur se në këtë institucion është ngritur një shërbim i ri i dedikuar për sëmundjet infektive, i cili synon të ofrojë shërbime të specializuara jo vetëm për qytetin e Lezhës, por për të gjithë qarkun. Ky model pritet të shtrihet edhe në spitale të tjera rajonale, në funksion të rritjes së cilësisë dhe aksesit në kujdesin shëndetësor.
Në kuadër të zhvillimit të shërbimeve onkologjike, në spital funksionon pika e kimioterapisë ditore, e cila do të rindërtohet sipas standardeve dhe protokolleve të njëjta me ato të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në përputhje me standardet evropiane. Paralelisht, Lezha është parashikuar të jetë një nga qendrat e ekselencës, duke synuar shpërndarjen e shërbimeve të specializuara edhe jashtë Tiranës.
Treguesit e performancës së spitalit vlerësohen pozitivë, edhe gjatë periudhës së rikonstruksionit, duke reflektuar qëndrueshmëri në ofrimin e shërbimeve për qytetarët.
Për vitin 2026, është miratuar rritja e pagave për rreth 22 mijë mjekë, infermierë dhe staf mbështetës në të gjithë vendin, përmes një indeksimi prej 2.5%, i cili përfshin edhe vlerësimin e vjetërsisë në punë deri në 30 vjet.
Në vijim të reformave organizative, parashikohet ndarja e shërbimeve ambulatore nga ato spitalore. Në këtë kuadër, materniteti i vjetër në qendër të qytetit do të ristrukturohet dhe do të përfshihet në planin e investimeve për vitin 2027, me synim menaxhimin më efikas të flukseve dhe përmirësimin e shërbimit për qytetarët.