Ministrja Kumbaro: Agjencia Kombëtare e Shërbimeve Arsimore do të jetë publike, sipas ligjeve të shtetit shqiptar, por me standardet më të larta ndërkombëtare
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, gjatë një interpelance në Kuvend, sqaroi krijimin dhe funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore (AKSHA), duke theksuar se institucioni i ri do të mbetet një agjenci publike, autonome sipas legjislacionit shqiptar, nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Arsimit.
Sipas saj, krijimi i AKSHA-s synon modernizimin e sistemit kombëtar të vlerësimeve dhe përmirësimin e cilësisë, besueshmërisë dhe transparencës së shërbimeve arsimore, duke marrë përsipër administrimin e një game të gjerë shërbimesh që aktualisht ofrohen nga Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA), e cila përpunon rreth 158 mijë shërbime në vit.
Procesi për ngritjen e agjencisë ka nisur që në vitin 2019 dhe është zhvilluar në bashkëpunim me Cambridge University Press & Assessment, si pjesë e reformimit të sistemit të vlerësimit në arsim. Projektligji, sipas Kumbaros, është hartuar pas konsultimeve me Komisionin Evropian, në kuadër të detyrimeve të procesit të integrimit evropian dhe të Kapitullit 26.
Ministrja nënvizoi gjithashtu mbështetjen e AADF për ekspertizë, teknologji dhe infrastrukturë, duke sqaruar se fondacioni do të ketë rol donatori dhe partneri teknik, ndërsa administrimi dhe vendimmarrja do të mbeten tërësisht në kompetencë të shtetit shqiptar.
Autonomia e AKSHA-s pritet të mundësojë modernizimin e Maturës Shtetërore dhe vlerësimeve të tjera kombëtare, përmirësimin e menaxhimit të të dhënave, njohjen më efikase të diplomave të huaja dhe procesin e matrikullimit të studentëve, si dhe zgjerimin e kapaciteteve për profesione të rregulluara dhe vlerësime ndërkombëtare.
Një tjetër komponent i reformës lidhet me përmirësimin e kushteve logjistike dhe teknologjike. Agjencia e re parashikohet të ketë një godinë të dedikuar me infrastrukturë moderne, përfshirë salla provimesh sipas standardeve të Kembrixhit, sisteme sigurie dhe survejimi, si dhe pajisje teknologjike për administrimin e mijëra provimeve në muaj.
Ministrja theksoi se gjetjet e ekspertëve ndërkombëtarë evidentojnë nevojën për modernizimin e sistemit të vlerësimit dhe kalimin gradual drejt proceseve dixhitale, duke e konsideruar këtë një hap të domosdoshëm për përafrimin me standardet ndërkombëtare dhe ato të Bashkimit Evropian.
Sa i përket mbikëqyrjes, veprimtaria e AKSHA-s do të monitorohet nga Ministria e Arsimit, ndërsa vendimet kryesore financiare, tarifat dhe çështjet me ndikim të lartë do t’i nënshtrohen filtrit të Ministrisë së Arsimit dhe të Këshillit të Ministrave. Agjencia do të ketë gjithashtu detyrimin e raportimit vjetor dhe do t’i nënshtrohet kontrolleve tematike, ligjore dhe financiare nga institucionet shtetërore.