Qeveria miraton indeksimin e pensioneve me 2,7% me efekt nga 1 korriku, si dhe 300 kredi të buta për administratën publike

Këshilli i Ministrave miratoi indeksimin e pensioneve me 2,7% për vitin 2026, i cili do të hyjë në fuqi më 1 korrik. Vendimi u bë i ditur nga Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, pas mbledhjes së Qeverisë.

Sipas ministres, nga kjo masë do të përfitojnë rreth 900 mijë qytetarë, ndër ta përfituesit e pensioneve të pleqërisë, pensioneve të veçanta dhe përfitimeve të barrëlindjes. Ajo theksoi se vendimi rikthen skemën e zakonshme të indeksimit të pensioneve.

Qeveria miratoi gjithashtu kuotat për 300 kredi të buta me normë interesi 0%, për punonjësit e administratës publike. Programi parashikon 70 kuota për punonjësit e Policisë së Shtetit, 20 për Policinë e Burgjeve, 70 për mësuesit, 70 për mjekët dhe infermierët, si dhe 70 për ushtarakët. Interesat e kredive do të subvencionohen nga buxheti i shtetit.

Në mbledhje u miratuan edhe një sërë aktesh ligjore në kuadër të procesit të integrimit evropian. Mes tyre janë projektligji për transparencën e emetuesve të titujve, i harmonizuar plotësisht me legjislacionin e Bashkimit Evropian, projektligji për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore tregtare, i cili synon të forcojë drejtësinë në marrëdhëniet financiare ndërmjet subjekteve tregtare, si dhe një projektvendim për rritjen e transparencës dhe përmirësimin e menaxhimit të ndërmarrjeve shtetërore.

Gjithashtu, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, u miratua një projektvendim që lidhet me trajtimin e studentëve, i cili rrit masën e bursave për nxënësit e arsimit profesional dhe i hap rrugë zbatimit të programit qeveritar për ushqimin në shkolla.