Ruajtja e imazhit të Shqipërisë, thelbësore për ecurinë e sezonit turistik
Ruajtja e imazhit të Shqipërisë si një destinacion i sigurt, mikpritës dhe tërheqës për vizitorët mbetet një nga faktorët më të rëndësishëm për suksesin e sektorit të turizmit, i cili vitet e fundit është shndërruar në një nga motorët kryesorë të ekonomisë së vendit.
Në këtë kontekst, krijimi i perceptimeve negative apo i një klime të tensionuar përmes zhurmës publike dhe dezinformimit mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta për sezonin turistik dhe për mijëra familje që sigurojnë të ardhurat nga ky sektor.
Këtij shqetësimi iu referua edhe Kryeministri Rama në Shënimet e kësaj jave, ku theksoi se debati publik dhe protestat janë pjesë e natyrshme e një shoqërie demokratike, por paraqitja e situatës në një mënyrë që nuk pasqyron realitetin në terren dhe përhapja e mesazheve që krijojnë perceptimin e pasigurisë mund të kenë pasoja të drejtpërdrejta për turizmin dhe ekonominë lokale. Kryeministri argumentoi se imazhi i vendit si destinacion turistik nuk duhet të cenohet nga narrativa që, sipas tij, nuk përfaqësojnë gjendjen reale në zonat turistike të Shqipërisë.
Kryeministri vuri në dukje se kanë filluar të shfaqen sinjale shqetësuese të anulimeve të rezervimeve turistike, veçanërisht në jug të vendit, duke nënvizuar se një trend i tillë do të ndikonte drejtpërdrejt te bizneset e vogla, familjet që mbështeten te të ardhurat nga turizmi dhe ekonomia lokale.
“Kanë filluar disa shenja shqetësuese të çregjistrimeve në Sarandë, disa shenja shqetësuese, pak, por para se të bëhet trend që të fillojnë ata që kanë prenotuar për të ardhur, pra për të sjellë ato para që do të shkojnë te bizneset e vogla, që do të shkojnë te familjet që mezi e presin këtë sezon, atëherë do të humbasim shumë turistë këtë vit.” – tërhoqi vëmendjen Kryeministri Rama.
Në këtë kuadër, Kryeministri apeloi për përgjegjësi në komunikimin publik, duke theksuar se zhvillimi i turizmit dhe mbrojtja e imazhit të Shqipërisë janë interesa që prekin drejtpërdrejt mirëqenien e mijëra familjeve shqiptare. Kryeministri theksoi se vendi duhet të vazhdojë të promovojë potencialin e tij turistik dhe të mbështesë investimet që rrisin cilësinë e ofertës, pa lejuar që zhurma dhe dezinformimi të cenojnë rezultatet e arritura ndër vite.