Shqipëria dhe Kosova nënshkruajnë dy marrëveshje për forcimin e bashkëpunimit në bujqësi
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla dhe Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural i Kosovës, Armend Muja, nënshkruan në Tiranë dy marrëveshje bashkëpunimi që synojnë forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural. Marrëveshjet u nënshkruan në kuadër të vizitës zyrtare të ministrit të Kosovës në Shqipëri.
Marrëveshjet, të cilat pasojnë angazhimet e marra gjatë takimit të zhvilluar në prill në Prishtinë, fokusohen në dy drejtime kryesore: zhvillimin e shërbimeve këshillimore bujqësore, transferimin e teknologjive dhe nxitjen e inovacionit, si edhe hartimin e një qasjeje të përbashkët për marketingun, promovimin dhe lehtësimin e tregtimit të produkteve agro-ushqimore.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, ministri Salla theksoi se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të Shqipërisë dhe Kosovës merr një rëndësi të veçantë, duke krijuar mundësi të reja për shkëmbimin e përvojave, forcimin e kapaciteteve dhe zhvillimin e iniciativave të përbashkëta në interes të fermerëve dhe sipërmarrjeve agro-ushqimore.
Në kuadër të marrëveshjes për marketingun dhe promovimin e produkteve agro-ushqimore, parashikohen masa për rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve, forcimin e pranisë së tyre në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare, koordinimin e aktiviteteve promovuese dhe të pjesëmarrjes në panaire, si dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet operatorëve ekonomikë të të dy vendeve.
Ndërkohë, marrëveshja për shërbimet këshillimore, transferimin e teknologjive dhe inovacionin synon modernizimin e sektorit bujqësor përmes forcimit të kapaciteteve profesionale, shkëmbimit të njohurive dhe praktikave më të mira, përmirësimit dhe digjitalizimit të shërbimeve për fermerët, si dhe mbështetjes së tyre me teknologji dhe zgjidhje inovative që rrisin produktivitetin dhe konkurrueshmërinë.
Ministri Salla theksoi se këto marrëveshje krijojnë një bazë të qëndrueshme për koordinimin institucional dhe zhvillimin e përbashkët të sektorit, duke hapur njëkohësisht mundësi për pjesëmarrje në programe, projekte dhe fonde të Bashkimit Evropian, si dhe të partnerëve të tjerë ndërkombëtarë të zhvillimit.
Ai nënvizoi se bujqësia mbetet një sektor strategjik për Shqipërinë dhe Kosovën, me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik, mirëqenien e komuniteteve rurale, krijimin e vendeve të punës dhe garantimin e sigurisë ushqimore.