Nënshkruhet me AADF marrëveshja për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore, Kumbaro: Sistemi i ri do t’i përgjigjet standardeve ndërkombëtare dhe epokës digjitale
Ministria e Arsimit dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit për modernizimin e sistemeve të vlerësimit dhe krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore (AKSHA), institucion i ri që do të administrojë provimet kombëtare dhe shërbimet kryesore arsimore sipas standardeve ndërkombëtare.
Marrëveshja u nënshkrua në Tiranë, në prani të Kryeministrit Edi Rama, Ministres së Arsimit Mirela Kumbaro, Kryetarit të Bordit të AADF-së, Michael Granoff dhe ekspertëve të Cambridge University Press & Assessment.
Sipas ministres Kumbaro, reforma synon transformimin e sistemit të shërbimeve arsimore përmes modernizimit të proceseve, rritjes së transparencës dhe përshtatjes me kërkesat e epokës digjitale. Ajo theksoi se aktualisht Qendra e Shërbimeve Arsimore ofron rreth 158 mijë shërbime në vit, ndërsa zgjerimi i portofolit të shërbimeve dhe ndjeshmëria e proceseve, si Matura Shtetërore, testimet kombëtare dhe profesionet e rregulluara, kërkojnë një sistem më të avancuar dhe të standardizuar.
Ky reformim i QSHA-së nuk synon vetëm ngritjen e një institucioni të ri, por realizimin e një misioni për garantimin e interesit publik dhe përmirësimin e shërbimeve arsimore. Ministrja bëri të ditur se ligji për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore është miratuar në Kuvend dy javë më parë dhe se institucioni i ri është konceptuar mbi modele që garantojnë gjurmueshmëri, integritet dhe standarde bashkëkohore të administrimit të provimeve dhe certifikimeve.
Në kuadër të marrëveshjes, ekspertët e Qendrës së Vlerësimeve të Kembrixhit do të asistojnë AKSHA-në në rritjen e kapaciteteve të stafit, optimizimin e proceseve dhe investimet në teknologji dhe logjistikë. Bashkëpunimi përfshin gjithashtu përmirësimin e cilësisë së testeve, përdorimin e të dhënave, administrimin e sallave të provimeve sipas standardeve ndërkombëtare, si dhe forcimin e sistemeve të sigurisë dhe monitorimit.
Ministrja Kumbaro vlerësoi mbështetjen e AADF-së në reformat arsimore në Shqipëri që prej vitit 2009, përmes programeve të bursave, projekteve për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, si dhe ngritjes së institucioneve të specializuara në fushën e arsimit.
Ajo theksoi gjithashtu se Shqipëria ka përmbushur së fundmi detyrimet ligjore në kuadër të Kapitullit 25 për kërkimin shkencor, ndërsa Kapitulli 25 dhe Kapitulli 26 për arsimin janë ndër kapitujt e parë të negociatave me Bashkimin Evropian që pritet të mbyllen.
Në aktivitet u prezantua edhe projekti për godinën e re të AKSHA-së, një hapësirë moderne prej rreth 3,500 metrash katrorë, e projektuar për të përmbushur standardet ndërkombëtare të administrimit të proceseve të testimit dhe vlerësimit.