Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 3 Qershor 2026
V E N D I M
PËR
NGARKIMIN E AGJENCISË KOMBËTARE TË PLANIFIKIMIT TË TERRITORIT, SI ORGAN QENDROR BLERËS, PËR REALIZIMIN E KONKURSIT TË PROJEKTIMIT PËR PROJEKTIDETË E MUZEALIZIMIT TË INFRASTRUKTURËS DHE TUNELIT TË PORTO-PALERMOS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 53, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes dhe të ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ngarkimin e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit (AKPT), si organ qendror blerës, për realizimin e konkursit të projektimit për projektidetë e muzealizimit të infrastrukturës dhe tunelit të Porto-Palermos.
2. Ngarkimin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit për koordinimin e termave të referencës me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit (AKPT) për muzealizimin e infrastrukturës dhe tunelit të Porto-Palermos.
3. Efektet financiare, prej 24 550 000 (njëzet e katër milionë e pesëqind e pesëdhjetë mijë) lekësh, përballohen nga buxheti i Institutit të Gjeografisë dhe Infrastrukturës Ushtarake, miratuar për vitin 2026.
4. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Instituti i Gjeografisë dhe Infrastrukturës Ushtarake për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D IM
PËR
AUTORIZIMIN E KORPORATËS SË INVESTIMEVE SHQIPTARE PËR KOORDINIMIN E PROCESIT TË IDENTIFIKIMIT DHE KONSOLIDIMIT TË PRONËS SHTETËRORE ME INTERES PËR TË REALIZUAR PROJEKTIN E INVESTIMIT “HOSPITALITY ALBANIA, VLORË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 5, të ligjit nr.71/2019, “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Korporata e Investimeve Shqiptare, në përputhje me objektivat e saj, me qëllim identifikimin e pronës shtetërore, me interes për të realizuar projektin e investimit “Hospitality Albania, Vlorë”, në zonën kadastrale 8602, ngarkohet për përmbushjen e detyrave të mëposhtme:
a) Të ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet procedurale për identifikimin dhe konsolidimin e pronave shtetërore në njësitë strukturore të zonës kadastrale 8602 Vlorë, të përcaktuara në shtojcën nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi, si më poshtë vijon:
i. Në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës të kryejë koordinimin dhe bashkërendimin me institucionet shtetërore, të përfshira në çështjet e pronësisë apo të administrimit të pronave, për dhënien dhe shkëmbimin e informacionit apo të dokumentacionit të kërkuar, në lidhje me të drejtat e pronësisë apo çdo të drejtë tjetër reale, i nevojshëm për një pasqyrim të gjendjes së pronësisë/të drejtave pronësore, caktimin më të saktë të kufijve/sipërfaqeve të pjesës takuese të palës shtet, konsolidimin, nëse është e nevojshme, në kuptim të vendimit nr.137, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, dhe regjistrimin e pronave/të drejtave pronësore, sipas shtojcës nr.1, të këtij vendimi, në regjistrat e pasurive të paluajtshme;
ii. Në bashkëpunim me Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare të kryejë koordinimin dhe bashkërendimin për shkëmbimin e informacionit apo të dokumentacionit të kërkuar, në lidhje me të drejtat e pronësisë apo çdo të drejtë tjetër reale, i nevojshëm për një pasqyrim të gjendjes së pronësisë/të drejtave pronësore, caktimin më të saktë të kufijve/sipërfaqeve të pjesës takuese të palës shtet;
iii. Në bashkëpunim me subjektet private, të përfshira në marrëdhënien juridike të pronësisë për këto prona me interes për realizimin dhe mirëfunksionimin e projektit të investimit “Hospitality Albania, Vlorë”, të sqarojë dhe të qartësojë statusin e pjesës përkatëse të tyre e të palës shtet, të negociojë, të konsolidojë, të negociojë pozicionimin e secilës pjesë takuese, si dhe ta regjistrojë atë sipas statusit ligjor përkatës;
iv. Të konsolidojë pronat, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, në rast se konstatohet mospërputhje midis gjendjes faktike dhe ligjore të pronës;
v. Të hartojë raportin përmbledhës, në të cilin pasqyrohen realizimet e veprimeve të ndërmarra, në kuadër të përmbushjes së kësaj detyre.
b) Të hartojë dhe të sigurojë, në bashkëpunim me skuadrën fituese të konkursit ndërkombëtar publik, të datës 4.6.2025, konceptin e zhvillimit të zonës urbane në të cilin ndodhet prona shtetërore, me qëllim sigurimin e realizimit të projektit të investimit të përmendur më sipër.
2. Institucionet shtetërore, të përfshira në çështjet e pronësisë apo të administrimit të pronave, sipas parashikimit të shkronjës “a”, të pikës 1, të këtij vendimi, të paraqesin informacionin dhe dokumentacionin e kërkuar, brenda 5 (pesë) ditëve nga momenti i administrimit të kërkesës së paraqitur me shkrim nga Korporata e Investimeve Shqiptare.
3. Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, që, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të lidhin marrëveshjen e bashkëpunimit për përcaktimin e standardit, metodologjisë, termave dhe kushteve të bashkëpunimit për përmbushjen e interesit publik, në zbatim të detyrave të këtij vendimi.
4. Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare, vetë apo nëpërmjet subjekteve të krijuara prej saj, të kryejë veprimet me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, institucionet publike kompetente për planifikimin e zhvillimin e territorit apo me institucione të tjera, në kuadër të realizimit/mirëfunksionimit të projektit të investimit apo përmbushjes së nevojave të partnerit publik përfitues, si dhe të sigurojë regjistrimin, në emër të Republikës së Shqipërisë/Korporatës, sipas parashikimeve të marrëveshjes së bashkëpunimit me institucionin publik përfitues, të pronës së re shtetërore, që do të krijohet në zbatim të detyrave të këtij vendimi.
5. Ngarkohen Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Korporata e Investimeve Shqiptare për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË CENTRALIT GJENERUES TË ENERGJISË ELEKTRIKE FOTOVOLTAIKE DHE VEPRAVE NDIHMËSE, I CILI NUK ËSHTË OBJEKT KONCESIONI, NË ZONËN KADASTRALE 3169, NJËSIA ADMINISTRATIVE FUSHË-ÇIDHEN DHE NË ZONËN KADASTRALE 2113, NJËSIA ADMINISTRATIVE KASTRIOT, BASHKIA DIBËR, NGA SHOQËRIA “GREENCELLS RENEWABLES ALBANIA”, SH.P.K.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, datë 30.4.2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, në zonën kadastrale 3169, njësia administrative Fushë- Çidhen, dhe në zonën kadastrale 2113, njësia administrative Kastriot, Bashkia Dibër, nga shoqëria “GREENCELLS RENEWABLES ALBANIA”, sh.p.k., me elementet, si më poshtë vijon:
a) Emri i aplikuesit: Shoqëria“GREENCELLS RENEWABLES ALBANIA”, sh.p.k.;
b) Numri i identifikimit personal të zyrës së taksave NIPT/NUIS: M31812044A;
c) Tipi i centralit: Fotovoltaik;
ç) Kapaciteti i instaluar: 96 MW;
d) Afati i pritshëm i vënies në punë dhe pajisja me leje ndërtimi: Koha për ndërtimin, pajisjen me lejen e ndërtimit dhe vënien në operim të impiantit fotovoltaik do të jetë brenda 36 (tridhjetë e gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
dh)Vendndodhja e burimit gjenerues të energjisë: në zonën kadastrale 3169, njësia administrative Fushë-Çidhen, dhe në zonën kadastrale 2113, njësia administrative Kastriot, Bashkia Dibër;
e) Afati i operimit: 49 (dyzet e nëntë) vjet nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
ë) Koordinatat e tokës dhe planvendosja, sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
f) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe të dokumentacionit të projektit;
g) Shoqëria “GREENCELLS RENEWABLES ALBANIA”, sh.p.k., ka detyrimin që:
i. të paraqesë periodikisht (çdo tre muaj) pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore informacion mbi ecurinë e ndërtimit të centralit fotovoltaik;
ii. të respektojë kushtet e përmendura në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;
iii. të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës, ndërmjet shoqërisë “GREENCELLS RENEWABLES ALBANIA”, sh.p.k., dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera që lidhen me zbatimin e saj;
iv. t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 (dy) % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, shuma duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit;
v. të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqëria “GREENCELLS RENEWABLES ALBANIA”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
LIRIM NGA DETYRA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Znj. Miriam Shyti, zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, lirohet nga kjo detyrë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.173, DATЁ 24.3.2023, TЁ KЁSHILLIT TЁ MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRATEGJISË KOMBËTARE TË PUNËSIMIT DHE AFTËSIVE 2023-2030, PLANIT TË VEPRIMIT PËR ZBATIMIN E SAJ SI DHE PLANIT TË ZBATIMIT TË GARANCISË RINORE 2023-2025”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.173, datë 24.3.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Strategjisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive 2023-2030, planit të veprimit për zbatimin e saj, si dhe planit të zbatimit të garancisë rinore 2023-2025”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
a) Në titull dhe në pikën 1, periudha “2023-2025” zëvendësohet me “2026-2028”;
b) Shtojca nr.3, me titull “Garancia rinore, plani i zbatimit 2023-2025” zëvendësohet me shtojcën nr.3, me titull “Plani i zbatimit të garancisë rinore 2026-2028”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Ministria e Arsimit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Financave, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, Agjencia Kombëtare për Arsimin, Formimin Profesional dhe Kualifikimet, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, Agjencia Kombëtare e Rinisë, Shërbimi Social Shtetëror, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, INSTAT-i dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për ndjekjen e zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT, NGA AGJENCIA SHTETËRORE E KADASTRËS TE DREJTORIA E PËRGJITHSHME E ARKIVAVE, TË PASURISË SË PALUAJTSHME NR.7/39-N5, ZONA KADASTRALE 8542, GJIROKASTËR, PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.448, DATË 16.6.2005, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, TË NDRYSHUAR, SI DHE PËR NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.660, DATË 4.8.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës te Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, të pasurisë nr.7/39-N5, zona kadastrale 8542, Gjirokastër, sipas planimetrisë, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për ushtrimin e aktivitetit administrativ.
2. Prona e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, hiqet nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, bashkëlidhur vendimit nr.448, datë 16.6.2005, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme”, të ndryshuar, dhe i shtohet listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, bashkëlidhur vendimit nr.660, datë 4.8.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme, shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave”, të ndryshuar.
3. Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë ose t’ia japë atë në përdorim të tretëve.
4. Ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, PËR PREFEKTIN E QARKUT TË VLORËS, TË DISA PRONAVE, ME VENDNDODHJE NË ZONAT KADASTRALE 8601, 8604 DHE 8605, VLORË, DHE PËR NJË NDRYSHIM DHE NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.1691, DATË 10.10.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË BRENDSHME, PËR PREFEKTËT E ADMINISTRATËN E TYRE, NËNPREFEKTËT DHE ADMINISTRATËN E TYRE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për prefektin e Qarkut të Vlorës, të disa pronave, me vendndodhje në zonat kadastrale 8601, 8604 dhe 8605, Vlorë, sipas formularit dhe planrilevimeve, që i bashkëlidhen këtij vendimi, me qëllim për t’u përdorur për funksione administrative.
2. Në vendimin nr.1691, datë 10.10.2007, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Brendshme, për prefektët në qarqe dhe administratën e prefektëve, nënprefektët dhe administratën e nënprefektëve”, të ndryshuar, bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
a) Kudo në titull dhe në përmbajtje, emërtimi “Ministrisë së Brendshme” zëvendësohet me “Ministrisë së Punëve të Brendshme”;
b) Pronat e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, i shtohen listës së inventarit të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Vendimi nr.1005, datë 10.12.2010, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Brendshme, për prefektin e Qarkut të Vlorës e administratën e prefektit dhe për Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile (PMNZSH)”, shfuqizohet.
4. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, prefekti i Qarkut të Vlorës dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “REHABILITIMI I SHESHEVE DHE ZONAVE KRYESORE NË AFËRSI TË PIKAVE DOGANORE SHQIPTARE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rehabilitimi i shesheve dhe zonave kryesore në afërsi të pikave doganore shqiptare”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “kullotë”, “truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 2 401 066.5 (dy milionë e katërqind e një mijë e gjashtëdhjetë e gjashtë pikë pesë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 2 401 066.5 (dy milionë e katërqind e një mijë e gjashtëdhjetë e gjashtë pikë pesë) lekësh, përballohet nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Autoritetit Rrugor Shqiptar.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.
8. Agjencia Shtetërore për Shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Gjirokastër dhe Drejtoria Vendore Shkodër, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për Autoritetin Rrugor Shqiptar, për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për Autoritetin Rrugor Shqiptar, për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Gjirokastër e Drejtoria Vendore Shkodër, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Gjirokastër për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “ZGJERIMI I VARREZAVE TË FSHATIT QERRET”, BASHKIA KAVAJË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Zgjerimi i varrezave të fshatit Qerret”, Bashkia Kavajë.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Kavajë.
3. Pronarët e pasurisë së paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasurinë e llojit “arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 658 000 (gjashtëqind e pesëdhjetë e tetë mijë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 658 000 (gjashtëqind e pesëdhjetë e tetë mijë) lekësh, përballohet nga buxheti i Bashkisë Kavajë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Kavajë.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurisë së paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Kavajë.
8. Bashkia Kavajë kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Kavajë.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Durrës-Kavajë-Krujë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Kavajë për pasurinë e shpronësuar, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Kavajë për pasurinë e shpronësuar, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Kavajë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Durrës-Kavajë-Krujë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Durrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.1068, DATË 29.12.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE TË IEVP BURGU NR.325, BURGU VAQAR, BURGU NR.302, SPITALI I BURGUT TIRANË, IEVP SHËNKOLL, LEZHË, IEVP BËNÇË, TEPELENË, IEVP RROGOZHINË, IEVP LUSHNJË (FSHATI KOSOVË, KOMUNA FIERZË, ELBASAN) DHE TË GODINËS SË DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË BURGJEVE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË DREJTËSISË, PËR DREJTORINË E PËRGJITHSHME TË BURGJEVE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.1068, datë 29.12.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të IEVP Burgu nr.325, Burgu Vaqar, Burgu nr.302, Spitali i Burgut Tiranë, IEVP Shënkoll, Lezhë, IEVP Bënçë, Tepelenë, IEVP Rrogozhinë, IEVP Lushnjë (fshati Kosovë, komuna Fierzë, Elbasan) dhe të godinës së Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Drejtësisë, për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve”, të ndryshuar, bëhen shtesa dhe ndryshimi i mëposhtëm:
a) Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Drejtësisë, shtohet prona me emërtimin “IEVP Zahari, Krujë”, sipas formularit 1 (një) fletë dhe planit të rilevimit 1 (një) fletë, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
b) Në listën e inventarit, bashkëlidhur vendimit, përmasat e pronës me emërtimin “IEVP Bënçë, Tepelenë” zëvendësohen me përmasat e përcaktuara në formularin 1 (një) fletë dhe planin e rilevimit 1 (një) fletë, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E TARIFAVE PËR LËSHIMIN E DOKUMENTEVE LIGJORE PËR TRANSFERIMIN NDËRKOMBËTAR TË MALLRAVE USHTARAKE DHE TË ARTIKUJVE E TEKNOLOGJIVE ME PËRDORIM TË DYFISHTË, QË LËSHOHEN NGA AUTORITETI I KONTROLLIT SHTETËROR TË EKSPORTEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 46, të ligjit nr.46/2018, “Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përcaktimin e tarifave për lëshimin e dokumenteve ligjore për transferimin ndërkombëtar të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë, që lëshohen nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Të ardhurat e mbledhura nga tarifat e përcaktuara në këtë vendim do të derdhen në buxhetin e shtetit.
3. Vendimi nr.202, datë 10.4.2019, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e tarifave për lëshimin e dokumenteve ligjore për transferimin ndërkombëtar të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë, që lëshohen nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve”, shfuqizohet.
4. Ngarkohet Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA