Fakte për investimet në Sazan dhe Zvërnec
Në lidhje me deklaratat dhe lajmet e pavërteta që po qarkullojnë ditët e fundit rreth investimeve në Sazan dhe Zvërnec, qeveria shqiptare sqaron opinionin publik se ishulli i Sazanit është pronë shtetërore, e cila nuk është menduar e as kërkuar kurrë për shitje.
Bazuar në një proces të detajuar negociatash, shteti do të marrë kuota si palë e përfshirë në investim, ndërsa ishulli do të mbetet gjithnjë pronë e shtetit shqiptar.
Negociatat janë ende të hapura dhe nuk ka ende asnjë marrëveshje përfundimtare. Paralelisht, investitorët kanë vazhduar punën me studimet zhvillimore, por akoma nuk kanë paraqitur projektin arkitektonik dhe studimin përkatës mjedisor.
Gjithashtu, qeveria saktëson se zona e investimit në Zvërnec është pronë private e regjistruar në kadastër prej shumë vitesh. Shitblerja e pronës në Zvërnec nuk ka asnjë lidhje me qeverinë, po lidhet thjesht me marrëdhënien më elementare mes subjektesh private.
Aktualisht priten:
-Plotësimi i dokumentacionit për zbardhjen e lejes së zhvillimit;
-Aplikimi për lejen e ndërtimit me një projekt të detajuar, së bashku me të gjithë dokumentacionin teknik përkatës;
-Dokumenti i Vlerësimit të Detajuar të Ndikimit në Mjedis;
-Analiza nga autoritetet përkatëse e gjetjeve dhe rekomandimeve të Vlerësimit të Detajuar të Ndikimit në Mjedis;
-Studimi mbi ndikimet mjedisore të projektit mbi biodiversitetin, habitatet, ekosistemet, vlerat peizazhore dhe komponentë të tjerë mjedisorë;
-Garantimi i përputhshmërisë së projektit të paraqitur me legjislacionin shqiptar mjedisor dhe me standardet, legjislacionin dhe rregulloret mjedisore të Bashkimit Europian.