Përmbyllet procesi i vettingut, zëvendëskryeministrja Koçiu dhe ambasadori Gonzato: Standardet e vendosura duhet të mbeten
U zhvillua sot ceremonia përmbyllëse e procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve (vetting), një nga reformat kyçe të sistemit të drejtësisë dhe procesit të integrimit evropian të Shqipërisë. Në aktivitet morën pjesë Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, si dhe përfaqësues të institucioneve të drejtësisë dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Në fjalën e saj, Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu vlerësoi procesin e rivlerësimit kalimtar si një nga reformat më të rëndësishme të ndërmarra në sistemin e drejtësisë dhe në rrugëtimin evropian të Shqipërisë. Procesi, i nisur gati një dekadë më parë, synoi rindërtimin e besimit të qytetarëve te drejtësia përmes kontrollit të pasurisë, integritetit dhe aftësive profesionale të mbi 800 gjyqtarëve, prokurorëve dhe këshilltarëve ligjorë. Ajo theksoi se përfundimi i mandatit të institucioneve të përkohshme të vettingut nuk duhet parë si fund i procesit, por si fillim i një standardi të ri për drejtësinë shqiptare.
Koçiu u shpreh se vettingu i dha drejtësisë shqiptare një pikënisje të re dhe se besimi i publikut fitohet përmes vendimeve të drejta dhe rezultateve konkrete. Ajo shtoi se detyra e qeverisë mbetet garantimi i kuadrit ligjor, burimeve dhe kushteve të nevojshme për funksionimin e sistemit të drejtësisë, duke respektuar pavarësinë e tij.
Në ceremoni foli edhe Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, i cili e cilësoi procesin e vettingut si një reformë të paprecedent për nga shtrirja, kompleksiteti dhe ambicia. Ai theksoi se Bashkimi Evropian dhe partnerët ndërkombëtarë e kanë mbështetur Shqipërinë gjatë gjithë procesit përmes Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, duke ofruar ekspertizë, mbikëqyrje dhe asistencë të vazhdueshme.
Gonzato vlerësoi rezultatet e arritura gjatë nëntë viteve të zbatimit të procesit, duke nënvizuar se janë përfunduar të gjitha çështjet në shkallë të parë dhe janë shqyrtuar përfundimisht të gjitha ankimet. Sipas tij, qindra gjyqtarë dhe prokurorë janë rivlerësuar mbi bazën e pasurisë, integritetit dhe aftësive profesionale, duke forcuar llogaridhënien dhe përgjegjshmërinë në sistemin e drejtësisë.
Ambasadori i BE-së vlerësoi gjithashtu punën e institucioneve shqiptare të përfshira në proces, veçanërisht Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Komisionerëve Publikë dhe institucioneve mbështetëse.
Në mbyllje të fjalës së tij, Gonzato theksoi se përfundimi i vettingut nuk shënon fundin e reformës në drejtësi, por kalimin në një fazë ku sfida kryesore mbetet ruajtja dhe konsolidimi i standardeve të vendosura gjatë procesit të rivlerësimit, me qëllim forcimin e mëtejshëm të besimit të qytetarëve te drejtësia.