Lezhë, Kryeministri Rama me mjekët e spitalit rajonal: Prioritet, rritja e pagave dhe autonomia spitalore
Spitali Rajonal i Lezhës përfaqëson sot një investim të rëndësishëm në infrastrukturën shëndetësore në vend, duke ofruar shërbime sipas standardeve moderne dhe bashkëkohore për pacientët e qarkut. I rikonstruktuar plotësisht dhe i përfunduar një vit më parë, spitali ka sjellë jo vetëm përmirësim të ndjeshëm të kushteve, por edhe zgjerim të gamës së shërbimeve, përfshirë krijimin e një njësie të re të dedikuar për sëmundjet infektive.
Në vijim të vizitës së tij në Lezhë, Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Evis Sala, inspektoi nga afër ambientet dhe shërbimet e reja të spitalit, si dhe zhvilloi një bashkëbisedim me stafin mjekësor. Ministrja Sala shpjegoi se falë investimit të bërë, shërbime të tilla, si ai i kimioterapisë ditore do të rindërtohen me të njëjtat specifikime siç janë realizuar edhe në QSUT, pra me të njëjtat standarde, dhe me të gjitha protokollet e njësuara të standardit europian.
“Ky spital është rikonstruktuar dhe ka përfunduar punimet në vitin 2025, pra, kemi një infrastrukturë dhe teknologji bashkëkohore. Gjithashtu është krijuar një shërbim i dedikuar, i ri, për sëmundjet infektive për të sjellë shërbime të specializuara, jo vetëm në qytet, por edhe në gjithë qarkun e Lezhës. Në këtë drejtim po punojmë që ky të jetë një model për ta zbatuar dhe në disa spitale të tjera rajonale, për të krijuar këto shërbime të specializuara. Në kuadrin e zhvillimit të planit tonë për shërbimin onkologjik dhe këtu në Lezhë në spital rajonal kemi punktin e kimioterapisë ditore, i cili do të rindërtohet me të njëjtat specifikime siç kemi realizuar edhe në QSUT, pra me të njëjtat standarde, por dhe me të gjitha protokolle të njësuara tani të standardit europian. Po ashtu, në kuadër të qendrave të ekselencës në Lezhë do të ngremë dhe këtu qendrën e ekselencës. Parimi është që ekselenca nuk duhet të koncentrohet vetëm në Tiranë, por shërbimet e ekselencës do të jenë edhe në spitalet rajonale, sigurisht me fusha të ndryshme specializimi.” – u shpreh Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Në bashkëbisedimin me mjekët, Kryeministri Rama theksoi rëndësinë e trajtimit të drejtë dhe motivues për personelin shëndetësor, duke bërë të ditur se mjekët e urgjencës do të përfshihen në kategorinë e mjekëve specialistë, çka do të reflektohet në përmirësimin e pagave të tyre, duke nënvizuar se rritja e pagave në sektorin shëndetësor është bërë e mundur falë rritjes ekonomike.
* * *
– Zoti kryeministër mirë se erdhe, është nder për ne që kemi në spitalin e Lezhës, së bashku me zonjën ministre. Unë doja të falënderoj për vëmendjen që i ke kushtuar mjekësisë, bluzave të bardha. Unë mbaj mend që kur ke ardhur në pushtet puna e parë që ke bërë ke dyfishuar dietën e rojës (mjekut roje) na e ke bërë dyfish.
Kryeministri Edi Rama: Faktikisht morëm një ankesë edhe i hymë pak logjikës, pse? Dhe logjika ishte që jo po se nuk mund të barazohen mjekët e urgjencës me mjekët specialistë. Po urgjenca është specialitet më vete, gjithë ato misione shpëtimi e strese.
Problemi lindi ngaqë ka filluar të konstatohet që nuk ka shumë kërkesa për mjek të urgjencës krahasimisht me të tjerët dhe si të ketë kërkesa në qoftë se tjetri do shkojë në atë front jo të lehtë edhe do trajtohet si mjek i përgjithshëm pa specialitet është e padrejtë kështu që vetvetiu thotë jo. Mjek që mjek po shkoj të specializohem diku tjetër, edhe kjo ishte biseda që ramë dakord që do zgjidhet në qershor me ato ndryshimet që bëhen çdo mes viti të buxhetit edhe do t’i përfshijmë në kategorinë e mjekëve specialistë si mjekë të urgjencës në mënyrë që të kenë një pagë dinjitoze.
Ndërkohë që është e vërtetë që rritja e pagave ka qenë domethënëse për shkak se rritja e ekonomisë ka qenë domethënëse dhe na është dhënë mundësia që t’i rrisim, plus këtë të indeksimit edhe të vjetërsisë në punë nuk është se nuk e kemi ditur përpara, por s’ka qenë mundësia. Tani që ekonomia po na ndihmon të kemi më shumë mundësi e kemi vendosur edhe për mësuesit, edhe për punonjësit e policisë dhe për ushtarakët dhe do ta shtrim të gjithë kuptohet, por këto janë profesione që lidhen me fronte me rëndësi të madhe për të gjithë. Kështu që besoj që do kemi mundësi prapë në vijim t’i rrisim pagat. Ndërkohë spitali ka marrë goxha formë të mirë, se më kujtohet kur erdha në fillim ishte kjo pjesa këtej ishte copa, atje pastaj filloi ndërtimi i ri, po goxha mirë duket.
-Tani na mbetet përmirësimi i performancës së mjekëve.
Kryeministri Edi Rama: Duke qenë se unë kam një kështu barometër individual të matjes së punës së institucioneve, telefonin tim ku siç mund ta merrni me mend vijnë shumë ankesa edhe në një farë mënyre kam një panoramë të pakënaqësive në territor, por me thënë të drejtën për spitalin e Lezhës përgjithësisht nuk kam konstatuar ankesa edhe nga çfarë kam dëgjuar, e keni krijuar një respekt kam përshtypjen tek ata që shërbehen.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Evis Sala: Duam të ndajmë dhe ambulatorin nga spitali. Ju e keni një kërkesë që herën tjetër, meqë materniteti i vjetër është në qendër dhe duhet ristrukturuar, ne po e shohim për ta futur në planin e investimit për vitin 2027, që është menaxhim më i mirë pastaj, se spitali ngelet në funksion spitalor siç duhet të ngelet me poliklinikën në qendër siç është dhe modeli i qyteteve të tjera.
Kryeministri Edi Rama: Jo Lezha, por çdo spital tani i kam mësuar dhe unë këto halli, po çdo spital që mban edhe ngarkesën e asaj ambulatorit të përditshëm mbingarkohet edhe ka konfuzion, ka mungesë përqendrimi të imponuar nga flukset e ditës, por ajo që unë besoj është fantastike, është decentralizimi i shërbimit onkologjik edhe krijimi i bërthamave të shërbimit edhe të kimioterapisë, është diçka fantastike sepse do ta afrojë shumë më tepër me njerëzit shërbimin edhe do lehtësojë shumë një pjesë të atyre problemeve që janë, jo rruga, jo pritja. Në ato kushte sidomos, plus edhe për familjarët se duhet të shoqërojnë.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Evis Sala: Absolutisht sepse shërbimi i onkologjisë ka lindur në ide si ambulator. Bëhet në spital në shtrat se pastaj nuk bëhet nga që vij në Tiranë, por në fakt duhet të bëhet gjatë ditës, pastaj i sëmuri kthehet në shtëpi dhe kur e decentralizon i krijon mundësi që të trajtohet ambulatorisht siç do ta bëjmë dhe këtu. Këtu është punkti, kemi bërë survejimin.
-Ajo që është vërejtur kohët e fundit të paktën në spitalin tonë për shkak të ndryshimeve që janë bërë qoftë në drejtim të çështjes financiare të vlerësimit të mjekut, por kryesisht në ndërhyrjen në infrastrukturë, së paku ne tani verifikojmë një dëshirë të shtuar të mjekëve të rinj të porsaspecializuar për të zgjedhur Lezhën. Mundësitë për të ushtruar profesionin janë shumëfish më të larta në spitalet rajonale sesa në qendra po themi të mëdha terciare ku dhe mundësitë që të praktikojnë mjekësinë, mjekët e rinj e kanë shumë herë më të vështirë. Në qoftë se krijojmë modele spitale rajonale siç po krijohen ku kanë përfitime financiare ose vlerësim financiar të duhur, kanë infrastrukturën që po themi teknologjinë e fundit ta kenë në përdorim, të kenë dhe mundësinë e rritjes së karrierë atë që ju sapo e përmendët, atëherë spitalet rajonale mund të ishin dhe do të jetë zgjedhja e parë e çdo mjeku të ri, për të punuar në sistemin tonë shkencor.
Kryeministri Edi Rama: Besoj që ne kemi mjekë shumë të mirë dhe kjo gjë le të thonë çfarë të duan ata që flasin rrugëve, po kjo gjë unë e kam e kam konstatuar edhe në biseda me jo pak të huaj që kanë pasur praktika të përbashkëta, që kanë pasur mjek nga tanët atje, e tjerë. Ne kemi mjekë shumë të mirë, ne kemi infermierë shumë të mirë. Problemi jonë është menaxhimi sepse ne nuk e kemi traditën e menaxhimit të spitaleve siç e ka bota. Ne e kemi shumë traditë të re këtë pikë dhe duke diskutuar me dy grupe shumë të mëdha për të hyrë në marrëdhënie menaxhimi, siç e kanë bërë shumë vende, Polonia për shembull ka bërë një super transformim duke marrë menaxhimin nga jashtë, të dy, pavarësisht nga njëri-tjetri se kemi diskutuar për Nënë Terezën, të dy pavarësisht nga njëri-tjetri thonë që është kyç që të ndërtohet brenda spitalit, një spital privat për mjekët e spitalit. Dhe të jetë pjesë e sistemit të punës së mjekëve të spitalit, në mënyrë që të t’ju japin mundësinë që ta kenë spitalin si vendin ku janë bashkëpronarë edhe të kenë një kapacitet të ardhurash sipas performancës që varion në bazë të performancës. Plus e dyta është që ne duhet patjetër të fillojmë të vendosim tarifat për turistët.
– Unë jam mjek pediatër, gjatë verës vijnë mbi 100 fëmijë në ditë, për dy muajt e verës mund të bëj vizita për mbi 2000 fëmijë.
Kryeministri Edi Rama: Edhe ajo që ishte deri dje domethënë, që çdo mjek paguhej njësoj pavarësisht vjetërsisë nuk ishte normale, por s’ishte mundësia. Edhe për pagat pa indeksim prapë kishin një problem sepse normalisht ti duhet edhe t’i indeksohesh. Po, nuk i bënim dot. Kështu që do vijë këtu gjëja, por duhet të rrisim kapacitetin financiar të shtetit.
Autonomia financiare nuk do i zgjidhi të gjitha, por do krijojë një bazë shumë inkurajuese dhe shumë motivuese, sepse këto gjëra do diskutohen mbi bazën e një buxheti. Pra, do ketë një buxhet spitali që do vendoset këtu, por zbritja e vendimmarrjes tek spitali e bën trupën drejtuese bashkëpronare në kuptimin e mirë të fjalës të asetit. Dhe pastaj jam i bindur që problemet e mirëmbajtjes, një gjë tjetër për shembull që ne e kemi problem dhe është problem në të gjitha vendet në zhvillim është që investojmë dhe nuk kemi parasysh sa kushton mirëmbajtja dhe kjo është perfekt sot, por do mirëmbajt dhe kur ata që e shfrytëzojnë e ndjejnë veten bashkëpronar të kësaj, ajo mirëmbahet më mirë sesa kur thua, po mirë dakord ta mirëmbaj kush ka për ta mirëmbajtur, unë njëherë si fillim po mbështes këmbën në mur, po e lej një njollë aty. Janë gjëra që do vijnë hap pas hapi, por faktikisht edhe fakti që patëm bisedë të këndshme është nga ambienti, se po të ishim me një ambient që do ishte i lodhur, do kishim ikur tani. Mjekët shqiptarë që kanë punuar në ato kushte për të cilat flasim se nuk ka qenë 100 vjet, se këtu ishin, janë heronj, nuk diskutohet.
Shumë faleminderit!