Nuk ka ndërprerje të shërbimit në Spitalin Universitar të Traumës

Në lidhje me deklaratat se rikonstruksioni i plotë i godinës së Spitalit Universitar të Traumës ka sjellë bllokimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët, qeveria shqiptare sqaron opinionin publik se shërbimi nuk është ndërprerë dhe se rikonstruksioni po zhvillohet me faza.

Këto deklarata nuk pasqyrojnë situatën reale pasi, Blloku i Urgjencës është në funksion dhe i riorganizuar, gjithashtu nuk ka mungesë medikamentesh apo materialesh mjekësore dhe furnizimi është i garantuar.

Në përgjigje të akuzave se nuk kryhen më ndërhyrjet ortopedike dhe mungojnë shërbime si okulistika dhe urologjia, sqarojmë se: ndërhyrjet ortopedike vijojnë normalisht, si urgjente ashtu edhe të planifikuara, me dy turne dhe edhe gjatë fundjavës; shërbimet e urologjisë dhe okulistikës, të cilat nuk janë shërbime primare të SUT, ofrohen përmes sistemit të referimit, pa ndërprerje; ndërsa sallat operatore sterilizohen dhe monitorohen vazhdimisht, aty nuk është konstatuar prani e baktereve të rrezikshme.

Po ashtu, janë të pavërteta deklaratat se pacientët janë lënë në pritje, pasi Spitali Universitar i Traumës funksionon normalisht dhe garanton trajtim në kohë për çdo pacient, edhe gjatë rikonstruksionit.

Nga ana tjetër, SUT ka dëshmuar aftësi për të përballuar fluksin e pacientëve dhe për të marrë shërbime shtesë kur ka qenë e nevojshme; gjatë pandemisë COVID-19 ka mbështetur sistemin shëndetësor duke trajtuar urgjencat kirurgjikale, si dhe ka pritur e trajtuar pacientë nga struktura të tjera në rikonstruksion apo në situata të jashtëzakonshme.