Mbështetje për bujqësinë dhe agropërpunimin, me fokus standardet europiane dhe eksportin drejt BE
Në një takim me sipërmarrës të sektorit të përpunimit të vajit të ullirit, ku ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Andis Salla, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacioniot Delina Ibrahimaj, si dhe Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor Ervin Demo, u diskutuan masat konkrete për rritjen e pagave në bujqësi, nxitjen e investimeve, lehtësimin fiskal dhe zgjerimin e skemave mbështetëse, me synim rritjen e cilësisë dhe standardizimit të prodhimit vendas për ta bërë atë konkurrues në tregun e Bashkimit Europian.
Mbi 70 përfaqësues të industrisë janë bashkuar në një konsorcium të përbashkët, duke krijuar një model të ri bashkëpunimi që synon uljen e kostove dhe rritjen e fitimeve përmes fuqizimit të kapaciteteve të shitjes dhe eksportit. Kjo nismë konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt konsolidimit të sektorit dhe do të mbështetet nga institucionet vendore dhe qendrore përmes politikave të dedikuara zhvillimore.
***
Kryeministri Edi Rama: Mirë, shumë faleminderit për mikpritjen në këtë oaz suksesesh që ka krijuar zoti Demo.
Jo, është e vërteta sepse në një vend dhe në një mjedis ku e vërteta bëhet copash nga mëngjesi deri në darkë dhe ku gëlojnë lloj-lloj thashethemesh e gënjeshtrash e gjysmë të vërtetash, shpesh herë të thuash të vërtetën duket si sfidë dhe madje, një miku im po më thoshte ‘’ki pak më kujdes sepse dukesh arrogant kur thua që Shqipëria sot ka më pak korrupsion se ç’kishte dhe asnjëherë si sot korrupsioni nuk është luftuar në Shqipëri’’.
Tani, kjo është e vërteta dhe unë jam i gatshëm të përballem me këdoqoftë për sa kohë jemi në fushën e fakteve. Kur futemi pastaj në fushën e llafeve që synojnë vetëm të mjegullojnë çdo gjë, aty është më e vështirë. Dhe që Berati falë Ervinit ka bërë një transformim të madh, nuk e tregon fakti që Ervini u bë ministër, se edhe ky është një fakt, po s’është kaq. E tregon një fakt tjetër që unë e përmend vazhdimisht: Berati është një territor i Republikës së Shqipërisë ku ka më shumë të kthyer nga jashtë sesa njerëz që ikin jashtë.
Pse kthehen njerëzit në Berat? Për çfarë arsye? Sepse Berati sot të gjithëve i ofron mundësi, që me punë, të vënë në shfrytëzim qoftë shtëpinë e vjetër në kala, qoftë tokën në fshat dhe të fitojnë më shumë sesa ç’fitojnë duke punuar për të tjerët jashtë shtetit, por duke folur për oazin e sukseseve, se e di që do ma bëjnë titull këtë dhe prandaj e përsëris, që të hidhen përpjetë sa të duan, edhe ky është një sukses, ky i krijimit, më në fund edhe jam dakord me ty, vonë jeni, shumë vonë jeni, por nuk ka rëndësi.
Rëndësi ka që më në fund u krijua një model shembullor i bashkimit që bën fuqinë, kur vjen puna në shitje, në prodhim rrini veç. Në shitje, sa më shumë të bëni bashkë aq më shumë do të çoni në fund të ditës në shtëpi nga fitimi.
Jeni 70 e ca aktorë në fushën e prodhimit të vajit të ullirit. Nëse keni 70 e ca dyqane ku secili shet vajin e vet, jeni më të dobët në shitje, i keni kostot më të larta për të shkuar deri te blerësi dhe nuk keni kapacitet të negocioni çmime me ata që duan të eksportojnë vajin tuaj dhe ata mund tua marrin për një copë bukë.
Ndërkohë që duke krijuar këtë konsorcium, që shpresoj shumë t’i bashkohen dhe të tjerë dhe do t’i bashkohen se s’do kenë rrugë tjetër, juve ulni kostot, krijoni masë kritike për negocim dhe eksportoni apo nxirrni në treg këtu, me një çmim që juve ju sjell vlerë të shtuar. Kaq e thjeshtë është kjo, në fjalë. Në punë, pastaj çdo hap ka vështirësitë e veta, por gjëja që unë mund t’ju them është që ne do t’i mbështesim edhe më shumë vendosmëri këto nisma dhe ju keni filluar faktikisht ndërtimin këtu të pikës që do të jetë pika fundore e trajtimit, por siç thotë populli ‘’oreksi vjen duke ngrënë’’ dhe do doni të rriteni dhe të shtriheni më shumë. Kjo është arsyeja pse ne kemi vendosur edhe mbështetje të posaçme për ato SHBB-të që i quajmë, Shoqëritë e Bashkuara Bujqësore se ç‘nuk ka pjellë mendja për të mos thënë kooperativë. Po në fakt kjo është kooperativë kapitaliste dhe ndërkohë ministrja e tha, sepse nën udhëheqjen e saj po formësojmë një program të ri kombëtar që e kemi quajtur ‘’dyfisho ndërmarrjen tënde”, i cili do të mundësojë financim për të tërë ata që do duan të rriten me një plan të qartë dhe me një projekt bindës.
Ky sukses patjetër lidhet dhe po kthehem përsëri, se dua që të ushqej ato portalet mirë, me faktin që bashkia është bërë promotore e këtij konsorciumi duke krijuar kushte dhe duke u bërë edhe palë. Kjo është gjëja që duam të fuqizojmë dhe kjo është arsyeja pse ose një nga arsyet, pse Ervini ka ardhur në Tiranë, të bëjë ministrin e Pushtetit Vendor për të nxitur bashkitë sipërmarrëse dhe për të nxitur ecjen e bashkive në rrugën e sipërmarrjes.
Për sa i përket pastaj pjesës tjetër: nafta ka qenë një sfidë më vete për bujqësinë në sensin që e kemi provuar ta kthejmë nga disa anë dhe në fund kemi dalë në një rezultat shumë të thjeshtë. E përshkruat ju, e përshkroi edhe ministri me fjalët e sjella nga një shembull konkret. Rezultati i thjeshtë është ky: para ne kemi më shumë se ç’kishim dje për të shpenzuar për bujqësinë, por nuk kemi aq shumë sa t’i shpenzojmë pa adresë. Kështu që çdo para që do të shpenzojmë, do duhet të kthehet në vlerë të shtuar për ata që realisht, për ata që realisht prodhojnë apo përpunojnë në formën e rimbursimit siç e the, të TVSH-së me 10%. Shumë e thjeshtë, që do të thotë, kemi pasur mbi 60.000 që kanë marrë, mbi 60.000 që kanë marrë naftë. Ndërkohë që ne e dimë shumë mirë që fuqia prodhuese dhe bazat prodhuese të mëdha ose të vogla nuk e kanë këtë lloj proporcioni. Pra, nuk kanë 60.000 aktorë apo jo? Dhe në këtë sens, ne nuk kemi faktikisht, hequr mbështetjen për asnjë që ka nevojë edhe për naftë, por kemi hequr mundësinë që nafta të abuzohet dhe të përdoret për qëllime që nuk kanë lidhje me bujqësinë, sepse kjo është e vërteta. Ose kemi dalë në atë konkluzion edhe për një fakt tjetër për shembull, që shumë njerëz që punojnë në tokat e të tjerëve kanë qenë të detyruar të marrin naftën dhe t’ia japin të tjerëve, sepse është dhënë për sipërfaqe, sipërfaqja është në emrin e dikujt tjetër. Ai dikush tjetër ka një Mercedes në qytet edhe merr naftën nga ai që punon atje.
Dhe e treta, nuk na ka rezultuar as që kjo formulë ka rritur, ka ndikuar në rritjen e parametrave të prodhimit dhe as ka për të rezultuar që dalja nga kjo formulë, do të sjellë rënie të prodhimit, sepse ata të cilët kanë prodhuar në toka të të tjerëve dhe naftën ia kanë dhënë atyre të tjerëve, kanë vazhduar të rriten, nuk është kjo që e rrit prodhimin dhe këto janë konkluzione nga praktika.
Ne kemi qenë të detyruar që të provojmë disa rrugë, ndërsa kjo rrugë tani vjen dhe si rezultat i diçkaje tjetër, i rritjes vetëdijes për formalizimin, sepse formalizimi do t’ju japë mundësi që të keni më shumë mbështetje nga shteti, të keni më shumë akses në financimet europiane dhe duke folur për financimet europiane, e fundit që kam unë për të thënë është ajo që tha ministrja, që duhet pasur parasysh diçka. Ne kemi patjetër domosdoshmërinë që të bëhemi pjesë e Bashkimit Europian për 1001 arsye, por duhet të jemi të vetëdijshëm që janë 1001 sfida dhe një nga sfidat më të vështira të futjes atje, është siguria ushqimore, që do të thotë që duke u bërë pjesë e Bashkimit Europian, nuk është më çështja që ti nuk e eksporton dot diçka që nuk është në parametrat e sigurisë së atij vendi atje, po ti nuk e shet dot as këtu.
Dhe për këtë arsye unë dua që të gjithë ata që merren dhe që kanë investuar në prodhim apo agropërpunim, të jenë të vetëdijshëm që duhet të investojnë për të garantuar standardet. Ka ardhur një inspektim nga Bashkimi Europian për pjesën më delikate të gjithë kësaj fushe që është, që është pjesa e prodhimeve nga gjëja e gjallë, pra bulmetrave dhe mishit dhe janë 900 e ca pika në Shqipëri që trajtojnë këtë pjesë të fushës së bujqësisë dhe zhvillimit rural. Dhe kanë lënë një sërë rekomandimesh; nga kategoria që duhet të bëjë disa përmirësime për të arritur standardet, tek kategoria që është larg standardeve, por që ka mundësi t’i arrijë duke bërë investimet domethënëse dhe te kategoria që sipas tyre duhet hequr fare nga lista dhe unë besoj shumë që dhe këtë diskutojmë shpesh dhe mes nesh, që shqiptarët kanë një aftësi të jashtëzakonshme për t’u adaptuar edhe që do t’i rezistojnë kësaj dallge, por ama duhet filluar tani puna për të qenë të qartë se çfarë do Bashkimi Europian. Duhet interesuar tani kushdo që ka vënë një tullë në këtë sektor, është gjynah që ta humbasë nga mungesa e informacionit dhe nga ideja që ‘’hajde se do rregullohemi nesër’’. Nuk rregullohemi fare nesër ne dot, po nuk arritëm dot të plotësojmë ato standarde që duhet të kemi si shtet anëtar i Bashkimit Europian që patjetër janë të vështira, por janë e mira e konsumatorit në radhë të parë, se janë siguri.
Vaji është një produkt që ju jeni me fat që e trajtoni sepse është një produkt nga më të kërkuarit dhe nga më të vlerësuarit dhe natyrisht që ka rëndësi dhe fakti që në këtë fushë, pavarësisht se ne nuk jemi lojtarë nga ata të mëdhenjtë, por jemi një territor dhe jemi një emër që nuk ka nam të keq, përkundrazi. Kjo është shumë e rëndësishme, ama është shumë e rëndësishme që nga ana tjetër t’i bëni dhe t’i bëjmë yzmetin që të krijojmë më tepër vlerë të shtuar nga vaji i ullirit, duke qenë më të mençur në mënyrën se si bashkohemi, se si e mbledhim, e paketojmë, e promovojmë, e reklamojmë për ta bërë një produkt gjithmonë e më të kërkuar dhe e nisa me zotin Demo, po e mbyll me zotin Demo, i cili më tha që ndërkohë ka menduar edhe për një pikë në qytet ku vaji juaj do promovohet si një, si e thua atë fjalën se është pjesë e fjalorit të zhvillimit turistik. Si e thua ti atë fjalën? Produkt eksperience. Produkt eksperience, sepse Berati nuk është një qytet. Berati është një eksperiencë. Qytete ka shumë, po eksperienca nuk ka aq shumë. Pra, do të jetosh një eksperiencë, eja në Berat. Kjo është logjika dhe nesër jam i bindur që kjo do të kthehet; “do të ngjitesh lart? Filloje nga Berati’’.
Ju falenderoj shumë për këtë takim.
Tani para se të ikim nëse keni ndonjë merak, ndonjë shqetësim.
***
– Mendojmë që për hir të punës, mendoj që në Berat të ngrihet një laborator për të bërë analizat e vajit sepse sot fermeri duhet të detyrohet të shkojë në Tiranë për të bërë analizën. Duke qenë laboratori në vend këtu, atëherë gjithçka shkon më ndryshe.
Kryeministri Edi Rama: Tani ky bashkimi që keni bërë ju e bën fuqinë dhe në këtë drejtim, se po të ishit të ndarë tek e tek, nuk do ishit bindës po të kërkonit laborator. Kurse kështu siç jeni bashkë dhe gjithë ky cikël që është krijuar, e sjell vetë laboratorin. A më kupton? Pra nuk shkoni ju te laboratori, vjen laboratori te ju. Po unë jam i bindur që dhe për këtë është menduar nga zoti Demo, që më pëshpëriti në vesh ‘’laboratori është pjesë e projektit’’ sepse kjo është një eksperiencë, nuk është thjeshtë një pikë prodhim dhe e ka laboratorin aty.