Ministri Karakaçi: Miratohet investimi 100 milionë euro për “Portën e Alpeve” në Shkodër
Qeveria ka miratuar një paketë të rëndësishme investimesh infrastrukturore për qarkun e Shkodrës, të njohur si projekti “Porta e Alpeve”, me një vlerë totale prej 100 milionë eurosh.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur se financimi do të realizohet përmes një kombinimi fondesh, ku 50 milionë euro sigurohen nga Banka Evropiane e Investimeve, ndërsa 50 milionë euro të tjera do të mbulohen nga buxheti i shtetit.
Sipas tij, programi përbëhet nga disa komponentë kryesorë, duke nisur me rehabilitimin e shesheve urbane, rikonstruksionin e bulevardeve dhe krijimin e qendrave multifunksionale, me synim përmirësimin e hapësirave publike dhe cilësisë së jetesës për qytetarët.
Një tjetër komponent i rëndësishëm lidhet me zhvillimin e akseve infrastrukturore që lidhin bregdetin e Velipojës, liqenin e Shkodrës, lumin Buna, si dhe zonat e Malësisë së Madhe dhe Alpeve shqiptare, duke përmirësuar ndërlidhjen territoriale të qarkut.
Projekti përfshin gjithashtu investime në rrjetet e ujësjellësit dhe kanalizimeve, si dhe në transportin urban dhe elementët që lidhen me menaxhimin e ndotjes, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm.
Sipas ministrit, kjo marrëveshje krijon për herë të parë një korridor të integruar midis Alpeve dhe bregdetit Adriatik, duke hapur rrugë për zhvillimin e turizmit gjithëvjetor dhe forcimin e potencialit ekonomik të zonës, ndërsa investimi pritet të përmirësojë infrastrukturën bazë, të rrisë aksesin dhe të afrojë më shumë shërbimet për qytetarët e qarkut Shkodër.