Shqipëria nënshkruan marrëveshje 6 miliardë dollarë për gazin, Karakaçi: Partneriteti me SHBA mbështet sigurinë energjetike dhe forcon rolin në rajon
Shqipëria ka nënshkruar sot një marrëveshje strategjike në sektorin e energjisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Greqinë, që parashikon furnizimin për 20 vite me gaz natyror të lëngshëm (LNG), si pjesë e një projekti me vlerë rreth 6 miliardë dollarë. Marrëveshja synon forcimin e sigurisë energjetike, diversifikimin e burimeve dhe rritjen e rolit të Shqipërisë në tregun rajonal të energjisë.
Projekti realizohet përmes bashkëpunimit me kompanitë Venture Global dhe Aktor LNG dhe përfshin zhvillimin e infrastrukturës për importin dhe shpërndarjen e gazit natyror, duke e pozicionuar vendin si nyje ndërlidhëse në Ballkanin Perëndimor.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, theksoi se marrëveshja përbën një hap kyç në transformimin e sektorit energjetik, me fokus në uljen e varësisë nga burimet hidrike dhe rritjen e qëndrueshmërisë së sistemit. Sipas tij, partneriteti strategjik me SHBA mbështet ndërtimin e një modeli energjetik të diversifikuar dhe afatgjatë, duke reflektuar një vizion të përbashkët për një të ardhme energjetike të sigurt dhe të qëndrueshme, të mbështetur në planifikim afatgjatë.
Një komponent qendror i projektit është zhvillimi i Qendrës Energjitike të Vlorës, e cila parashikon rijetëzimin e impiantit ekzistues, ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese dhe zgjerimin e infrastrukturës për magazinimin dhe përpunimin e gazit. Projekti përfshin gjithashtu ndërtimin e tubacionit Fier-Vlorë, që do të lidhë këtë qendër me rrjetin rajonal të transmetimit. Në këtë kuadër, Vlora pritet të shndërrohet në një pikë strategjike për importin dhe shpërndarjen e gazit në rajon, duke kontribuar në rritjen e kapaciteteve prodhuese, diversifikimin e burimeve dhe forcimin e pavarësisë energjetike të vendit.
Ambasadorja e SHBA-së në Greqi, Kimberly Guilfoyle, vlerësoi rolin e Shqipërisë si një partner i qëndrueshëm dhe aktor kyç në Ballkan, duke theksuar se marrëveshja për gazin natyror forcon bashkëpunimin rajonal dhe kontribuon në ndërtimin e një sistemi energjetik më të sigurt dhe të qëndrueshëm në Evropën Juglindore.
Marrëveshja konsiderohet një hap i rëndësishëm në drejtim të integrimit të tregjeve energjetike dhe rritjes së sigurisë së furnizimit, duke e pozicionuar Shqipërinë si një portë strategjike për energjinë në rajon dhe duke forcuar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.