Ministri Gonxhja: Sezoni veror nis me fluks rekord vizitorësh dhe plazhe publike të reja
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, deklaroi pas mbledhjes së Qeverisë se sezoni veror 2026 ka nisur me ritme shumë pozitive, duke regjistruar nivele rekord të vizitorëve të huaj në Shqipëri.
Ministri u ndal edhe te tipologjia e plazheve publike të menaxhuara nga njësitë e vetëqeverisjes vendore. Sipas tij, krahas plazheve të lira, ku qytetarët mund të pushojnë pa pagesë, bashkitë administrojnë edhe plazhe publike të pajisura me çadra, shezlongë, shërbime higjieno-sanitare dhe infrastrukturë të përmirësuar, kundrejt tarifave të përcaktuara sipas karakteristikave të secilit plazh. Ai theksoi se kjo skemë ka ndikuar edhe në tregun privat, duke nxitur ruajtjen e çmimeve konkurruese dhe zgjerimin e aksesit të qytetarëve në shërbime cilësore me kosto të përballueshme.
Sa i takon sigurisë në plazhe, ministri Gonxhja theksoi se po merren të gjitha masat për garantimin e numrit të nevojshëm të vrojtuesve. Ai u bëri thirrje qytetarëve të frekuentojnë plazhet e mbikëqyrura, veçanërisht kur shoqërohen me fëmijë, duke nënvizuar se bashkitë kanë detyrimin të sinjalizojnë zonat ku nuk ka vrojtues, ndërsa qytetarët duhet të tregojnë kujdes në plazhet natyrore dhe të pamenaxhuara, ku nuk ofrohen shërbime sigurie.