Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 13 Maj 2026

V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.646, DATË 22.7.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE E TË KRITEREVE TË PËRZGJEDHJES SË ZHVILLUESIT NË ZONËNE TEKNOLOGJISË DHE ZHVILLIMIT EKONOMIK”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.9789, datë 19.7.2007, “Për krijimin dhe funksionimin e zonave të teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.646, datë 22.7.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në pikën 3, të nenit 14, togfjalëshi  “… dhe zhvilluesit të saj …” hiqet.
2. Në pikën 5, të nenit 14/1, togfjalëshi  “… dhe zhvilluesit të saj …” hiqet.
3. Paragrafi i parë, i nenit 18, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Institucioni përgjegjës, në rastet kur përzgjedhja e zhvilluesit bëhet sipas parashikimeve të pikës 1 të nenit 4 të këtij vendimi, fton kandidatin/ofertuesin e shpallur fitues të nisë procedurat e negociimit të kontratës menjëherë pas publikimit të njoftimit të fituesit. Në rastet kur përzgjedhja e zhvilluesit realizohet sipas parashikimeve të pikave 2, 3 dhe 4, të nenit 4, institucioni përgjegjës fton kandidatin për të filluar procedurat e negociimit të kontratës pas njoftimit përkatës. Procedurat e negociimit përfundojnë brenda një afati jo më të gjatë se 90 (nëntëdhjetë) ditë nga data e publikimit.”.
4. Në pikën 3, të nenit 19, fjalët “… dhe i konfirmuar nga bashkia nën juridiksionin e së cilës është territori që do të shpallet zona …” hiqen.
5. Neni 20 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 20
Miratimi i kontratës
Miratimi i kontratës kryhet  nga ministri përgjegjës për ekonominë, pas përfundimit të negociimit dhe vetëm pasi të jenë marrë paraprakisht mendimet nga Avokatura e Shtetit dhe çdo institucion i përfshirë në zbatimin e saj.”.
6. Pas nenit 20 shtohet neni 20/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 20/1
Vënia në dispozicion të zhvilluesit të pasurive të paluajtshme shtetërore
1. Pasuritë e paluajtshme shtetërore, që përdoren për krijimin e zonës teknologjike të zhvillimit ekonomik, merren në përdorim nga zhvilluesi me kontratë qiraje. Elementet e kontratës së qirasë janë të përcaktuara në formatin “tip”, sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Miratimi i kontratës, sipas pikës 1, të këtij neni, kryhet nga ministri përgjegjës për ekonominë, pasi të jetë marrë paraprakisht informacioni nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, në përputhje me ligjin nr.111/2018, “Për kadastrën”, për statusin aktual të pasurisë, për sipërfaqen në të cilën do të ndërtohet zona teknologjike e zhvillimit ekonomik, shoqëruar me kopje të aktit përkatës kadastral dhe të mendimit të shprehur nga organi shtetëror që administron pasuritë e paluajtshme.”.
II. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E MASËS SË VLERËS SË DËMIT DHE TË DËMSHPËRBLIMIT TË PRONARËVE PËR KAFSHËT E THERURA, TË ELIMINUARA, TË SHKATËRRUARA E TË GROPOSURA NGA SËMUNDJA E MURTAJËS SË RUMINANTËVE TË VEGJËL NË VITIN 2025
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 49, të ligjit nr.10465, datë 29.9.2011, “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien e dëmshpërblimit, në masën e përgjithshme prej 53 345 500 (pesëdhjetë e tre milionë e treqind e dyzet e pesë mijë e pesëqind) lekësh, pronarëve të kafshëve që janë therur, janë eliminuar, janë shkatërruar dhe janë groposur, pasi kanë rezultuar pozitive me sëmundjen e murtajës së  ruminantëve të vegjël gjatë vitit 2025, në bazë të analizave të kryera nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, sipas shtojcës I, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Pronarët dëmshpërblehen nga buxheti i vitit 2026, miratuar për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, nga shpenzimet korrente, në programin buxhetor 04220 “Siguria ushqimore dhe mbrojtja e konsumatorit”.
3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DHËNIEN E MIRATIMIT PËR LIDHJEN E KONTRATËS SË QIRASË, ME TARIFËN 1 EURO/KONTRATA, NDËRMJET MINISTRISË  SË EKONOMISË DHE INOVACIONIT, SI QIRADHËNËS, DHE SHOQËRISË “ALUFLOR”, SH.P.K., SI QIRAMARRËS, PËR PASURINË SHTETËRORE NR.10/211, NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË EKONOMISË DHE INOVACIONIT, DHE PASURINË SHTETËRORE NR.5/160/ND, NË PRONËSI TË SHOQËRISË “PETROL ALBA”, SH.A., NË ZONËN KADASTRALE 8516, ME VENDNDODHJE NË DURRËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të aktit normativ nr.4,  datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, miratuar me ligjin nr.9967, datë 24.7.2008, të ndryshuar, dhe në vijim të pikës 2, të kreut V, të vendimit nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës dhe mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontratave të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien e miratimit për lidhjen e kontratës së qirasë, me tarifën 1 euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, si qiradhënës, dhe shoqërisë “ALUFLOR”, sh.p.k., si qiramarrës, për pasurinë shtetërore nr.10/211, e llojit “truall”, me sipërfaqe të përgjithshme 30 310.89 (tridhjetë mijë e treqind e dhjetë pikë tetëdhjetë e nëntë) m2, nga e cila 13 827.31 (trembëdhjetë mijë e tetëqind e njëzet e shtatë pikë tridhjetë e një) m2 sipërfaqe ndërtimore, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, dhe pasurinë shtetërore nr.5/160/ND e llojit “ndërtesë”, me sipërfaqe 685.3 (gjashtëqind e tetëdhjetë e pesë pikë tre) m2, në pronësi të shoqërisë “Petrol Alba”, sh.a., në likuidim, në zonën kadastrale 8516, me vendndodhje në Durrës, për 20 (njëzet) vjet, sipas kartelave të pasurive, fragmenteve të hartave kadastrale, genplaneve dhe tekstit të projektkontratës, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, shoqëria “Petrol Alba”, sh.a., në likuidim, dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
  
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE, TË DOKUMENTACIONIT   DHE TË MASËS SË KOMPENSIMIT PËR SHOQËRITË E LINJAVE TË TRANSPORTIT QYTETËS, RRETHQYTETËS DHE NDËRQYTETËS NË KUSHTET E SITUATËS SË VEÇANTË NË TREGUN HIDROKARBUR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 14, të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I.  TË PËRGJITHSHME
1. Kompesimin e shoqërive të transportit për linjat qytetëse, rrethqytetëse dhe ndërqytetëse, në masën 50 (pesëdhjetë) lekë për litër karburanti, për një periudhë trimujore, mars, prill, maj 2026. Kompensimi bëhet për shumën e konsumimit të karburantit për periudhën mars, prill, maj 2026, por jo më shumë se sasia e konsumuar për të njëjtën periudhë të vitit 2025, për secilën nga shoqëritë.
2. Efektet financiare, prej 250 000 000 (dyqind e pesëdhjetë milionë) lekësh, do të përballohen nga:
a) fondi rezervë i buxhetit të shtetit;
b) buxheti i Bashkisë Tiranë, respektivisht, për shoqëritë e linjave qytetëse të Tiranës.
II. KRITERET DHE DOKUMENTACIONI PËR PËRFITIMIN E KOMPENSIMIT
1. Kërkesa për të përfituar kompensimin financiar, të përcaktuar në pikën 1, të kreut I, të këtij vendimi, bëhet nga subjekti çdo muaj pranë administratës tatimore, nën juridisksionin e së cilës ai është regjistruar, e cila bën verifikimin e dokumentacionit të paraqitur.
2. Subjektet kërkuese duhet të paraqesin pranë administratës tatimore, nën juridiksionin e së cilës janë regjistruar, dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Kërkesën, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
b) Kopjen e licencës përkatëse të vlefshme për transportin qyetetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës;
c) Të dhënat identifikuese të subjektit tatimpagues të pajisur me NIUS;
ç) Emrin e bankës, ku subjekti përfitues ka llogarinë rrjedhëse bankare;
d) IBAN-in e llogarisë bankare, jo më shumë se 28 karaktere dhe në monedhën lekë;
dh) Për shoqëritë që kryejnë vetëm aktivitet të transportit qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës, kopje të faturave fizike të furnizimit me karburant për periudhën mars, prill, maj të viteve 2025 dhe 2026;
e) Për shoqëritë, që përveç aktivitetit të transportit qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës ushtrojnë edhe aktivitete të tjera, përveç kopjeve të faturave fizike të furnizimit me karburant për periudhën mars, prill, maj të viteve 2025 e 2026, duhet të paraqesin edhe:
i. vetëdeklarim të sasisë së karburantit të përdorur për  transportin qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës;
ii. kopje të fletëdaljeve të karburantit gjatë muajve mars, prill, maj të viteve 2025 e 2026, të përdorur për transportin qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës, sipas targave të mjeteve.
3. Kërkesat nga subjektet paraqiten pas datës 10 (dhjetë) të muajit pasardhës, duke filluar nga muaji prill 2026.
4. Në rastin kur konstatohet se dokumentet e dorëzuara nga subjekti janë të paplota apo kanë mangësi, administriata tatimore, brenda 5 (pesë) ditëve punë, e kthen kërkesën me qëllim plotësimin e dokumentacionit.
5. Administrata tatimore pas verifikimit të dokumentacionit, të përcaktuar në pikën 2, të këtij kreu, dërgon pranë degës përkatëse të thesarit, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve punë, urdhërshpenzimet, duke bashkëlidhur listën përmbledhëse të subjekteve përfituese, sipas bankave të nivelit të dytë, ku përfituesit kanë llogarinë e tyre bankare.
6. Kur shpenzimet përballohen nga Bashkia Tiranë, administrata tatimore, pas verifikimit të dokumentacionit të përcaktuar në pikën 2, të këtij kreu, i dërgon, brenda 10 (dhjetë) ditëve punë Bashkisë Tiranë, në tërësi, dokumentacionin e administruar dhe listën përmbledhëse të subjekteve përfituese dhe vlerave.
7. Bashkia Tiranë, brenda 10 (dhjetë) ditëve punë, dërgon pranë degës përkatëse të thesarit urdhërshpenzimet, duke bashkëlidhur listën përmbledhëse të subjekteve përfituese, sipas bankave të nivelit të dytë, ku përfituesit kanë llogarinë e tyre bankare.
8. Për shoqëritë e regjistruara pas muajit maj 2025, si vlerë reference për  kompesim do të merret  vlera më e lartë e konsumit të karburantit, për periudhën janar – shkurt 2026.
9. Me qëllim shmangien e abuzimit, strukturat e administratës tatimore mund të kryejnë edhe verifikime në vend, në rast konstatimi të pasaktësive në dokumentacionin e paraqitur në kërkesë.
10. Struktura e thesarit në degë, mbas marrjes së urdhërshpenzimit me listën e përfituesve, sipas pikës 5, të këtij kreu, kryen pagesën brenda 5 (pesë) ditëve punë.
III. ÇËSHTJE TË FUNDIT
1. Kërkesat për kompensim do të pranohen deri në datën 1 gusht 2026.
2. Efektet financiare, prej 250 000 000 (dyqind e pesëdhjetë milionë) lekësh, do të përballohen nga:
a) fondi rezervë i buxhetit të shtetit, në masën 120 000 000 (njëqind e njëzet milionë) lekë;
b) buxheti i Bashkisë Tiranë, respektivisht, për shoqëritë e linjave qytetëse të Tiranës, në masën 130 000 000 (njëqind e tridhjetë milionë) lekë.
3. Ngarkohen Ministria e Financave, Bashkia Tiranë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR 
PËRCAKTIMIN E FORMATIT DHE TË SPECIFIKIMEVE TEKNIKE TË VULAVE TË VERIFIKIMIT KUFITAR, SI DHE TË RREGULLAVE PRAKTIKE TË VULOSJES SË DOKUMENTEVE TË UDHËTIMIT GJATË HYRJE-DALJEVE NË KUFIRIN SHTETËROR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 17, të  ligjit nr.39/2025, “Për kontrollin e kufirit shtetëror”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Vulat që përdoren nga rojat kufitare, për efekt të verifikimeve kufitare në hyrje dhe në dalje të kufirit shtetëror të Republikës së Shqipërisë (në vijim, vulat e hyrje-daljes), kategorizohen si mall me natyrë të veçantë dhe prokurohen në përputhje me parashikimet e ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar.
2. Trupi dhe gjurma e vulave të hyrje-daljes është prej materiali metalik, i cili i reziston përdorimit të shpeshtë dhe për një kohë të gjatë.
3. Trupi i vulave të hyrje-daljes përmban mekanizëm të lëvizshëm, që mundëson ndërrimin e datarit dhe të kodit të sigurisë.
4. Specifikimet e gjurmës së vulave të hyrje-daljes klasifikohen “konfidenciale”.
5. Gjurma e vulave të hyrje-daljes përmban kodin e personalizuar, emrin e pikës përkatëse të kalimit kufitar, simbolin përkatës të mjetit të udhëtimit, në varësi të pikës së kalimit kufitar dhe, në zonën ku vendosen shkronjat e simbolit të shtetit, përmban simbolin “AL” të rrethuar nga një rreth.
6. Mënyra e përcaktimit të kodit të sigurisë së vulave të hyrje-daljes për secilën pikë të kalimit kufitar, procedurat për magazinimin, ruajtjen, sigurimin e dorëzimin e vulave për çdo turn dhe për çdo rojë kufitare në pikat e kalimit kufitar, si edhe formati e përmbajtja e informacionit lidhur me vulat e hyrje-daljes të dëmtuara, të humbura apo të vjedhura, përcaktohen dhe rregullohen në procedurat standarde të punës të Policisë Kufitare dhe Migracionit.
7. Kodi i sigurisë së vulave të hyrje-daljes ndërrohet në intervale të rregullta, jo më të gjata se një muaj.
8. Me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit përcaktohet një Pikë Kombëtare Kontakti, përgjegjëse për shkëmbimin e informacionit për kodet e sigurisë së vulave të hyrje-daljes. Pika Kombëtare e Kontaktit ka akses të menjëhershëm në informacionin për këto vula për:
a) pikën e kalimit kufitar, në të cilën është dorëzuar një vulë e caktuar dhe gjendjen e saj fizike;
b) identitetin e rojës kufitare, të cilit i është dhënë në dorëzim një vulë e caktuar, në një kohë të caktuar;
c) kodin e sigurisë së një vule të caktuar, në një kohë të caktuar.
9. Kërkimi i informacionit për vulat e hyrje-daljes, në përputhje me parashikimet e pikës 8 të këtij vendimi, kryhet nëpërmjet Pikës Kombëtare të Kontaktit.
10. Vulosja e pasaportës që nuk përmban vizë kryhet duke vendosur vulën e hyrjes në anën e majtë të faqes së parë të lirshme të pasaportës, duke filluar nga lart. Vula e daljes vendoset, parimisht, në të njëjtën faqe, përbri vulës së hyrjes.
11. Vulosja e pasaportës që ka një vizë, me të cilën personit i jepet e drejta e hyrjes, kryhet sipas parashikimeve të pikës 10 të këtij vendimi, në faqen përballë faqes, ku është vendosur viza. Nëse kjo faqe është e zënë, vulosja kryhet në faqen e lirë vijuese.
12. Vulat e hyrje-daljes në pasaportë nuk vendosen në faqet, në të cilat pasqyrohen ose kërkohen shënime të tjera, si dhe në zonën e lexueshme nga aparaturat.
13. Në dokumentet e tjera, që janë përcaktuar për t’u vulosur, sipas ligjit nr.39/2025, “Për kontrollin kufitar”, dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, vulat e hyrje-daljes vendosen në hapësirën e posaçme për vulosje ose në një pjesë të dukshme të dokumentit, kur nuk ka një hapësirë të tillë.
14. Në rastet e refuzimit të hyrjes, në faqen e parë të lirshme të pasaportës vendoset vula e hyrjes, e cila anulohet me vendosjen e një kryqi, të realizuar me bojë të pashlyeshme, sipas modelit të shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, dhe përbri saj, në anën e djathtë, po me këtë lloj boje, shënohet shkronja ose shkronjat korresponduese për refuzimin e hyrjes, sipas formularit të refuzimit të hyrjes.
15. Kur vula e hyrjes ose e daljes vendoset gabimisht në një dokument apo paraqet të dhëna jo të sakta, ajo revokohet me dy viza paralele, me bojë të pashlyeshme, të vendosura në këndin e sipërm të vulës, në anën e majtë, sipas modelit të shtojcës 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
16. Personat që kanë hyrë ose që kanë dalë në mënyrë të ligjshme, por të cilëve u mungon vula në dokumentin e udhëtimit apo shënimet zyrtare përkatëse në sistemet elektronike, pajisen me formularin që vërteton hyrjen ose daljen e ligjshme, sipas shtojcës 3, që i bashkëlidhet këtij vendimi, nga struktura e Policisë Kufitare dhe të Migracionit, që evidenton e para rastin. Kjo strukturë kryen verifikimin e ligjshmërisë së hyrjes ose të daljes së personit me anë të dokumenteve ndihmëse: bileta udhëtimi, lista udhëtarësh, shënime të tjera zyrtare, arkiva të ndryshme dhe bën shënimin për datën, vendin dhe drejtimin e kalimit të kufirit në dokumentin e udhëtimit të personit.
17. Departamenti për Kufirin dhe Migracionin, në bazë të nevojave të secilës pikë të kalimit kufitar, harton listën e plotë të kërkesave për vulat e hyrje-daljes, duke përfshirë kodet e personalizuara dhe simbolet përkatëse të mjetit të transportit për secilën vulë.
18. Vulat e nxjerra jashtë përdorimit ruhen dhe administrohen sipas rregullave të përcaktuara në ligjin nr.9154, datë 6.11.2003, “Për arkivat”, të ndryshuar.
19. Vendimi nr.824, datë 23.11.2016, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e formatit e të specifikimeve teknike të vulave të verifikimit kufitar dhe të rregullave të vendosjes së tyre në dokumentet e udhëtimit gjatë hyrje-daljeve në kufirin shtetëror”, shfuqizohet.
20. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.570,  DATË 17.7.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISË KOMBËTARE TË PYJEVE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.570, datë 17.7.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Pyjeve”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Kudo në përmbajtje të vendimit, emërtesa “Ministria e Turizmit dhe Mjedisit” zëvendësohet me fjalët “ministria përgjegjëse për pyjet”.
2. Në kreun III bëhen shtesa dhe ndryshimi, si më poshtë vijon:
a) Pas pikës 5.1 shtohet pika 5.1/1, me këtë përmbajtje:
“5.1/1. Në lidhje me angazhimet e Republikës së Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian:
a) kontribuon në përafrimin dhe zbatimin e legjislacionit të Bashkimit Evropian në fushën e pyjeve, të biodiversitetit e të ujërave;
b) kryen inventarizimin, monitorimin dhe raportimin e gjendjes së pyjeve, sipas standardeve të Bashkimit Evropian;
c) kontribuon në politikat për ndryshimet klimatike dhe mbrojtjen e biodiversitetit nëpërmjet menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve;
ç) kontribuon për përfitimin nga programet dhe fondet e Bashkimit Evropian, si dhe nxit përdorimin e teknologjive moderne në sektorin pyjor.”.
b) Pika 7 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“7. Emërimi i drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Pyjeve bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave dhe marrëdhëniet e punës në këtë pozicion rregullohen sipas dispozitave të ligjit nr.7961,   datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar. Marrëdhëniet e punës së punonjësve të AKP-së dhe të agjencive rajonale të saj rregullohen sipas dispozitave të legjislacionit të shërbimit civil.
Marrëdhëniet e punës së punonjësve administrativë rregullohen sipas dispozitave të Kodit të Punës.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MBYLLJEN E VEPRIMTARISË SË INSTITUCIONIT ARSIMOR PARAUNIVERSITAR PRIVAT TË ARSIMIT TË MESËM TË LARTË “KRYQI I NDERUAR”, GJIROKASTËR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 42, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Mbylljen e veprimtarisë së institucionit arsimor parauniversitar privat të arsimit të mesëm të lartë “Kryqi i Nderuar”, Gjirokastër, në të cilin zhvillohen edhe lëndë fetare, të cilit i është dhënë leje funksionimi me vendimin nr.279, datë 10.6.1999, të Këshillit të Ministrave, “Për dhënie leje funksionimi të institucionit arsimor jopublik”.
2. Institucioni arsimor parauniversitar privat i arsimit të mesëm të lartë “Kryqi i Nderuar”, Gjirokastër, ka këto detyrime:
a) Të pajisë çdo nxënës me dokumentacionin e nevojshëm shkollor, që do të shërbejë për transferimin e tij në një institucion tjetër të arsimit parauniversitar;
b) Të mbulojë të gjitha shpenzimet për kryerjen e procedurave për transferimin e nxënësve, në zbatim të këtij vendimi;
c) Të kthejë pagesat e kryera (nëse ka) nga prindi/përfaqësuesi ligjor i nxënësit për pjesën e papërfunduar të shkollimit, si dhe çdo detyrim tjetër të papërmbushur, që mund të ketë ndaj nxënësit;
ç) Të vërë në dispozicion të institucionit arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, çdo informacion të kërkuar deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të parashikuara në këtë vendim;
d) Të dorëzojë në Arkivin Shtetëror Vendor të gjithë dokumentacionin që disponon, si dhe të paraqesë në institucionin arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, një kopje të dokumentacionit e të procesverbalit të dorëzimit të tij, sipas afateve të parashikuara në legjislacionin në fuqi.
3. Institucioni arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, nën juridiksionin e të cilit ndodhet shkolla, ka për detyrë:
a) të ngrejë grup pune, brenda 3 (tri) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, dhe të marrë masat për mbylljen e veprimtarisë së institucionit arsimor parauniversitar privat të arsimit të mesëm të lartë “Kryqi i Nderuar”, Gjirokastër;
b) të marrë masat për transferimin e nxënësve në institucione të tjera të arsimit parauniversitar për të gjithë nxënësit e regjistruar në këtë institucion arsimor;
c) të administrojë të gjithë dokumentacionin lidhur me veprimtarinë mësimore të kryer nga institucioni arsimor parauniversitar privat.
4. Vendimi nr.279, datë 10.6.1999, i Këshillit të Ministrave, “Për dhënie leje funksionimi të institucionit arsimor jopublik”, shfuqizohet.
5. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar, Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Fier, Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Gjirokastër-Libohovë, institucioni arsimor parauniversitar privat i arsimit të mesëm të lartë “Kryqi i Nderuar”, Gjirokastër, dhe Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR 
MIRATIMIN E REKOMANDIMEVE PRIORITARE NË LUFTËN KUNDËR KRIMINALITETIT, PËR VITIN 2026
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 103, të ligjit nr.97/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të pikës 32, të nenit 6, të ligjit nr.8678, datë 14.5.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rekomandimeve prioritare në luftën kundër kriminalitetit, për vitin 2026, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohet ministri i Drejtësisë të përcjellë menjëherë rekomandimet prioritare pranë Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe t’ua bëjë ato të njohura drejtuesve të prokurorive të të gjitha shkallëve dhe drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, në një mbledhje të përbashkët, jo më vonë se 1 (një) muaj nga data e miratimit të këtij vendimi.
3. Ngarkohet ministri i Drejtësisë të ndjekë në vazhdimësi mënyrën e zbatimit të këtyre rekomandimeve, sipas legjislacionit në fuqi.
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.649, DATË 16.10.2024,   KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN  E RREGULLORES “PËR KUSHTET DHE KRITERET E USHTRIMIT TË VEPRIMTARISË SË STACIONIT TË PLAZHIT”,  TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 64, të  ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në rregulloren bashkëlidhur vendimit nr.649, datë 16.10.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores “Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit””,  të ndryshuar, bëhen këto shtesa:
a) Pas  pikës 5, të nenit 14, shtohet pika 5/1, me këtë përmbajtje:
“5/1. Përjashtimisht, për vitin 2026, afati kohor për lidhjen e kontratave të qirasë për përdorimin e stacionit të plazheve, të parashikuar në pikën 5, të nenit 4, të kësaj rregulloreje, do të jetë brenda muajit qershor.”.
b) Në nenin 5 të shtojcës  I,  “Kontrata model për përdorimin e hapësirës së plazhit”, që i bashkëlidhet rregullores, shtohen pikat 3 dhe 4, me këtë përmbajtje:
 “3. Dhënësi, në bashkëpunim me njësinë e vetëqeverisjes vendore, mund të propozojë amendime në këtë kontratë, në rastet e  ndryshimeve në kapacitetin e strukturës akomoduese, zonës së plazhit apo zhvillimeve në zonën bregujore, vetëm me pëlqimin e ndërsjellë të palëve.
4. Për kontratat ekzistuese të lidhura për përdorimin e hapësirës së plazhit, ndryshimet e parashikuara në pikën 3, të këtij neni, kryhen vetëm me pëlqimin e ndërsjellë të palëve, nëpërmjet nënshkrimit të amendimit të kontratës.”.
2. Ngarkohen ministria përgjegjëse për turizmin, Agjencia Kombëtare e Bregdetit dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
      Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PëR
 NGARKIMIN E FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT,  SI AUTORITET KONTRAKTOR, PËR REALIZIMIN E FAZËS PARAPRAKE TË PROJEKTIT “PARKU I BESIMIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 53, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Caktimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, si autoritet kontraktor dhe njësi zbatuese për kryerjen e procedurave të prokurimit publik, për realizimin e fazës paraprake të projektit “Parku i Besimit”, si dhe përfshirjen e këtij projekti në programin e tij zhvillimor.
2. Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në cilësinë e autoritetit kontraktor dhe njësisë zbatuese, sipas pikës 1, ngarkohet të kryejë:
a) projektimin dhe zbatimin e ndërhyrjeve utilitare;
b) trajtimin e aksesit drejt dhe brenda Parkut:
c) trajtimin e hapësirave të parkimit;
ç) ndërtimin e infrastrukturës nëntokësore;
d) ndërhyrjet që lidhen me sigurinë, përfshirë rrethimin.
3. Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Korporata e Investimeve Shqiptare dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit lidhin marrëveshje bashkëpunimi, në funksion të zhvillimit të projektit, të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi.
4. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Korporata e Investimeve Shqiptare, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR 
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.182, DATË 20.3.2025, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E ELEMENTEVE TË SIGURISË DHE ÇMIMIT  TË PULLAVE FISKALE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 40, pika 1, e 42, të ligjit nr.61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.182, datë 20.3.2025, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e elementeve të sigurisë dhe çmimit të pullave fiskale”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Përcaktimin e elementeve kryesore të pullave fiskale me sistem gjurmimi, si më poshtë vijon:
A) Karakteristikat e sigurisë
     Elementet e sigurisë së pullave fiskale kategorizohen, si më poshtë vijon:
a) Karakteristika të dukshme me sy të lirë:
i. Sfond i sigurt që përfshin elemente grafike të tipit guilloche dhe tekst të imët.
ii. Kod dydimensional i dukshëm (DataMatrix) dhe kod i lexueshëm nga njeriu (Human Readable Code – HRC).
iii. Element optik me ndryshim ngjyre (optically variable colour-shifting element).
iv. Strukturë rezistente ndaj ndërhyrjeve, me prerje teknike (die-cuts) në shtresën vetëngjitëse.
b) Karakteristika gjysmë të fshehura (Semi-Covert Features)
i. Elemente grafike të integruara me efekte të dyfishta polarizimi.
ii. Karakteristika reaktive ndaj rrezeve ultraviolet (UV), të dallueshme përmes ekspozimit ndaj dritës ultraviolet UV.
iii. Elemente sigurie grafike të integruara brenda kodit 2D, të verifikueshme përmes aplikacionit zyrtar.
c) Karakteristika të fshehura (të padukshme me sy të lirë):
i. Kod dydimensional i padukshëm, i zbulueshëm vetëm me pajisje të specializuara.
ii. Identifikues unikë të enkriptuar, të koduar si në kodet e dukshme ashtu edhe në ato të padukshme, të menaxhuar përmes Sistemit të Gjurmueshmërisë dhe Kontrollit të ALBTrace.
iii. Substrat që përmban fibra sigurie, të integruara në materialin bazë.
ç) Analiza të detajuara hetimore
Elemente sigurie të nivelit të avancuar, të integruara në materialin e pullës fiskale, të cilat nuk janë të dukshme dhe nuk mund të verifikohen me mjete standarde kontrolli.
Këto karakteristika mundësojnë autentifikimin shkencor të pullës fiskale vetëm përmes analizave të specializuara të kryera në laboratorë të analizave të detajuara, duke përdorur pajisje dhe metoda teknike të dedikuara.
B) Shënjimi i drejtpërdrejtë i sigurt për birrën vendase dhe produktet e tjera të pijeve alkoolike që prodhohen në Shqipëri nga prodhues në shkallë të madhe ose të importuara nga importues të autorizuar për këtë qëllim:
a) Një kod unik dydimensional (Datamatrix) printohet drejtpërdrejt mbi produkt gjatë procesit të kodimit.
b) Kodi gjenerohet dhe menaxhohet përmes Sistemit të Gjurmueshmërisë dhe Kontrollit të ALBTrace.
c) Shënjimi projektohet në mënyrë të tillë që të jetë rezistent ndaj ndërhyrjeve dhe manipulimeve, si dhe të mundësojë verifikimin nga autoritetet kompetente.
ç) Shënjimi përmban elemente sigurie të menaxhuara elektronikisht, të barasvlershme në nivel sigurie me ato të pullave fiskale fizike.”.
b) Pas pikës 2 shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:
 “2/1. Zbatimi i sistemit të pullave fiskale, si version i përditësuar i sistemit ekzistues nëpërmjet shtimit të funksionaliteteve të reja dhe rritjes së nivelit të sigurisë, sipas parashikimeve të këtij vendimi, fillon në datën 1 korrik 2026.
Pullat fiskale të prodhuara dhe të vendosura në përdorim përpara datës 1 korrik 2026 mbeten të vlefshme dhe të përdorshme deri në përdorimin e plotë të tyre, por jo më vonë se data 1 korrik 2027.
Gjatë periudhës kalimtare drejt sistemit të ri të pullave fiskale, ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe shoqëria aksionare shtetërore “ALBTrace Co”, sh.a., të marrin masat organizative, teknike dhe administrative.”.
2. Ngarkohen Ministria e Financave, shoqëria “Shtypshkronja e Letrave me Vlerë”, sh.a., Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe shoqëria aksionare shtetёrore “ALBTrace Co”, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.362, DATË 5.6.2024,   TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN TE BASHKIA TIRANË TË NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 9, të nenit 19, të  aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Lista e inventarit, bashkëlidhur vendimit nr.362, datë 5.6.2024, të Këshillit të Ministrave, zëvendësohet me listën e inventarit, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M 
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.760,  DATË 13.12.2024, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “ZGJERIMI I RRUGËS ELBASAN-PËRRENJAS-QAFËTHANË (FAZA III)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të  ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.760, datë 13.12.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Zgjerimi i rrugës Elbasan-Përrenjas-Qafëthanë, (faza III)””, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Pikat 3 dhe 4 ndryshohen, si më poshtë vijon:
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë”, “truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 14 724 608 (katërmbëdhjetë milionë e shtatëqind e njëzet e katër mijë e gjashtëqind e tetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 14 724 608 (katërmbëdhjetë milionë e shtatëqind e njëzet e katër mijë e gjashtëqind e tetë) lekësh, përballohet nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.”.
b) Në tabelën, që i bashkëlidhet vendimit, bëhen ndryshimet dhe shtesa e mëposhtme:
i. Të dhënat për shpronësim të numrit rendor 10 të tabelës, bashkëlidhur vendimit, zëvendësohen me të dhënat me të njëjtin numër rendor sipas tabelës, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
ii. Tabelës, bashkëlidhur vendimit, i shtohen pasuritë me numra rendorë 14-22 sipas tabelës, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
iii. Togfjalëshi “Vlera totale 684 342” zëvendësohet me “Vlera totale 14 724 608”.
2. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
3. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Zyra Vendore Librazhd, Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Elbasan dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “STUDIM-PROJEKTIM AKSI RRUGOR ELBASAN-LEKAJ, KORRIDORI 8, NDËRTIM AKSI RRUGOR PAPËR-URA E GRYKSHIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Studim-projektim aksi rrugor Elbasan-Lekaj, korridori 8, ndërtim aksi rrugor Papër-Ura e Grykshit”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 14 667 525 (katërmbëdhjetë milionë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e shtatë mijë e pesëqind e njëzet e pesë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 14 667 525 (katërmbëdhjetë milionë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e shtatë mijë e pesëqind e njezet e pesë) lekësh, përballohet nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.
8. Agjencia Shtetërore për Shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
10. Autoriteti Rrugor Shqiptar, pas miratimit të këtij vendimi, aplikon menjëherë pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, e cila brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të vendimit, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për Autoritetin Rrugor Shqiptar për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të aktit të kalimit të pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për Autoritetin Rrugor Shqiptar për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Elbasan për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K  R Y E M IN I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE  TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIM, RRUGA KTHESA E BËRDICËS – URA E BAÇALLËKUT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të  ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtim, rruga Kthesa e Bërdicës – Ura e Baçallëkut”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë”, “truall”, “pemëtore” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 57 455 087.10 (pesëdhjetë e shtatë milionë e katërqind e pesëdhjetë e pesë mijë e tetëdhjetë e shtatë pikë dhjetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 57 455 087.10 (pesëdhjetë e shtatë milionë e katërqind e pesëdhjetë e pesë mijë e tetëdhjetë e shtatë pikë dhjetë) lekësh, përballohet nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.
8. Agjencia Shtetërore për Shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Shkodër, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Shkodër, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Shkodër për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
                                                      
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
***
V E N D I M 
PËR
KRIJIMIN, FUNKSIONIMIN DHE ADMINISTRIMIN E FONDITTË GJELBËR TË PEMËVE, NË KUADËR TË ZHVILLIMIT TË TERRITORIT E TË HAPËSIRAVE PUBLIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 10, të nenit 39, të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Neni 1
Objekti dhe qëllimi
1. Ky vendim përcakton rregullat për krijimin, funksionimin dhe administrimin e fondit të gjelbër të pemëve, në kuadër të zhvillimit të qëndrueshëm të territorit.
2. Qëllimi i fondit të gjelbër të pemëve është:
a) garantimi i integrimit të elementeve të gjelbërimit në zhvillimin e territorit;
b) rritja e sipërfaqeve të gjelbëruara;
c) përmirësimi i cilësisë së jetës dhe i hapësirave publike;
ç) përcaktimi i mënyrave dhe i procedurave të përdorimit e të shpërndarjes së pemëve për nevoja publike dhe peizazh urban.
Neni 2
Krijimi i fondit
1. Krijohet fondi i gjelbër i pemëve (në vijim fondi), si instrument në funksion të politikave të zhvillimit të qëndrueshëm të territorit dhe të rritjes së sipërfaqeve të gjelbëruara.
2. Fondi funksionon si fond fizik, i përbërë nga fidanë dhe pemë për mbjellje, i cili administrohet në nivel qendror nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit (në vijim AZHT).
3. Fondi përdoret ekskluzivisht për:
a) mbjelljen e fidanëve dhe pemëve;
b) rehabilitimin e hapësirave të gjelbëruara;
c) mirëmbajtjen e tyre.
4. AZHT-ja është përgjegjëse për:
a) krijimin e stokut kombëtar të fidanëve dhe pemëve;
b) planifikimin kombëtar të nevojave për gjelbërim, në kuadër të zhvillimit të qëndrueshëm të territorit, pas bashkërendimit të procesit me njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe ministrinë përgjegjëse për mjedisin;
c) shpërndarjen e fidanëve dhe pemëve për projekte publike nga institucionet qendrore dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, sipas kërkesave dhe nevojave të organeve qendrore e vendore.
Neni 3
Bashkëpunimi me ministrinë përgjegjëse për mjedisin dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore
1. Njësitë e vetëqeverisjes vendore janë përgjegjëse për:
a) identifikimin e hapësirave për mbjellje në territorin administrativ të tyre;
b) zbatimin në terren me strukturat përgjegjëse, duke mbjellë fidanët dhe pemët në zonat e miratuara nga AZHT-ja;
c) mirëmbajtjen e pemëve dhe fidanëve të mbjellë;
ç) raportimin periodik në AZHT.
2. AZHT-ja, pas identifikimit dhe propozimit të hapësirave për mbjellje në territorin administrativ nga secila bashki, miraton zonat e përcaktuara për krijimin e fondit të gjelbër në territorin e secilës bashki.
3. AZHT-ja, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për mjedisin, përcakton llojet e bimësisë që do të përdoret, në përputhje me karakteristikat territoriale dhe kushtet mjedisore të zonave përkatëse.
Neni 4
Detyrimi për mbjelljen e pemëve nga lejet e ndërtimit
1. Çdo subjekt zhvillues, që pajiset me leje ndërtimi, është i detyruar të kontribuojë në fond.
2. Kontributi përcaktohet, si më poshtë vijon:
a) 1 (një) pemë për çdo 30 (tridhjetë) m² sipërfaqe ndërtimi, por në çdo rast, jo më pak se 20 (njëzet) pemë për kat ndërtimi për të gjitha objektet rezidenciale dhe turistike, por jo më shumë se 500 (pesëqind) pemë për çdo leje ndërtimi;
b) 10 (dhjetë) pemë për çdo vilë apo shtëpi individuale banimi;
c) 10 (dhjetë) pemë për magazinat bujqësore dhe industriale;
ç) Për centralet e prodhimit të energjisë, 10 (dhjetë) pemë për MW, por jo më shumë se 500 (pesëqind) pemë për çdo leje ndërtimi.
3. Kontributi realizohet nëpërmjet dorëzimit, mbjelljes fizike të fidanëve dhe pemëve në zonat e përcaktuara nga AZHT-ja, pas një procesi bashkërendimi me njësitë e vetëqeverisjes vendore.
Neni 5
Deklarata e përgjegjësisë
1. Para lëshimit të lejës së ndërtimit, sipas procedurave të legjislacionit në fuqi për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, subjekti zhvillues depoziton një deklaratë përgjegjësie, me anë të së cilës angazhohet për përmbushjen e detyrimit për mbjellje të fidanëve dhe pemëve, pranon kushtet e përcaktuara nga autoriteti përgjegjës i zhvillimit të territorit dhe garanton realizimin e detyrimit, brenda afateve të lejes.
2. Certifikata e përdorimit lëshohet nga autoriteti përgjegjës i zhvillimit të territorit, vetëm pasi të ketë marrë konfirmimin nga struktura përgjegjëse për gjelbërimin pranë njësisë së vetëqeverisjes vendore për përmbushjen e detyrimit për mbjelljen e fidanëve dhe pemëve.
Neni 6
Detyrimi për shfrytëzimin e hapësirave publike
1. Çdo person fizik apo juridik, që pajiset me leje nga njësia e vetëqeverisjes vendore për shfrytëzimin e hapësirave publike, ka detyrimin të kontribuojë në fond.
2. Kontributi përcaktohet në raportin 1 (një) pemë për çdo tavolinë, në rastin kur kërkohet të vendosen karrike në hapësirën publike.
3. Kontributi fizik dhe raporti me numrin e tavolinave verifikohet nga strukturat përkatëse të bashkisë.
4. Kontributi realizohet në formë fizike, sipas këtij vendimi, ose duke paguar ekuivalentin e pemëve në lekë, në funksion të fondit të gjelbër të bashkisë përkatëse.
Neni 7
Administrimi i fondit
1. AZHT-ja, në bashkëpunim me njësitë e vetëqeverisjes vendore, mban një regjistër të posaçëm elektronik, pjesë e sistemit e-Leje, për:
a) fidanët dhe pemët e mbjella;
b) shpërndarjen e tyre sipas zonave të miratuara;
c) datën e mbjelljes;
ç) statusin e mirëmbajtjes.
2. Regjistri elektronik krijohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, brenda 3 (tre) muajve nga hyrja në fuqi të këtij vendimi.
Neni 8
Shpërndarja e fondit të fidanëve dhe pemëve
1. Institucionet publike paraqesin kërkesë pranë AZHT-së për përfitimin e pemëve nga fondi pyjor, në funksion të zhvillimeve apo investimeve të tyre publike.
2. Kërkesa shoqërohet nga dokumentacioni i mëposhtëm:
a) Relacioni për qëllimin e përdorimit dhe zhvillimit, i cili planifikohet të kryhet;
b) Projekti përkatës publik;
c) Të dhëna për vendndodhjen;
ç) Të dhëna për numrin e pemëve.
3. AZHT-ja vendos për shpërndarjen e fidanëve dhe pemëve, duke marrë në konsideratë prioritetet e zhvillimit të territorit dhe nevojat publike për projekte të gjelbëruara.
Neni 9
Zbatimi
Ngarkohen Agjencia e Zhvillimit të Territorit, njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.
Neni 10
Hyrja në fuqi
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.777,  DATË 15.12.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE,  “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES SË GARDËS SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 70, të ligjit nr.33/2021, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në pikën 13, të nenit 158, të rregullores, që i bashkëlidhet vendimit nr.777, datë 15.12.2021, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Fjalët “… së përditshme duhet të zbatojë normat e sjelljes …” zëvendësohen me “… së tij, zbaton rregullat …”.
2. Shkronja “dh” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“dh) të mos mbështesë fushatën e një partie, organizate politike, të një anëtari të një partie politike apo të një kandidati të pavarur, duke marrë pjesë ose duke kontribuuar fizikisht ose financiarisht, dhe të mos shprehë publikisht bindje apo preferenca politike. Punonjësit të Gardës i ndalohet të marrë pjesë, edhe nëse nuk është në shërbim, në mbledhje e në tubime të partive, të shoqatave dhe të organizatave politike.”.
3. Pas shkronjës “e” shtohen shkronjat “ë”, “f” dhe “g”, me këtë përmbajtje:
“ë) Ka të drejtë të organizohet në sindikata për të mbrojtur interesat e tij profesionalë dhe të drejtat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi;
f) Të mos kandidojë dhe të mos zgjidhet, pa hequr dorë më parë nga detyra, në funksione politike;
g) Të mos kryejë veprimtari politike, pavarësisht nëse veprimtaria kryhet në bashkëpunim me ndonjë parti politike ose jo, si dhe të mos kryejë veprimtari, që përbën konflikt interesi apo që mund të krijojë përshtypjen se punonjësi i Gardës së Republikës është i njëanshëm dhe i ndikuar.”.
II. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe Garda e Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.782, DATË 7.10.2020,   TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E MODELEVE TË AKTEVE KADASTRALE DHE TË DHËNAVE NË PËRMBAJTJE TË HARTËS KADASTRALE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13, pika 5, 15, pika 3, e 17, pika 7, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.782, datë 7.10.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e modeleve të akteve kadastrale dhe të dhënave në përmbajtje të hartës kadastrale”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa:
1. Pas pikës 4, të kreut II “Modeli dhe përmbajtja e kartelës së pasurisë së paluajtshme”, shtohet pika 4/1, me këtë përmbajtje:
“4/1. Përjashtimisht për pasuritë e paluajtshme të digjitalizuara, për shërbimet kadastrale që gjenerohen në mënyrë automatike nga baza shtetërore e të dhënave kadastrale dhe të ofruara përmes shërbimit elektronik publik, në përputhje me legjislacionin që rregullon identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara dhe dokumentin elektronik, kartela kadastrale lëshohet me vulë elektronike të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, sipas aneksit 1/1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Ky dokument ka të njëjtën vlerë ligjore dhe fuqi provuese si çdo dokument tjetër zyrtar.”.
2. Pas pikës 10, të kreut III “Harta kadastrale dhe modeli i planit të rilevimit”, shtohet pika 10/1, me këtë përmbajtje:
“10/1. Përjashtimisht për pasuritë e paluajtshme të digjitalizuara, për shërbimet kadastrale që gjenerohen në mënyrë automatike nga baza shtetërore e të dhënave kadastrale dhe të ofruara përmes shërbimit elektronik publik, në përputhje me legjislacionin që rregullon identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara dhe dokumentin elektronik, harta kadastrale gjenerohet me vulë elektronike, sipas                aneksit 3/1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Ky dokument ka të njëjtën vlerë ligjore dhe fuqi provuese si çdo dokument tjetër zyrtar.”.
3. Pas anekseve 1 dhe 3 shtohen përkatësisht anekset me numrat 1/1 dhe 3/1, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
II. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
Edi Rama
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.291, DATË 15.5.2024, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KUFIJVE MONETARË NË PROCEDURAT  E PROKURIMIT PUBLIK”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 33, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, dhe të pikës 2, të nenit 24, të ligjit nr.88/2025, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.291, datë 15.5.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kufijve monetarë në procedurat e prokurimit publik”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Titulli i vendimit ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Për përcaktimin e kufijve monetarë në procedurat e prokurimit publik, koncesionet dhe partneritetin publik privat”.
2. Në pikën 1, të kreut II “Kufijtë monetarë në sektorin klasik”, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
a) Në shkronjën “a”, togfjalëshi “… se vlera 603 000 000 (gjashtëqind e tre milionë) lekë” zëvendësohet me “… se vlera 528 781 400 (pesëqind e njëzet e tetë milionë e shtatëqind e tetëdhjetë e një mijë e katërqind) lekë”;
b) Në shkronjën “b”, togfjalëshi “… se vlera 16 000 000 (gjashtëmbëdhjetë milionë) lekë” zëvendësohet me “… se vlera 13 699 000 (trembëdhjetë milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë) lekë”.
3. Në pikën 1, të kreut III “Kufijtë monetarë në kontratat sektoriale”, bëhen këto ndryshime:
a) Në shkronjën “a” togfjalëshi “… se vlera 603 000 000 (gjashtëqind e tre milionë) lekë” zëvendësohet me “… se vlera 528 781 400 (pesëqind e njëzet e tetë milionë e shtatëqind e tetëdhjetë e një mijë e katërqind) lekë”;
b) Në shkronjën “b”, togfjalëshi “… se vlera 49 000 000 (dyzet e nëntë milionë) lekë” zëvendësohet me “… se vlera 42 271 200 (dyzet e dy milionë e dyqind e shtatëdhjetë e një mijë e dyqind) lekë”.
4. Pas kreut V shtohet kreu V/1, me këtë përmbajtje:
“KREU V/1
KUFIRI MONETAR PËR KONCESIONET DHE PARTNERITETIN PUBLIK PRIVAT
Kufiri minimal monetar për koncesionet dhe partneritetin publik privat është 5 000 000 (pesë milionë) lekë.”.
II. Dispozita kalimtare dhe të fundit
1. Procedurat e prokurimit publik të nisura me kufijtë monetarë para hyrjes në fuqi të këtij vendimi do të vijojnë të zhvillohen sipas kufijve të parashikuar në vendimin nr.291, datë 15.5.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kufijve monetarë në procedurat e prokurimit publik”, në fuqi, në momentin e nisjes së tyre.
2. Ngarkohen autoritetet dhe entet kontraktore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”, me përjashtim të pikës 4, të kreut I, të këtij vendimi, e cila hyn në fuqi pas hyrjes në fuqi të ligjit nr.88/2025, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DHËNIE MENDIMI KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR PROJEKTLIGJIN JOQEVERITAR “PËR NJË SHTESË NË LIGJIN NR.7703, DATË 11.5.1993, “PËR SIGURIMET SHOQËRORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 82, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Dhënien e mendimit Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin  joqeveritar “Për një shtesë në ligjin nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA