Nuk ka mungesë personeli në Spitalin Onkologjik

Në përgjigje të pretendimeve për mungesë personeli në shërbimet mjekësore në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, qeveria shqiptare sqaron se nuk ka mungesë personeli dhe se është miratuar shtesa e personelit në Spitalin Onkologjik.

Me vendimin nr. 4, datë 04.03.2026, të Bordit Drejtues të QSU “Nënë Tereza”, “Për ndryshimin e strukturës së Shërbimit të Kardiologjisë, PAI Spitali i Sëmundjeve të Brendshme dhe Shërbimit të Onkologjisë, PAI Onkologjik”, është miratuar shtesa e strukturës së personelit në Spitalin Onkologjik.

Qeveria qartëson se konkretisht, ky vendim parashikon:

-Shtimin e 23 infermierëve të pavionit në Shërbimin e Onkologjisë, duke e çuar numrin e tyre nga 48 në 71;

-Shtimin e 4 teknikëve të imazherisë në Njësinë e Radioterapisë, duke e çuar numrin nga 13 në 17;

-Shtimin e 2 fizikanëve në Njësinë e Radioterapisë, duke e çuar numrin nga 6 në 8;

-Shtimin e 2 specialistëve (Koordinatorë me Pacientin) në PAI të Spitalit Onkologjik, duke e çuar numrin nga 3 në 5;

-Si dhe shtimin e 10 sanitareve në PAI të Spitalit Onkologjik, duke e çuar numrin nga 21 në 31.