Ministrja Kumbaro në Komisionin për Edukimin: Reformë në shërbimet arsimore me krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, prezantoi në Komisionin për Edukimin, Shkencën dhe Sportin projektligjin “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore”, një reformë që synon modernizimin e ofrimit të shërbimeve dhe përmirësimin e aksesit për qytetarët në arsimin parauniversitar dhe atë të lartë.
Projektligji parashikon transformimin e Qendrës së Shërbimeve Arsimore në një agjenci autonome, me fokus rritjen e cilësisë, efikasitetit dhe transparencës së shërbimeve. Institucioni aktual përpunon rreth 158 mijë shërbime në vit, përfshirë procedura me ndikim të drejtpërdrejtë në punësim dhe vijimin e studimeve, si njohja e diplomave ndërkombëtare, të cilat deri më tani janë ofruar në kushte të kufizuara teknologjike dhe logjistike.
Reforma mbështetet edhe në ekspertizën ndërkombëtare, përmes bashkëpunimit me Cambridge, me synim ndërtimin e një sistemi vlerësimi më të besueshëm, transparent dhe të përputhur me standardet bashkëkohore të arsimit.
Sipas ministres, miratimi i projektligjit plotëson të gjitha piketat e Kapitullit 26 për arsimin në procesin e integrimit evropian, duke e pozicionuar atë si një nga kapitujt e parë drejt përmbylljes në kuadër të negociatave me Bashkimin Evropian.
Projektligji përcakton se organizimi i ri nuk cenon autonominë e institucioneve të arsimit të lartë, të parashikuar në nenin 57 të Kushtetutës. Agjencia do të mbikëqyret nga ministria përgjegjëse për arsimin, me detyrimin për të raportuar çdo vit mbi veprimtarinë e saj. Drejtimi do të realizohet përmes një bordi të kryesuar nga ministri, ndërsa vendimet kryesore financiare do t’i nënshtrohen miratimit të Këshillit të Ministrave.