Nis programi EU4Municipalities II, Ministri Demo: 11 milionë euro për forcimin e bashkive në rrugën drejt BE-së

Në Durrës u lançua zyrtarisht programi strategjik EU4Municipalities II, një iniciativë që synon forcimin e pushtetit vendor dhe mbështetjen e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë. Në aktivitet ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, Zëvendësambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Thilo Schroeter, si dhe Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako.

Programi, me një financim prej 11 milionë eurosh, do të mbështesë bashkitë në tre drejtime kryesore: grante për investime në infrastrukturë lokale, asistencë teknike për rritjen e kapaciteteve në përthithjen dhe menaxhimin e projekteve të Bashkimit Evropian, si dhe modernizimin e digjitalizimin e shërbimeve për qytetarët.

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, theksoi se programi EU4Municipalities II kontribuon drejtpërdrejt në përmirësimin e shërbimeve publike, forcimin e administratës vendore dhe përgatitjen e bashkive për procesin e integrimit evropian.

Sipas tij, bashkitë kanë një rol kyç në zbatimin e legjislacionit të Bashkimit Evropian, duke qenë se rreth 70% e tij zbatohet në nivel vendor. Ministri nënvizoi se forcimi i pushtetit vendor ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik lokal dhe avancimin e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Duke iu referuar rezultateve të fazës së parë të programit, Demo solli si shembull Bashkinë Berat, e cila përfitoi investime për përmirësimin e shërbimeve arsimore. Sipas tij, vijimi i programit merr rëndësi të veçantë në kushtet kur procesi i integrimit evropian kërkon rritjen e standardeve të shërbimeve publike dhe forcimin e kapaciteteve të bashkive.